A ka vdekur Faton Hajrizi? Gërvalla: Nuk e dimë të gjithë të vërtetën
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Donika Gërvalla, ka thënë ende nuk është verifikuar nga autoritetet në Prishtinë se Faton Hajrizi është vrarë në Serbi.
Gërvalla ka thënë se mostra e shenjavë të gishtërinjëve që u dërgua nga Serbia, pas verifikimit në Kosovë u konstatua të jetë e Faton Hajrizit, duke shtuar se “nuk kemi asnjë garancë që bëhet fjalë as për personin e vrarë dhe as për ndonjë prej pretendimeve të tjera”.
“Ne kemi qenë shumë këmbëngulës në kërkesën që trupi i personit të vrarë, kushdo që të jetë ai, t’I kthehet familjes për t’u varrosur në Kosovë. Kemi shpërndarë të gjitha informacionet në kohë me të cilat kemi mundur të pajisjemi gjatë kësaj kohe. Kemi pasur një mostër të shenjave të gishtërinjëve të një personi, i cili pas verfikimit në Kosovë është konstatuar të jetë qytetari i Kosovës, Faton Hajrizi, mirëpo nuk kemi asnjë garancë që bëhet fjalë as për personin e vrarë dhe as për ndonjë prej pretendimeve të tjera”, ka deklaruar Gërvalla.
Gërvalla tha se gjithçka që ka ndodhur në Serbi është ende e paqartë.
“Deri tani gjithçka ka ndodhur në Serbi është në mjegull. Nuk mund t’i themi qytetarëve tanë që kemi informacione të sakta, mirëpo nuk fshehim asnjë prej informacioneve që kemi marrë sepse dëshirojmë që edhe qytetarët dhe mediat të jenë po aq të inforuarr ose të painformuar sa janë edhe institucionet. Pra deri tani kjo është gjendja, pa dashur të paragjykojë asgjë që ka ndodhur në Serbi sepse jam shumë e sigurtë që nuk e dimë të gjithë të vërtetën dhe prandaj të presim se si do të rrjedhin”, ka thënë Gërvalla.
Kryediplomatja deklaroi se kanë kërkuar ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare për zbardhjen e së vërtetës për këtë rast.
“I kemi bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, u kemi bërë thirrje edhe misioneve diplomatike, edhe misionit të BE-së në Beograd që të na ndihmojnë në sqarimin e kësaj çështje, në zbardhjen e së vërtetës, mirëpo nuk mund t’ju jap me shumë siguri dhe me asnjë garancë informacione përtej asaj çfarë kemi deklaruar deri tani”, ka shtuar ajo.
Ndryshe, Kryeministri Albin Kurti e filloi mbledhjen e të mërkurës të Qeverisë, duke u marrë me rastrin e Faton Hajrizit. Ai tha se duhet bërë një hetim kombëtar dhe ndërkombëtar për të zbardhur të vërtetën mbi vrasjen e policit serb.
Burimi