Aferat me paratë e BE-së, shtyhet seanca e masës për Ilir Beqajn

Aferat me paratë e BE-së, shtyhet seanca e masës për Ilir Beqajn

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj doli sot para gjyqtares Rudina Palloj, pasi prokurorja Elida Kaçkini kërkoi masën “arrest me burg” ndaj ish-ministrit.
Seanca për verifikimin e kushteve të masës nisi në orën 09:30 në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, por u shty pasi avokatët kërkuan kohë të njihen me dosjen.
Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj u arrestua mëngjesin e së enjtes në Tiranë me urdhër të SPAK.
Hetimet që e çuan në pranga lidhen me disa procedura prokurimi të kryera nga Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), të cilën ai e drejtoi që nga themelimi, detyra e së cilës ishte menaxhimi më me efikasitet i fondeve të donatorëve, të cilat përfunduan, besohet, në xhepat e tij.
Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit njoftoi të enjten se ka kërkuar dhe marrë miratimin e gjykatës për masë sigurie arrest me burg për Beqajn si dhe masa të tjera sigurie për bashkëpunëtorët e tij të dyshuar, ndërsa gjatë kontrolleve të kryera në zyra dhe biznese, u sekuestruan 47 mijë euro dhe 700 mijë lekë.
“Personi nën hetim I.B. (Ilir Beqaj) në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të SASPAC-ut duke vepruar si urdhërues në bashkëpunim me personin nën hetim E.K., i emëruar nga vetë personi nën hetim I.B. në datën 26.05.2022 si koordinator i zyrës ‘Facility Point’ për projektin EUSAIR, në SASPAC, përgjatë viteve 2022-2023 dyshohet se kanë kryer procedura prokurimi fiktive në kundërshtim me rregullat,” thuhet në njoftimin e SPAK.
“Të paktën tetë shërbimet e prokuruara në kuadër të eventeve: “Mbi organizimin e Konferencës FESTA (E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri”, si dhe “Konferenca e Energjitikës”, organizuar në vitin 2023 nuk i janë nënshtruar një procedure prokurimi të rregullt, por fituesi është dakordësuar dhe përcaktuar shumë më para se të realizohet procedura e prokurimit, e cila është kryer në mënyrë fiktive më pas, për efekt dokumentacioni dhe pagese,” vijon më tej njoftimi.
SPAK thotë se në një rast, një procedurë prokurimi për një konferencë mbi turizmin duket se është paguar veçmas nga SASPAC dhe veçmas nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, pavarësisht se ishte e njëjta. SASPAC pagoi te një kompani tregtare 125 mijë euro ndërsa ministria pagoi 38.5 milionë lekë, ku pagesa e parë u justifikua si organizim i një konference me titull E ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri ndërsa në rastin e dytë, u quajt Festa. SPAK nënvijëzon se i vetmi shërbim real ishte një darkë me vlerë 4.1 milionë lekë shtruar te “Gzona”.
Prokuroria thotë se Beqaj do të duhet të përgjigjet para prokurorëve edhe për deklarim të rremë të pasurisë, pasi dyshon se ai është pronar de facto i restorantit në fjalë.
“Personi nën hetim I.B. dyshohet se ka kryer deklarim të rremë mbi pasurinë e tij nga viti 2020 e në vazhdim, pasi ka fshehur interesat pasurore të tij mbi restorantin “Gzona” me adresë pranë Kalasë Tiranë, që nga krijimi e deri në vazhdim. Pavarësisht se bashkëshortja e tij ka figuruar de jure ortake në masës 15% në këtë shoqëri deri në vitin 2020 duke i dhuruar më pas kuotat e saj ortakut tjetër, ortak ka qenë në fakt vetë personi nën hetim I. B., i cili ka vijuar si i tillë edhe përgjatë kohës që drejtonte SASPAC-un,” thuhet në njoftimin e SPAK.
“Personi nën hetim I.B. dyshohet të ketë investuar në vitin 2019 në shoqëri të paktën shumën prej 21.411 euro dhe 4.666.110  lekë, në formën e blerjeve të pajisjeve (aseteve) dhe në shumën 34.783 Euro në formën e shpenzimeve si qira e të tjera, duke mos i deklaruar ato si hua ndaj shoqërisë. Interesat pasurore të tij mbi këtë restorant i ka ushtruar nëpërmjet personit nën hetim E. K., i cili ka administruar ato, duke qenë i punësuar në këtë restorant që nga krijimi i tij, por pa qenë i deklaruar si i punësuar pranë organeve tatimore,” shkruhet më tej në njoftim.
Burimi