Alarmi i rënies së popullsisë, si pritet të ndikohet ekonomia

Alarmi i rënies së popullsisë, si pritet të ndikohet ekonomia

Rezultatet e Censit treguan se grupmosha mbi 60 vjeç arriti në 667 mijë persona në tetor 2023, me rritje 49% nga 2011, në një kohë që popullsia e përgjithshme në të njëjtën periudhë ra me 13%.
Por ky është një lajm i mirë për kompanitë që importojnë ilaçe. Rezultatet e reja sinjalizojnë më shumë shitje, pasi barra e sëmundjeve dhe përdorimi i medikamenteve rriten me plakjen e popullsisë.
Të gjitha bizneset, që kanë në thelb ofrimin e shërbimeve shëndetësore, do të rishikojnë projeksionet me rritje të fitimeve. Gjithashtu me rritje pritet të jenë edhe të gjitha shërbimet dhe bizneset e lidhura me shërbimet ndaj moshës së tretë.
Dorian Sadiku, i cili drejton Shoqatën e Depove Farmaceutike, thotë se plakja e popullsisë rrit kërkesën për medikamente dhe ky është një fenomen global.
Në anën tjetër, Censi 2023 zbuloi se kishte 204 mijë të rinj 0-15 vjeç më pak se në vitin 2011 ose 35% rënie dhe ky është një lajm i keq për bizneset e prodhimit dhe tregtisë së brumërave, ëmbëlsirave, veshjeve etj. Të gjithë ata që kanë të lidhur biznesin me tregtinë e mallrave dhe shërbimeve për të rinjtë, që nga kancelaritë e deri te shkollat do të pësojnë rënie të ndjeshme gjatë dekadës në vijim.
Adi Haxhiymeri, i cili drejton Shoqatën e Përpunuesve të Miellit, pohoi se rënia e popullsisë ka qenë e dukshme në vitet e fundit. Largimi i të rinjve ka sjellë rënie të qëndrueshme të importeve të brumërave dhe sheqernave në dekadën e fundit.
Z. Haxhiymeri tha se rezultatet e reja të popullsisë janë një lajm i keq, por bizneset shqiptare janë bërë elastike ndaj krizave dhe operojnë me plane afatshkurtra.
Rezultatet e Censit 2023 treguan se popullsia e Shqipërisë në tetor 2023 ishte 2.4 milionë banorë, ose 420 mijë më pak se në Censin e vitit 2011, teksa mosha mesatare e popullsisë arriti në 42.5 vite, 7 vite më shumë se më 2011.
Këto rezultate do të çojnë në revizionime të forta të të gjithë treguesve ekonomikë, që nga rezultatet makroekonomike të tilla si punësimi, të ardhurat për frymë e deri te planet e biznesit që do të duhen të formatohen me popullsinë e re.
 
Pasojat
Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, analizon se një popullsi më e pakët dhe më e plakur krijon kufizim të mundësive të rritjes në afatin e gjatë. Tregu i punës do të vuajë për punonjës, teksa kërkesa e brendshme do të ulet. Z. Xhepa thotë se do të rritet stresi mbi detyrimet afatgjata, siç janë fondet e pensionit dhe shëndetit.
 
Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, analizon se një popullsi më e pakët dhe më e plakur krijon kufizim të mundësive të rritjes në afatin e gjatë. Tregu i punës do të vuajë për punonjës, teksa kërkesa e brendshme do të ulet. Z. Xhepa thotë se do të rritet stresi mbi detyrimet afatgjata, siç janë fondet e pensionit dhe shëndetit.
Profesorët ekonomisë lajmërojnë ndryshime në modelet ekonomike nga zhvillimet demografike.
Eksperti Elvin Meka mendon se ndryshimi i strukturës së popullsisë në favor të plakjes në afat të gjatë do të ndryshojë trendet e konsumit, teksa financat publike do të jenë në presion të dyfishtë si në krahun e të ardhurave, edhe në atë të shpenzimeve. Gjithashtu produktiviteti në punë, me një popullsi të plakur, do të pësojë rënie thotë profesori.
Më herët këtë vit, në një intervistë të posaçme për “Monitor”, Menaxheri i Bankës Botërore në vendin tonë, Emanuel Salinas, tha se Shqipëria është e detyruar të investojë te të rinjtë.
“Kapitali njerëzor i Shqipërisë është zemra e trajektores së zhvillimit të vendit, aftësisë së tij për të përparuar drejt anëtarësimit në BE dhe përafrimit të standardeve të të ardhurave dhe jetesës me mesataren e Bashkimit Europian.
Për ta thënë thjesht, Shqipëria nuk mund të bëhet një vend i fortë, i avancuar dhe me të ardhura më të larta pa angazhuar një kapital njerëzor po aq të fortë dhe produktiv”, – tha ai.
Mirëpo teksa popullsia e vendit po plaket dhe po tkurret me shpejtësi, kapitali njerëzor nuk po përfshihet në prioritetet e buxhetimit. Shqipëria ka financimet më të ulëta për arsimin dhe shëndetësinë, më pak se 3% të PBB-së në vit, nivelet më të ulëta në Europë, teksa hemorragjia e emigrimit të të rinjve vijon të jetë e fortë dhe lindjet po bien me shpejtësi.
 
Bizneset e lidhura me arsimin, në vështirësi
Kur nisi viti i ri shkollor 2024-2025, universitetet dhe shkollat private ishin të shqetësuara nga rënia e numrit të nxënësve.
Nga viti 2011 deri më 2023, sipas të dhënave nga censet, numri i të rinjve 0-15 vjecc është tkurrur me 35%. Arsimit parauniversitar i mungojnë rreth 204 mijë fëmijë. Për sistemin publik të arsimit, kjo rënie duhet të përkthehet në cilësi, është shprehur ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj.
Për arsimin privat, rënia e numrit të fëmijëve do të thotë përkeqësim i biznesit në vijim.
Të dhënat zyrtare nga INSTAT referojnë se vitin e kaluar, 19 sipërmarrje në fushën e arsimit u mbyllën. Numri i bizneseve në arsimin privat është rritur me shpejtësi, sidomos në dy dekadat e fundit, për shkak se Shqipëria doli me një popullsi të re në moshë nga komunizmi dhe zhvendosjet drejt zonave urbane sollën mbingarkesë në institucionet arsimore. Rënia e lindjeve dhe emigracioni i lartë do të sjellin ulje të mëtejshme edhe më të fortë gjatë dekadave në vijim.
Kjo rënie do të prekë edhe universitetet. Pritshmëritë tregojnë se numri total i studentëve që regjistrohen në vit të parë do të jetë jo më shumë se 10 mijë në vitin 2032 dhe jo më shumë se 50-60 mijë studentë gjithsej në universitete, nga rreth 120 mijë që ishin në vitin akademik 2022-2023.
Të dhënat tregojnë se institucionet arsimore të arsimit të lartë do ta kenë të vështirë të mbijetojnë. Me ketë rënie, shumë sektorë do të vihen në vështirësi për ekspertë. Logjikisht rënia e nxënësve dhe studentëve duhet të sillte rritjen e cilësisë, po as kjo nuk ka ndodhur.
Shqipëria mori rezultate shumë të dobëta në testin global të 15-vjeçarevë “PISA 2022” në arsim, matematikë, shkencë dhe kreativitet.
Arsimi nuk po konsiderohet prioritet, pasi shkollat shqiptare përballen me logjistikë të dobët për të zhvilluar kurrikulën mësimore, nuk përdorin teknologjinë dhe niveli i mësuesve po shënon rënie drastike për shkak se degët e arsimit kanë përthithur gjimnazistët më të dobët në dy dekadat e fundit.
 

