Zona e mbrojtur Pashtrik-Morinë do shpallet Park Kombëtar kategoria IV

Zona e mbrojtur Pashtrik-Morinë do shpallet Park Kombëtar kategoria IV

Zona e mbrojtur Pashtrik-Morinë, pjesë e Prefekturës së Kukësit, do të shpallet Park Kombëtar i kategorisë IV.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka publikuar një plan për këtë nismë, e shoqëruar nga një listë dokumentesh, si dhe argumentet se pse kjo zonë do të kalojë në këtë status pas propozimit të Prefektit.
“Pashtriku është një mal që gjendet në Kosovë dhe në Shqipëri, me lartësi 1,986 metra. Përgjatë këtij mali kalon Lumi i Drinit të Bardhë në Kosovë. Dy të tretat e malit i përkasin Shqipërisë. Pashtriku ndodhet në verilindje të Shqipërisë, ndërsa fshati Krumë është i pozicionuar në krah të tij. Pjesa tjetër, pra një e treta e malit është në Kosovë, në pjesën jugperëndimore të Kosovës, e cila është dhe park natyror.
Kjo iniciativë është ndërmarrë që në vitin 2016 me idenë e shpalljes në të dy anët e kufirit si park natyror ndërkufitar”, – thuhet në dokument.
Ky territor lidh tre zona të rëndësishme ekologjike në Shqipëri siç janë Parku Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”, Parku Nayror “Munella” dhe Parku Natyror “Korab – Koritnik”.
Kjo zonë përfaqëson një pasuri të madhe si në florë dhe në faunën që e përkufizon të cilat parashtrohen gjerësisht në dokumentet e autoriteteve madje Pashtriku plotëson kriteret e nevojshme që e bëjnë të mundur klasifikimin në kategorinë e Parkut Kombëtar.
a) të ketë diversitet të lartë të llojeve dhe/ose të habitateve (në zonën e Pashtrikut gjenden pyjet e dushkut, pyjet e ahut, pishës së zezë dhe kullotat alpine, të cilat janë strehë për gjitarët e mëdhenj);
b) Në këtë zonë ka shumë bimë endemike dhe specie në rrezik zhdukje të cilat pasqyrohen në studim;
c) Gjithashtu, zona e Pashtrikut ka një trashëgimi kulturore dhe historike të pasur;
d) Zona ka rrezikshmëri të lartë të kërcënohet nga ndërhyrjet e veprimtarive njerëzore siç janë minierat dhe aktivitete e tjera ekonomike që mund të dëmtojnë këto specie.
“Si në nivelin global nëpërmjet Konventës së Biodiversitetit ashtu dhe në nivelin Evropian, nëpërmjet strategjisë post 2020 për biodiversitetin është marrë angazhimi që deri në vitin 2030 sipërfaqja e zonave të mbrojtura të vendit, të arrijë në 30 % të territorit të vendit.
Studime të ndryshme të kryera ndër vite në vendin tonë, kanë evidentuar një numër zonash dhe ekosistemesh natyrore të tipologjive të ndryshme (malore, ligatinore, detare), që për nga vlerat e natyrës e të biodiversitetit që kanë, mund të shpallen zona të mbrojtura mjedisore. Një zonë të tillë përbën edhe ekosistemi natyror i zonës Pashtrik – Morinë” thuhet në dokumentin e publikuar nga Ministria.
Monitor
Burimi