“Të mundësohet takimi me mjekë”, Berisha kërkon lehtësimin e masës së sigurisë
Avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha, Genc Gjokutaj, ka depozituar një tjetër kërkesë në Gjykatën e Lartë, për zbutje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Në kërkesën e depozituar në Gjykatë, avokati i ish-kryeministrit kërkon ndryshimin e masës së sigurisë, me argumentin se kërkon të takohet me klientin e tij, për të përgatitur një mbrojtje efektive përpara gjykatave të brendshme të vendit dhe përpara Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe t’i mundësohet takimi me mjekë në rast nevoje.
Kjo është hera e parë që depozitohet një kërkesë e tillë nga mbrojtja e Berishës.
Margarita Buhalli është gjyqtarja e cila do shqyrtojë dy kërkesat këtë të enjte.
Ndërkohë paralelisht me seancën në Gjykatën e Lartë, mbahet në Gjykatën e Posaçme një tjetër seancë për revokim të masës së sigurisë si dhe për informacion 2 mujor.
Pritet që Prokuroria e Posaçme t’i komunikojë avokatëve zgjatjen ose përfundimin e hetimeve për dosjen e privatizimit të ish kompleksit sportiv “Partizani”.
Berisha është lënë në masën e sigurisë “arrest në shtëpi” me vendim të gjyqtares Irena Gjoka në datë 30 dhjetor të vitit 2023.
j.l./ dita
Burimi