 
Ulja e të rinjve, efektet në konsum
Në vitin 2023, u importuan gjithsej 287 mijë tonë grurë. Kjo sasi ishte 24% më e ulët se importet e vitit 2011. Nëse në Shqipëri nuk do të ishte ky fluks turistësh si dy vitet e fundit, qarkullimi dhe konsumi në ekonomi do të ishin në vështirësi.
Adi Haxhiymeri, i cili prej dekadash ka aktivitet në importin e grurit dhe përpunimin e miellit dhe artikujve të brumit, tha se largimi i të rinjve ka pasur ndikim në konsum. Të rinjtë janë konsumatorët më të mëdhenj të brumërave, pasi mosha e mesme dhe më të vjetrat shpesh aplikojnë dieta për shkak të diabetit dhe eliminojnë brumin.
Rënia e importeve të drithërave ishte e dukshme pas pandemisë, kur u rikthyen flukset e emigracionit te të rinjtë. I njëjti trend ishte edhe për konsumin e ëmbëlsirave dhe sheqernave në tërësi.
Disa kategori artikujsh konsumi që drejtohen nga të rinjtë kanë pësuar rënie të dukshme vitet e fundit. Bizneset kanë parë rënie drastike të shitjeve gjatë cikleve e forta të emigracionit të të rinjve. Në vitin 2023, importet e sheqernave dhe ëmbëlsirave ishin 16% më të ulëta se në vitin 2011.
Shitësit me pakicë pohojnë se ka rënie drastike të ëmbëlsirave, çokollatave dhe produkteve për fëmijë, pasi nuk ka më blerës të tillë.
“Para 10 vitesh, 30% të xhiros ditore e kisha nga artikujt ushqimorë për fëmijë, të tilla si çokollata, pije etj., por tani nuk kam fare nga këto artikuj, pasi në lagjen tonë nuk ka më shumë se 10 fëmijë tha Samiu”, – një tregtar pakice në zonën e “5 Majit”.
Të njëjtën situatë pohojnë edhe kancelaritë dhe shitësit e mjeteve shkollore. “Shitjet pësojnë rënie së paku me 5% vit pas viti nga rënia e numrit të fëmijëve. Për të mbajtur biznesin kemi diversifikuar gamën e artikujve dhe kemi rritur çmimet”, thotë Lumja, e cila drejton një kancelari në zonën e Medresesë.
 
Bie konsumi i veshjeve dhe këpucëve
Në vitin 2023, importet e veshjeve dhe këpucëve në sasi shënuan rënien më të mprehtë që nga viti pandemik 2020, kur njerëzit kufizuan shpenzimet për veshje nga masat e gjata të izolimit. Të dhënat e INSTAT tregojnë se gjatë vitit të kaluar u importuan 75,6 mijë tonë veshje, me rënie 3,5%, por rënia ishte më e fortë për këpucën, me mbi 19%.
Burimet nga tregjet e pakicës referojnë se dy janë arsyet që çuan në rënie të shitjeve në sektorin e veshjeve. E para lidhet me inflacionin e lartë në grupin e ushqimeve. Vala e çmimeve të larta ishte më e fortë tek ushqimet ku disa produkte të shportës si bulmeti, perimet dhe frutat u rritën me ritme dyshifrore vitin e kaluar.
Nga ana tjetër, emigrimi masiv i të rinjve dhe pakësimi i kësaj grupmoshe po ul kërkesën për veshje. Grupet e reja janë konsumatorë të mëdhenj të veshjeve, për shkak të përshtatjes me trendet dhe stilit të jetesës në këtë moshë.
Rënia e importeve të veshjeve u reflektua edhe në vlerë. Në vitin 2023 u importuan 94 miliardë lekë veshje dhe këpucë, me rënie vjetore -7.4%.
Të dhënat e tregtisë së jashtme tregojnë se episodet e rënies së importeve të veshjeve dhe këpucëve janë të pranishme në vitet e krizave.
Duke analizuar ecurinë që nga viti 2005, importet e veshjeve dhe këpucëve ranë në vitin 2009 si pasojë e krizës financiare të vitit 2008. Rënia ka qenë e pranishme në vitet 2012, për shkak të frenimit të rritjes ekonomike dhe në vitin 2020, për shkak të kufizimeve ndaj pandemisë.
Shitjet në sektorin e veshjeve dhe këpucëve janë të ekspozuara ndaj krizave ekonomike dhe inflacionit të lartë. Pas luftës në Ukrainë, çmimet panë nivele rekord në të gjithë Europën, duke ndikuar në sjelljen e konsumatorëve. Për të përballuar nevojat ushqimore, në kohë krizash konsumatorët ulin blerjet për veshje, por sidomos për këpucë.
 
