Aksidentet rrugore rriten 47% për janar-maj, por ka më pak humbje jete

Aksidentet rrugore rriten 47% për janar-maj, por ka më pak humbje jete

Numri i aksidenteve rrugore është rritur ndjeshëm në pesë muajt e parë të këtij viti, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT.
Për periudhën janar-maj 2024 ndodhën gjithsej 626 aksidente, me një rritje prej gati 47% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Numri i të vdekurve dhe të plagosurve femra në këto aksidente u rrit me 22% dhe i meshkujve me 59%.
Megjithatë INSTAT raporton se në raport me popullsisë viktimat që kanë humbur jetën janë ulur.
“Gjatë pesë mujorit të parë 2024 vdekshmëria në aksidente rrugore është 10,1 për 100 aksidente, nga 16,9 që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë”.
Në muajin Maj 2024 numërohen 126 aksidente rrugore, nga të cilët 167 janë të aksidentuar (të vrarë dhe të plagosur). Në krahasim me majin e një viti më parë numri i aksidenteve është rritur me gati 33%. Numri i të vdekurve dhe plagosurave femra u rrit me 26% dhe i meshkujve me 21%.
Aksidentet rrugore, në 86,5% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve, në këtë periudhë, është kryer nga grup-mosha 25-34 vjeç, duke zënë 29,4% të numrit të aksidenteve gjithsej.
Në muajin Maj 2024, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur përgjatë ditëve të Enjte dhe të Shtunë me
19,8%, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur përgjatë ditës së Diel, me 7,9%.
Numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur përgjatë harkut kohor 19:00-24:00, duke zënë 20,6% të numrit të aksidenteve rrugore gjithsej./monitor
Burimi