Beleri flet nga Rinasi: Për çështjen time vazhdon akoma drejtësia me dy standarde

Beleri flet nga Rinasi: Për çështjen time vazhdon akoma drejtësia me dy standarde

Fredi Beleri foli për mediat nga aeroporti i Rinasit, ku pret të niset fillimisht drejt Athinës dhe më pas për në Strasburg ku do betohet si eurodeputet.
“Dua të falenderoj Drejtorinë e Burgjeve që mori këtë vendim. Ishte një vendim në kuadër të ligjit dhe logjikës. Po nisem drejt Athinës për të shkuar më pas në Strasburg në mbledhjen që do marrë vendime të rëndësishme. Besoj që tani e tutje do i kthehem normalitetit,” tha Beleri.
I pyetur se përse nuk e lejuan të betohet si kryebashkiak, por po e lejojnë të shkojë në Strasburg, ai tha: “Për mua që në fillim të kësaj çështje ka pasur dy standarde. Vazhdojnë akoma këto dy standarde”.
Në lidhje me votimet e 4 gushtit në Himarë, Beleri tha: “Herët a vonë, dëshira e sovranit respektohen. Me 4 gusht besoj se himariotët do japin një përgjigje dhe dëshira e tyre do respektohet dhe pasqyrohet te rezultati i zgjedhjeve”.
Në fund, Beleri deklaroi se vendimin e Gjykatës Speciale ndaj tij do e ankimojë në të gjitha hallkat, deri në Strasburg.
Fredi Beleri u lirua nga burgjet shqiptare pak para orës 7:30 të mëngjesit  për të udhëtuar në Athinë e më pas në Strasburg, ku më 16 korrik do të bëjë betimin si eurodeputet.
Eurodeputeti i Demokracisë së Re pritet të mbërrijë në orën 12:30 në Athinë.
Drejtoria e Burgjeve ka miratuar kërkesën e tij për leje pesëditore pas takimeve të njëpasnjëshme.
Fredi Beleri do të ketë kohë deri në orën 16:00 të së shtunës 20 korrik për t’u rikthyer për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.
Burimi