
Berisha i ofroi vend të sigurtë, Meta refuzon nga burgu: Dua të jem në listën e hapur të Tiranës
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka vendosur që garojë në listë të hapur në Tiranë.
Vendimin e ka bërë të ditur Partia e Lirisë, ne një njoftim për mediat.
“Kryesia e Partisë së Lirisë miratoi sonte vendimin e Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta për të qenë kandidat për deputet në listën e hapur, Qarku Tiranë, të koalicionit ‘Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore‘, në zgjedhjet për Kuvend të datës 11 Maj 2025.
Ky vendim vjen pas një procesi të brendshëm konsultimesh dhe është një hap i rëndësishëm për forcimin e aleancës politike mes Partisë së Lirisë dhe Partisë Demokratike“, thuhet në njoftimin e PL.
Kreu demokrat, Sali Berisha pati deklaruar se Meta do të përfshihej në listat e mbyllura, pasi ai e ka të pamundur të zhvillojë një fushatë normale për zgjedhjet e 11 Majit, pasi gjendet në arrest me burg.
Por siç duket, kjo kërkesë e liderit demokrat është refuzuar nga ana e kreut të PL-së.
Ndërsa më herët, Meta, gjatë fjalës së tij për Komitetin Drejtues Kombëtar, Meta tha se “na duhet që në listat e hapura të përzgjedhim kandidatë sa më përbashkues dhe përfaqësues.”
Meta gjithashtu tha se është shumë e rëndësishme që koalicioni të marrë sa më shumë mandate, “pasi kjo na ndihmon edhe ne, por edhe partitë e tjera aleate për të fituar më shumë mandate në listat e hapura”
“Për ne është vendimtare fitorja e koalicionit, i cili është më i gjeri dhe më përfaqësuesi”, theksoi ai.
Burimi