A u dha leja për tu betuar Beleri si eurodeputet? Drejtoria e Burgjeve konfirmon/ Dule: Të hënën…
Fredi Beleri, i dënuar në Shqipëri për blerje votash, u zgjodh në Greqi rreth një muaj më parë si eurodeputet. Por teksa ndodhet në burg në Shqipëri, Beleri ka kërkuar leje që të marrë pjesë në mbledhjen e Parlamentit Europian më datë 15 korrik.
Megjithëse mediat greke thotë se Beleri ka marrë leje për tu betuar, burime për Shqiptarja.com nga Drejtoria e Burgjeve konfirmuan se leja nuk i është miratuar akoma.
‘Nuk është miratuar akoma, ka bërë kërkesë, por nuk është firmosur akoma.’- thanë burime nga drejtoria e Burgjeve për gazetaren Keti Banushi.
Pak më vonë, burime nga drejtoria e burgjeve i konfirmuan gazetarit të Top Channel Muhamed Veliu se është miratuar leja që ai të udhëtojë e të bëjë betimin pasi nuk ka ndonjë pengesë ligjore tashmë që ka marrë një dënim të formës së prerë. Pritet që Beleri të udhëtojë drejt Strasburgut të hënën.
Mediat greke shkruajne se Beleri do të fluturojë të hënën në mëngjes për në Athinë dhe më pas do të shkojë në Strasburg, për të marrë detyrën si deputet i Parlamentit Evropian gjatë seancës hapëse plenare.
Më 10 qershor Fredi Beleri, u zgjodh eurodeputet në Greqi. ku mori 237 mijë vota dhe ishte eurodeputeti i katërt më i votuar në shtetin helen, ndërsa po i katërti rezulton edhe në listën e 7 deputetëve të dalë nga lista e partisë së kryeministrit Mitsotakis, Demokracia e Re.
Ndërkohë, kreu i PBDNJ, Vangjel Dule tha për News 24 se leja është miratuar.
Ky është një rast i paprecedentë kur një i dënuar me formë të prerë do t’i duhet të lërë qelinë nga një burg shqiptar, e të udhëtojë jashtë vendit.
Do të jetë komisioni i lejeve në drejtorinë e përgjithshme të burgjeve ai i cili do të vendosë për modalitetet e sigurisë të udhëtimit.
Nëse do të shoqërohet Beleri nga punonjës të policisë së burgjeve shqiptare apo do të jetë policia e Strasburgut ajo e cila do ta presë në aeroport e përsëri do ta çojë në aeroport për kthim në Shqipëri kjo nuk është vendosur ende.
gijotina.com/
Burimi