Tensionet në Kuvend, Ambasada Amerikane: Nxisim palët të ushtrojnë vetëpërmbajtje

Tensionet në Kuvend, Ambasada Amerikane: Nxisim palët të ushtrojnë vetëpërmbajtje

Ambasada Amerikane ka reaguar pas tensioneve të ditës së kaluar në Kuvend. Me anë të një postimi në Facebook, ambasada thekson se është e shqetësuar për shkatërrimin dhe forcën e shpalosur gjatë seancës së djeshme plenare.
Po ashtu ambasada thekson se palët e përfshira duhet të ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe të angazhohen në dialog konstruktiv.
Postimi i plotë:
Ambasada e SHBA është thellësisht e shqetësuar për shkatërrimin dhe forcën e shpalosur në parlamentin shqiptar të hënën. Akte të tilla dëmtuese dhe potencialisht lënduese nuk kanë vend në procesin demokratik. Nxisim të gjitha palët e përfshira të ushtrojnë vetëpërmbajtje, të angazhohen në dialog konstruktiv si dhe të përqafojnë vlerat e respektit dhe qytetarisë. Mbështesim diskutimet paqësore dhe bashkëpunuese lidhur me negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE si dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë krah institucioneve shqiptare teksa punojnë për ta sjellë Shqipërinë më pranë bashkësisë euro-atlantike.

Çfarë ndodhi dje?
Burgosja e deputetit Ervin Salianji ka risjell kaos në jetën parlamentare dhe politike në vendin tonë. Në hapje të seancës plenare nga kryetarja e Kuvendit, deputetët demokratë u mblodhën rreth foltores, ndërsa pjesa ku ulen ministrat u rrethua nga punonjësit e Gardës. Ndërkohë teksa Spiropali po lexonte vendimin për heqjen e mandatit të Salianjit, në një moment deputeti dhe kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi hodhi këmbën e karriges, e cila kaloi mbi kokën e kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali. Pas kësaj, opozita nxorri jashtë karriget e tyre dhe iu vunë flakën. Kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi tha se janë aty jo për karriget e tyre por për të mbrojtur interesin publik. Ai shtoi se nuk kanë djegur mandatet, pasi nuk shmangen nga beteja e tyre.
 
j.l./ dita
Burimi