Bardhi paralajmëron një tjetër përplasje me deputetët e PS, komenti për reagimin e SPAK

Bardhi paralajmëron një tjetër përplasje me deputetët e PS, komenti për reagimin e SPAK

Ka përfunduar mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Në dalje nga selia blu, kreu i grupit Gazment bardhi deklaroi se ditën e nesërme të gjithë deputetët demokratë do të jenë pjesë e seancës plenare dhe askush nuk mund ta pengojë opozitën.
Bardhi paralajmëroi se nesër do të shikojmë sërish një tjetër betejë mes opozitës dhe mazhorancës në tentativë për të hyrë në Kuvendin e Shqipërisë.
“PD e konsideron veprimin e Mazhorancës ndaj deputetëve të opozitës si akt provokimi i papranueshëm. Askush nga deputetët tanë nuk i nënshtrohet vendimeve personale të Ramës. Akt anti-kushtetues që kemi vendosur të mos t’i nënshtrohemi. Të gjithë nesër do të jemi në seancë plenare. Grupi do të jetë nesër në seancë. Rama mund të na vërë përballë ushtrinë e policinë, por një Kuvend në një vend kandidat për në BE që pengon deputetët e opozitës të hyjë në vendin e punës, shfaq në sytë e të gjithëve tiparet e vërteta të shtetit që po ndërton Rama. Herën e kaluar as deputetët e përjashtuar nuk u lejuan që të futen në seancë. Na ka shpallur luftë Rama dhe ne do i përgjigjemi në mënyrë proporcionale. Ne nuk kemi shpallur asnjë bojkot”.
Bardhi pas njoftimit të SPAK: Të zbulohen autorët e sajesave
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha se SPAK duhet të zbulojë autorët që kanë manipuluar mesazhet, pasi Prokuroria e Posaçme ka njoftuar sot se nga verifikimet e deritanishme, bisedat e kryera nëpërmjet SKY/ECC janë manipuluar duke sajuar biseda të pavërteta.
“E kam thënë që kur kam dalë nga SPAK-u, prokurorët më konfirmuan se bisedat janë të sajuara. Sot, fatmirësisht, Prokuroria e Posaçme e ka konfirmuar këtë përmes një njoftimi zyrtar. Pa dyshim që ka politikanë të lartë të mazhorancës, të cilët njihen për lidhjet e tyre me krimin dhe janë në dosjet e SPAK-ut. Kishte një tentativë të orkestruar pas seancës ku kryeministri u përball me përgjimet reale të Sky, për të bërë pis cilindo që thotë të vërtetën. Nuk mund të fshihen lidhjet e Edi Ramës me krimin e organizuar duke sajuar mesazhe dhe duke i transmetuar ato në media si mesazhe të vërteta”, tha Bardhi.
Burimi