Alimehmeti: Qytetarët t’i bashkohen protestës së opozitës
Drejtuesi i departamentit të shëndetësisë në PD, Ilir Alimehmeti ftoi qytetarët ti bashkohen protestës së thirrur sot nga opozita.
“Që në krye të herës, modeli qeverisës “Rama” erdhi në fuqi me gënjeshtrën e “shëndetësisë falas”. E tani çdo qytetar e ka të qartë se sa falas është kjo shëndetësi. Plot 60% e shpenzimeve shëndetësore dalin direkt nga xhepi i qytetarit raporton OBSH-ja në fundin e vitit 2023, niveli më i lartë në Europë, pas 10 vitesh implementimit të “shëndetësisë falas””, deklaroi ai në një deklaratë për shtyp nga selia e PD-së.
Alimehmeti theksoi se Shqipëria ka nivelin më të ulët të shpenzimet publik për shëndetësinë në Europë.
“Premtuan që do ta çonin shpenzimin publik të shëndetësisë në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, pas 11 vitesh që e shkruajnë vetë buxhetin kjo vlerë është vetëm 2.78% e PBB”, tha ai.
Më tej, ai u shpreh se mbi 455 milionë euro të vendosur në dispozicion të shëndetësisë kanë përfunduar deri tani në xhepat e tyre, përmes skemës së katër koncesioneve në shëndetësi.
“Ndërkohë që fondi i rimbursimeve ka rënë me 3.4% të shpenzimit total të FSDKSH, nga 24% në 2019, në 20.6% në vitin 2023, shpenzimet për koncesionet u rritën me 2% të shpenzimit total të FSDKSH, nga 7% në 9%. Pra, qartazi, paratë e rimbursimeve të ilaçeve tuaja po shkojnë në xhepat e tyre”, deklaroi Alimehmeti.
Sipas Alimehmetit, “e drejta e shëndetit dhr jetës duhet mbrojtur. Për këto arsye ju ftoj të gjithëve në protestën e datës 11 korrik”.
Burimi