Të ardhurat e euro-deputetëve, TI: 74% bëjnë punë të tjera në konflikt interesi
Tre çereku i euro-deputetëve bëjnë një jetë të dyfishtë. Sipas një analize të publikuar të enjten nga Transparency International, 74 për qind e ligjvënësve bëjnë punë të tjera, duke siguruar të ardhura shtesë.
“Në total, nga aktivitetet fitimprurëse ne kemi konstatuar 6.3 milionë euro, shifër që mund të konsiderohet thelbësore. Gjithashtu kemi gjetur deri në 14 euro-deputetë që fitojnë më shumë nga aktivitetet e tjera sesa paga si ligjvënës”, deklaroi Raphaël Kergueno, Transparency International:
Anëtarë të Parlamentit nga e djathta dhe qendra ka gjasa të kenë më shumë punë dytësore sesa kolegët e së majtës. Ata gjermanë, rumunë dhe francezë deklarojnë të ardhurat më të larta.
Nga 1.700 aktivitete të renditura, shumica përfshijnë pjesëmarrje në kompani apo OJQ. Ndonjëherë, euro-ligjvënësit kryejnë aktivitete të lidhura me kompani ligjore apo këshilluese. Për Transparency International, kjo përbën konflikt interesi.
“Ne duhet t’i ndalojmë të gjitha aktivitetet që mund të kenë impakt tek politikat publike evropiane, apo që mund të preken nga politikat evropiane. Kjo është mënyra e vetme për parandalimin e konfliktit të interesit. Deklaratat duhet gjithashtu të jenë të verifikueshme nga Parlamenti Evropian, ose nga një strukturë e jashtme, që të kontrollojë në mënyrë të pavarur administratën”, deklaroi Kergueno.
Aktivitetet paralele nuk janë ilegale dhe ligjvënësit theksojnë se ato janë të nevojshme për ruajtjen e lidhjeve me realitetin jashtë sallës së Parlamentit. Gjithashtu, ata thonë se nuk ka konflikt interesi me detyrën e tyre të përditshme.
i.b./dita
Burimi