Inovacioni dhe industria financiare preken nga plakja e popullsisë
Ndryshimi i strukturës së popullsisë në favor të moshave të vjetra ndikon negativisht te bizneset financiare dhe ato të teknologjisë. Bankat nuk japin kredi për pensionistë dhe kjo moshë nuk është përdorues potencial i teknologjisë. Shërbimet financiare dhe shitjet e pajisjeve teknologjive për të rinj do të pësojnë rënie.
Por, nga ana tjetër, që ekonomia të rrisë vlerën e punës, vendi duhet të orientohet nga sektorët me vlerë të lartë, si inovacioni dhe shërbimet financiare.
Sipas Eurostat, në vitin 2022, sektori i informacionit dhe komunikimit në Shqipëri kontribuoi në 3.4% të vlerës së shtuar bruto, nga 3.5% në vitet 2020 dhe 2021, gjithashtu aktivitetet financiare dhe të sigurimit kontribuuan në 2.3% të vlerës së shtuar bruto, nga 2.4% që ishte në dy vitet e mëparshme.
Në Europë, pesha e këtyre shërbimeve është më e lartë. Sipas Eurostat, në vitin 2022, informacioni dhe komunikimi kontribuoi me 5.4% të vlerës së shtuar bruto dhe aktivitetet financiare, me 4,4%.
Perspektiva e vendit tonë për t’u zhvilluar në këta sektorë është e kufizuar për shkak të uljes së të rinjve dhe aksesit të dobët në teknologji dhe shkollat nuk janë të pajisura me teknologji dhe internet. Teksa ekonomia e vendit në 30 vite tranzicioni është rritur nga viti në vit, përfitimet nga rritja nuk po reflektohen te kapitali human, sidomos te të rinjtë.
Pas emigracionit të lartë të viteve, zhvillimet e brendshme në sistemin arsimor dhe tregun e punës për të rinjtë tregojnë përkeqësim.
 
Plakja e popullsisë nxit bizneset e shëndetit
Mosha mesatare e popullsisë 42.5 vjeç e rendit vendin tonë si një nga popullsitë më të plakura të Europës, por teksa ky proces në kontinentin tonë ndodhi për dekada, në Shqipëri po ndodh shumë shpejt, teksa vendi nuk ka bërë asnjë përgatitje për të ngritur infrastrukturën e duhur për moshën e tretë.
Censi 2023 numëroi 667,464 persona mbi 60 vjeç, me rritje 49% nga 2011. Plakja e popullsisë po rrit barrën e sëmundjeve dhe për rrjedhojë, edhe nevojën për medikamente dhe kujdes shëndetësor. Bizneset e lidhura me shëndetin do të kenë rritje të aktivitetit në vijim.
Të dhënat e INSTAT treguan se në vitin 2013, numri i bizneseve në sektorin e shëndetit dhe aktiviteteve sociale arriti në 4827, me rritje 130% në krahasim me vitin 2011. Të dhënat zyrtare tregojnë se gjithashtu sëmundjet kronike po shënojnë rritje me 5-7% në vit dhe trendi është theksuar edhe më shumë pas pandemisë.
Sasitë e importeve të produkteve farmaceutike panë rritje të shpejtë vitin e kaluar, me rreth 14%, pas një rënie të lehtë pas pandemisë.
Të dhënat e INSTAT referojnë se vitin e kaluar u importuan 6,753 tonë ilaçe, nga 5,917 tonë më 2022.
Në vitin 2023, vendi ynë ka importuar 26,8 miliardë lekë (255,7 mln euro) produkte farmaceutike, por vetëm rreth 12 miliardë lekë ose 44% janë mbuluar nga Fondi i Rimbursimit që vihet në dispozicion nga qeveria shqiptare.
Të dhëna më të detajuara tregojnë se shqiptarët kanë akses të ulët te barnat kryesore, që trajtojnë sëmundjet kardiovaskulare, onkologjinë, autoimunet, nervoret etj. Të dhënat nga Shoqata Shqiptare e Përfaqësive Farmaceutike tregojnë se barnat e reja, që kanë një trend të lartë shitje në tregjet europiane dhe ato të rajonit, ende nuk kanë hyrë në tregun shqiptar.
Ato kushtojnë shumë dhe nuk janë të përballueshme për pacientët, pasi shteti nuk i rimburson. P.sh. në Shqipëri nuk janë të pranishme të tilla si Apixaban, Pembrolizumab që trajtojnë sëmundje autoimune.
Tregu shqiptar është në zhvillim e sipër, ku barnat tradicionale gjenerike dhe ato jashtë patentës përfaqësojnë 76%, ndërsa trajtimi spitalor i specializuar dhe me terapi inovative vetëm 24%.
Përfaqësuesit e tregut farmaceutik thonë se nevojat e popullsisë janë shumë më të larta se furnizimet aktuale. Por përvoja globale ka treguar se financimet publike dhe orientimi i tyre i drejtë i çon përpara sistemet shëndetësore dhe përmirëson ndjeshëm shërbimet shëndetësore për popullatën.
Nga viti 2019 deri më 2024, buxheti i FSDKSH (struktura që financon shërbimet shëndetësore publike) është rritur me rreth 40%, ndërsa zëri i rimbursimit të medikamenteve vetëm 20%, sipas të dhënave zyrtare.
 
