Ambasada e SHBA reagon pas vendimit për Xhaçkën : Shpërfillën vendimin e Kushtetueses

Ambasada e SHBA reagon pas vendimit për Xhaçkën : Shpërfillën vendimin e Kushtetueses

Ambasada Amerikane në Tiranë ka reaguar pasi vota e deputetëve socialistë pengoi për herë të tretë kalimin në Gjykatën Kushtetuese të çështjes së mandatit të ish-Ministres së Jashtme Olta Xhaçka.
Reagimi i plotë: Ambasada e SHBA ndan shqetësimin e Delegacionit të Bashkimit Europian lidhur me vendimin e Parlamentit të Shqipërisë për të shpërfillur një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Siç vërejti kohët e fundit Kryetarja e Parlamentit, marrja e hapave të nevojshme për vendimet e Gjykatës Kushtetuese është përgjegjësi qendrore e Parlamentit dhe është gjithashtu jetike për ndarjen e pushteteve. Qeveria dhe institucionet duhet të respektojnë rregullat, ligjet, vendimet e gjykatave dhe kushtetutën – të gjitha të cilat janë aty për të siguruar që sistemi demokratik është i shëndetshëm dhe lulëzon.
Më herët Delegacioni i Bashkimit Europian në vendin tonë e quan “një hap jo në drejtimin e duhur” vendimin e mazhorancës socialiste që refuzoi të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës.
“Ne kemi shprehur shqetësimet tona edhe në raportin e fundit mbi Sundimin e Ligjit në Shqipëri, lidhur me faktin që disa vendime të Gjykatës Kushtetuese nuk janë zbatuar nga Parlamenti, përfshirë edhe në lidhje me këtë çështje, ku vendimi i Gjykatës Kushtetuese daton më shumë se një vit e gjysmë më parë (janar 2023). Na inkurajoi fakti që Kryetarja e Parlamentit, gjatë hapjes së sesionit parlamentar javën e kaluar, theksoi si prioritet nevojën që Kuvendi të ndjekë vendimet e mbetura të Gjykatës Kushtetuese. Ajo çka ndodhi dje nuk është një hap në drejtimin e duhur. Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti është një çështje thelbësore pasi lidhet me kontrollet dhe balancat institucionale në sistemin demokratik të vendit”, thuhet në reagimin e delegacionit të BE-së për mediat.
Në seancën plenare të së Enjtes mazhoranca socialiste rrëzoi sërish një vendim të Gjykatës Kushtetuese që e detyronte Kuvendin të dërgonte për interpretim mandatin e deputetes Olta Xhaçka, ndaj së cilës ka dyshime se ka shkelur Kushtetutën pasi bashkëshorti i saj u shpall “investitor strategjik”.
gijotina.com/
Burimi