Apeli i GJKKO-së jep vendimin, ja sa vite burg dënohet Safet Gjici dhe Alma Kaçi
Me 4 vite e 6 muaj burg është dënuar përfundimisht ish kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, për aferën seksuale në zyrën e bashkisë, për të cilën u prangos fiks një vit më parë, 24 qershorin e vitit 2023.
Apeli i Posaçëm ka ndryshuar vendimin e shkallës së parë, që e kishte dënuar Gjicin me 3 vite burg për shpërdorim detyre, dhe ka dhënë dënimin tashmë me formë të prerë me 4 vite e gjysmë për veprën penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar Gjicit do t’i duhet të vuajë 3 vite burg gjithsej, ndërsa duke llogaritur paraburgimin i mbeten edhe 1 vit e gjysmë.
Gjykata e Apelit ka ndryshuar edhe vendimin për Alma Kaçin. Dënimi për Kaçin ka mbetur me 1 vit e 6 muaj burg por jo për veprën penale të prostitucionit për të cilën e dënua shkalla e parë por për atë të korrupsionit aktiv. Alma Kaçi tashmë do t’i duhet të transferohet në qeli, për të vuajtur dënimin përfundimtar që i shkon në 12 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Publikimi i videos, ku ai kryente marrëdhënie seksuale në zyrë me Alma Kaçin nuk i kushtoi Gjicit vetëm lënien e mandatit por dhe burgun. Po ashtu, Safet Gjicit i hiqet edhe e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vjet.
Burimi