Hapësira të reja, mungon furnitura dhe logjistika për të moshuarit
Të dhënat e censit treguan se rreth 64 mijë të moshuar mbi 60 vjecc jetonin vetëm. Më parë, Organizata e Kombeve të Bashkuara nëpërmjet ILO-s vuri në dukje se mbi 90 mijë të moshuar në Shqipëri kishin nevojë për kujdes.
Duke qenë se të moshuarit janë një grup i popullsisë që konsumon pak dhe nuk ka fuqi blerëse në treg, ka shumë mungesa në produktet të dedikuara për këtë moshë, duke nisur që nga veshjet, furnitura e përshtatshme që i ndihmon ata në lëvizje etj.
Rozana Stafa, nga Fashion Group, është shprehur se rrjeti më i madh i tregtimit të veshjeve me pakicë tha se sektori i veshjeve është shumë dinamik dhe lehtësisht përshtatet me kërkesat e konsumatorit. Duke qenë se ky fenomen është mbarëbotëror, kurrsesi nuk mund të mos hasej edhe në Shqipëri. Ajo tha se kompanitë që operojnë në sektorin e modës natyrisht kanë nisur t’i përshtaten kësaj situate duke i ardhur në ndihmë me mundësi zgjedhjeje çdo grupmoshe.
Mirëpo në njësitë e shitjes me pakicë në vend shpesh mundësitë e zgjedhjeve për mosha të vjetra janë të kufizuara. Znj. Stafa tha se kjo vjen për faktin se bizneset e veshjeve, si çdo biznes tjetër, ofrojnë produkt nisur nga aftësia blerëse.
Në vendin tonë, aftësia blerëse është e kufizuar në grupmoshën 20-45 vjeç, pasi kjo ka të ardhurat më të larta dhe për rrjedhojë dhe shpenzimi është më i lartë. Tregu shqiptar i veshjeve nuk ofron shumë mundësi dhe cilësi për moshat mbi 80 vjeç, siç mund të gjenden në tregun europian.
Nevojat për kujdes intensiv për të moshuarit po rriten në Shqipëri, por nga ana tjetër, logjistika që mbështet me furnizime këtë kategori konsumatorësh pothuajse mungon. Një familje që trajton me shërbim në shtëpi një person në këtë moshë e ka shumë të vështirë të sigurojë pajisje që lehtësojnë rutinën e tij.
Në Shqipëri mungojnë njësitë e shitjes me pakicë për të moshuarit, të cilat në vendet e Europës Perëndimore janë mjaft të përhapura. Farmacitë kanë nisur të fusin furnizime të posaçme, por tregu ofron shumë pak në raport me nevojat që paraqiten.
Kompanitë që ofrojnë pajisje për shtëpi nuk kanë thuajse asnjë produkt të përshtatshëm për moshat e thyera, si krevate të lëvizshme dhe pajisje të tjera që lehtësojnë përditshmërinë e të moshuarve.
Pajisje që mund të manovrohen lehtë me prekjen e një butoni, si hapja e dyerve, dritareve apo krevate dhe dollapë, të nevojshme për moshat e vjetra.
Pajisje mjekësore si karriget me rrota, sistemet e shpërndarjes së oksigjenit, pajisjet ndihmëse të lëvizjes etj. Tualete të përshtatura për të moshuarit, mobilie si ashensor, banjot në këmbë do të kenë shumë shpejt një kërkesë në rritje edhe në vendin tonë.
 

