U zgjodh eurodeputet, Fredi Beleri kërkon të marrë pjesë në seancën e parë të PE
Ish-kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri ka kërkuar të marrë pjesë në seancën e parë të Parlamentit Europian. Sipas raportimeve Beleri i ka drejtuar një kërkesë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të lejuar pjesëmarrjen e tij fizikisht në mbledhjen e Parlamentit Europian që do të mbahet më 15 korrik. Beleri është një nga eurodeputetët e “Demokracia e Re”, partisë së kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, në Parlamentin Europian, pjesë e grupimit të EPP-së.
Beleri, do të qëndrojë në burg deri në tetor, pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit në Shqipëri, e cila gjykoi çështjen e tij në shkallë të dytë në Tiranë. Gjykata vendosi të lërë në fuqi dënimin fillestar prej 24 muajsh. Ai u dënua si në shkallë të parë ashtu edhe në shkallë të dytë për korrupsion aktiv. Nëse vendimi i apelit ia ul dënimin në 20 muaj ose më pak, atëherë ai do të lirohej menjëherë.
Ndërkohë më 5 korrik Beleri u shkarkua edhe si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës, pasi KQZ vendosi t’i heqë mandatin. Atë ditë, Beleri, i pranishëm në mbledhje, por dhe mbrojtësit e tij, mbështetën idenë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mund të shprehej për këtë rast, pa një vendim të Qeverisë që e shkarkonte atë nga detyra. Por sipas kreut të KQZ, Ilirjan Celibashi, vendimi mbështetej në të ashtuquajturin Ligj të Dekriminalizimit. Me urgjencë, Qeveria kërkoi më pas shpalljen e zgjedhjeve të reja në Himarë, nga presidenti, i cili po ashtu me shpejtesi dekretoi 4 gushtin si ditën e votimit.
j.l./ dita
Burimi