“Të ëndërrosh se do shkosh në Botëror të jep energji”, Sylvinho: Grup i vështirë, të gabojmë sa më pak
Eliminatoret e Botërorit “SHBA-Meksikë-Kanada 2026” kanë marrë formë, teksa ka përfunduar shorti i grupeve, me Shqipërinë që ka përfunduar në një grup “ferri” me Anglinë, Serbinë, Letoninë dhe Andorra.
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho ka komentuar këtë grup të vështirë, duke thënë se skuadra kuqezi duhet të gabojë sa më pak për të arritur ëndrrën “Botëror”.
“Fillimisht, e kam thënë më shumë se një herë, ambiente të tilla janë diçka e bukur. Nga vazoja e tretë ishte e parashikuar, dy skuadra shumë të forta, më pas ne në vazon e tretë dhe dy ekipe nga vazoja e katërt dhe e pestë. Është një grup i fortë dhe i vështirë. Sot futbolli nuk është i lehtë.
Të gjitha skuadrat e njohin mirë njëra-tjetrën. Me teknologjinë, mund të shikosh gjithçka. Është një grup për t’u luajtur, për t’u luftuar dhe për të shkuar deri në fund, sepse është i bukur. Të ëndërrosh se mund të shkosh në Botëror të jep shumë energji.
Gjithçka është shumë e shpejtë, nuk ka shumë kohë. Sa më pak të gabosh, aq më shumë shanse ke për të ecur përpara. Nga sot fillojmë nga zero. Të gjitha skuadrat mendojnë të shkojnë përpara, kjo është një ëndërr për shumë ekipe. Ne ëndërrojmë, por duhet të gabojmë sa më pak nëse duam të ecim përpara.
Mendimi i parë është ky, nëse gabon pak, ka mundësi të ecësh përpara, të arrish atje dhe pastaj, në tetor-nëntor, të kesh një mundësi për të shkuar në Botëror. Është një grup i vështirë, si shumë të tjerë, por duhet të luftojmë dhe të gabojmë sa më pak të jetë e mundur”, u shpreh Sylvinho në prononcimin e tij për FSHF.
i.b./dita
Burimi