 
Profesionet e reja që mungojnë për të moshuarit
Në Shqipëri, përveç logjistikës, ka mungesa të mëdha për profesione që kanë fokus trajtimin e të moshuarve. Numri i të punësuarve si kujdestar shtëpie po rritet. Shumë të moshuar kanë nevojë për shërbim parukerie ose berberi, ndaj ofruesit e këtij shërbimi do ta shohin si mundësi të re ofrimin e shërbimit në shtëpi.
Biznesi i transportit do të shënojë rritje, pasi të moshuarit do të kenë nevojë që të lëvizin me një mjet të posaçëm për rutinën e përditshme. Shqipëria dhe sidomos Tirana nuk ofron një transport publik komod, i cili është tërësisht i papërshtatshëm për të moshuarit.
Pamundësia për të lëvizur lirisht nga moshat e vjetra do të nxisë ofrimin e shumë shërbimeve në shtëpi. Ndër më të kërkuarat do të jenë biznesi i pastrimit dhe ai i kujdesit personal.
Moshat e vjetra janë të prira të kenë shpesh kafshë në shtëpi dhe kujdes intensiv pastrimi. Një popullsi më e vjetër në moshë nxit bizneset e organizuara në shtëpi.
Bizneset e mjekësisë dhe ofrimi i tyre në shtëpi do të rriten. Të moshuarit lëndohen lehtë dhe për këtë arsye, nevojat për imazheri në shtëpi do të rritet. Klinika të vogla, që do të mund të ofrojnë shërbime në shtëpi, do të nevojiten më shumë në të ardhmen edhe në Tiranë.
Bizneset e porosive në shtëpi do të kenë rritje në një popullsi që shkon drejt plakjes. Shërbime si pazaret ushqimore, blerja e barnave, porositë rutinë të ditës po ashtu do të rriten.
Njerëzit e moshuar kanë nevojë më të madhe për shërbimet e kujdesit shëndetësor si fizioterapi, terapi, masazh. Këto shërbime kërkojnë aftësi të specializuara dhe janë mundësi të shkëlqyera për të bërë biznes, duke pasur parasysh prirjet demografike të sotme.
Shqipërisë i mungon tërësisht edhe personeli i specializuar për trajtimin e të moshuarve. Gjeriatria nuk është një profesion që zgjidhet nga të rinjtë shqiptarë, ndërkohë nevojat janë në rritje. Pensionet e ulëta dhe mospërshtatja e funksioneve dhe shërbimeve për të moshuarit rrezikon të krijojë një mjedis të vështirë për moshat e treta.
Gjithashtu, të moshuarit hasin më shumë barriera lidhur me aksesin në shërbimet shëndetësore e sociale krahasuar me shumë grupe të tjera të popullatës, përfshirë barriera të lidhura me lëvizshmërinë, informacionin dhe kostot.
Nga ana tjetër, sistemi shëndetësor shqiptar ka shumë nevojë për përmirësimin e kapaciteteve profesionale në fushën e gjeriatrisë dhe gerontologjisë. Humbja e aftësive funksionale, cenimi i lëvizshmërisë e autonomisë dhe sëmundje të rënda kronike kërkojnë shërbime të kujdesit afatgjatë, në nivel spitalor apo jashtëspitalor.
Rreziku më i lartë për probleme të shëndetit mendor, për humbje të aftësive konjitive dhe mendore, shton nevojën për shërbime afatgjata, sidomos në shtëpi, ku një barrë e madhe mbahet nga familjarët, të cilët kanë nevojë për mbështetje
 
