Apeli lë në fuqi dënimin për Belerin, Himara drejt zgjedhjeve të parakohshme
Gjykata e Posaçme e Apelit ka lanë në fuqi vendimin e shkallës së parë për Fredi Belerin dhe Pandeli Kokaveshin. Kështu, për Belerin merr formë të prerë dënimi me dy vite burgim për korrupsion aktiv në zgjedhje, ndërsa i akuzuari si bashkëpunëtor i tij, Pandeli Kokaveshi u dënua me 1 vit e 6 muaj burg, masë që u pezullua dhe u vendos në shërbim prove për tre vjet.
Shpallja e vendimit u monitorua nga përfaqësuesit e ambasadës greke në Tiranë si dhe gazetarë grekë. Ambasadorja greke, në një prononcim për mediat pas seancës, tha se shumë aspekte të çështjes ngrenë pikëpyetje, si paraburgimi sipas saj i zgjatur i Belerit apo moslejimi i ushtrimit të së të drejtës së betimit si kryebashkiak.
“Për fat të keq shumë aspekte të kësaj çështje ngenë pyetje përsa i përket objektivitetit të procesit, sic është çështja e prezumimit të pafajësisë, paraburgimi i zgjatur i zotit Beleri, dënimi joproporcional në lidhje me veprën e tij. Bashkia e Himarës edhe në këto momente nuk drejtohet nga persona që nuk janë zgjedhur prej votuesve edhe pse qytetarët e shprehën me votë dëshirën e tyre. Përparësi për Greqinë mbeten respektimi shtetit të së drejtës dhe mbrojtja e minoritetit si parim bazë i BE. Beleri tashmë është i zgjedhur në PE. Eurodeputetët duhet të kenë mundësinë të paraqiten personalisht që nga seanca plenare e korrikut që vjen”, tha ambasadorja Konstantina Kamitsi.
Beleri dhe Kokoveshi u arrestuan me urdhër të Prokurorisë së Vlorës në orët e para të mëngjesit të 12 majit 2023, vetëm dy ditë përpara datës kur do të votohej për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive. Sipas organit të akuzës, Beleri ka ofruar nga 50 euro për tetë vota. Po ashtu, Beleri u akuzua se i kishte dhënë paratë nëpërmjet të pandehurit tjetër, Pandeli Kokaveshi.
Beleri ishte kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” përballë kryebashkiakut socialist të Himarës, Jordgo Goro, i cili garonte për mandatin e tij të katërt. Megjithëse i arrestuar, Beleri u shpall fitues i zgjedhjeve të 14 majit për Himarën. Megjithatë, ai e ushtroi asnjhërë detyrën si kryebashkiak, pasi gjykatat e të trija shkallëzve i refuzuan lejen për tu betuar.
Dosja penale u transferua prej Prokurorisë së Vlorës në atë të Posaçme, që kërkoi deklarimin fajtor të Belerit për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe dënimin e tij me 2.6 vjet burg. Për Kokaveshin, SPAK kërkoi dënimin me 2 vjet heqje lirie dhe pezullimin e masës ndëshkimore për arsye shëndetësore, me kusht që të paraqitet pranë shërbimit të provës për katër vjet.
Nga ana tjetër, vetë Beleri e quajti arrestimin e tij politik dhe të urdhëruar nga kryeministri Edi Rama. Sipas tij, ky i fundit është i interesuar të mbajë kontrollin në Bashkinë Himarë, për shkak të interesave që lidhen me pronat.
Gjatë seancave gjyqësore, avokati mbrojtës i Belerit dhe Kokaveshit ka këmbëngulur se hetimi i kryer ishte i paligjshëm dhe se aktet e prokurorisë për rrjedhojë janë të papaërdorshme. Ai ka argumentuar se nuk ishte kompetencë e Prokurorisë së Vlorës për kryerjen e hetimeve të tilla, por e SPAK-ut. Po ashtu, ka konstatua se përgjimet dhe vëzhgimet e policisë ishin kryer me iniciativë, parapara se të nxirrej një urdhër nga prokuroria. Për prokurorët që kishin hetuar çështjen në Vlorë, tha se ishin zgjedhur duke shmangur shortin.
Po sipas avokatit Geni Gjyzarit, dëshmitarët mbi të cilët ishte bazuar hetimi, vëllezërit Arsen dhe Avdul Rama, kishin dhënë disa deklarime kontradiktore e të rreme. Sipas tij, fakti se dëshmitari Arsen Rama ishte paguar nga policia, përbënte një vepër penale, pasi një bashkëpunëtor i prokurorisë nuk mund të paguhet. Gjyzari shpjegoi se paguhen vetëm informatorët e policisë dhe jo bashkëpunëtorët apo dëshmitarët e prokurorisë. Sipas avokatit, dukej se gjithë veprimet e kryera nga policia dhe prokuroria e Vlorës kishin pasur si qëllim pengimin e Belerit për të fituar zgjedhjet vendore për Bashkinë e Himarës.
Me këtë vendim të formës së prerë, Beleri humbet manadatin sipas ligjit për dekriminalizimit dhe Bashkia Himarë pritet të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme. Është përfolur se djali i Fredi Belerit mund të jetë kandidat në zgjedhjet e reja.
Burimi