Forca e punës në vështirësi, 350 mijë persona më pak nga 2011 në 2023
Ndërmjet dy censevee popullsia në moshë pune 15-65 vjeç është tkurrur me rreth 350 mijë përsona. Tkurrja do të jetë e fortë në vitet në vijim pasi në forcën e punës dominon grup-mosha në prag pensioni mbi 55 vjeç.
Të dhënat paraprake nga rezultatet e cens 2023 tregojnë se popullsia në moshe pune ishte 1,555,080 persona nga 1,903,987 më rënie 18.3% në krahasim me të dhënat e cens 2011.
E ndarë në grupeve moshore, rënien më të madhe të popullsisë në moshë pune e kishin grupmoshat 15 deri në 19 vjeç, të cilat pësuan rënie me 46.8% dhe grupmosha 20-24 vjeç që pësoi rënie me 41%.
Grupet moshore me rënie të fortë në popullsinë në moshë pune ishin 25-29 vjeç me rreth 25%, 40-44 vjeç me 25.6% dhe 45-49 vjeç me 25.4%.
Në të kundërt popullsia në moshe pune në prag pensioni 60-64 vjeç ka pësuar rritje me 48.8% dhe grup-mosha 45-59 vjeç rritje me 9.6%
Si shihet popullsia në moshe pune ne vendin tonë jo vetëm që është reduktuar në mënyre të ndjeshme gjatë një dekade, por është përkeqësuar në strukturë pasi ka një rritje të personave në prag pensioni dhe ulje të ndjeshme në grupet e reja moshore.
Bizneset në të gjithë sektorët vitet e fundit kanë konsideruar mungesën e punonjësve problem serioz, për zgjidhjen e të cilit nuk kanë përvojë dhe as mjete. Ekonomia shqiptare, kurrë më parë, nuk është përballur me këtë fenomen.
Kjo është dekada e parë që ekonomia dhe bizneset duhet të operojë me të panjohurën më të madhe, mungesën e punonjësve.
Në vitin 2011, popullsia në moshë pune (15-64 vjeç) përbënte 68% të popullsisë totale dhe në vitin 2023 përbënte 64% të saj.
Reduktimi i popullsisë në moshë pune do të ulë treguesit e shkallës së dembelizmit në Shqipëri dhe të ndryshojë në mënyrë të konsiderueshme treguesit e punësimit.
Në fund të vitit 2023 ishin të punësuar zyrtarisht 1,243,085 persona në moshën 15-64 vjeç, të cilët përbëjnë 80% të popullsisë në moshë pune.
Tranzicioni drejt një popullsie më të vjetër vihet re edhe në raportet e varësisë. Raporti i varësisë së të rinjve pësoi rënie në 24,0% nga 30,4% vlerësuar në Censin e 2011, dhe raporti i varësisë së të moshuarve pësoi rritje në 30,4% nga 16,7% në 2011.
Analizuar në nivel qarku, Kukësi dhe Gjirokastra mbajnë pozicione të kundërta në termat e raporteve të varësisë. Kukësi ka raportin e varësisë së të rinjve më të lartë (31,8%) dhe raportin më të ulët të varësisë së të moshuarve (19,9%).
Ndërsa Gjirokastra ka raportin e varësisë së të rinjve më të ulët (19,0%) dhe raportin më të lartë të varësisë së të moshuarve (46,1%). Mosha mesatare e popullsisë është 42,5 vite, nga 35,3 vite që ishte në Censin 2011.
Përfaqësuesi i Bankës Botërore, Emanuel Salinas, përllogarit se popullsia shqiptare mund të rrisë me 40% produktivitetin e vet gjatë gjithë jetës, nëpërmjet përmirësimeve në shëndetësi dhe arsim.
Në të vërtetë, që njerëzit të kenë akses në punë më të mira, nuk është thelbësore vetëm të kenë aftësitë dhe njohuritë që kërkohen në ekonomi, por edhe mirëqenie fizike, mendore dhe sociale, u shpreh ai.
Ekspertët ekonomisë mendojnë se për të rritur produktivitetin në një vend me popullsi të vogël dhe të plakur, qeveria duhet të ndërmarrë një sërë politikash që fokusohen në përmirësimin e efikasitetit të punës, rritjen e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore dhe përdorimin e teknologjive të reja.
 
Burimi: INSTAT
 
Burimi: INSTAT
 
Burimi: INSTAT
 
Burimi: INSTAT
 
Burimi: INSTAT
 
Burimi: INSTAT
 
Burimi: INSTAT
 
Burimi: INSTAT
 
Burimi: INSTAT
 
Burimi: INSTAT
 
Burimi: INSTAT
 
Burimi: INSTAT
Burimi