Tatimet nisin kontrollin për 7 mijë biznese që nuk reflektuan për pagat

Tatimet nisin kontrollin për 7 mijë biznese që nuk reflektuan për pagat

Drejtoria e Tatimeve njofton se Aksioni kundër informalitetit të pagave ka hyrë në fazën përfundimtare. Sipas njoftimit, Kontrolli do të nisë për 7,000 tatimpagues të identifikuar me risk, të cilët nuk kanë reflektuar as pas njoftimit të dytë të Administratës Tatimore.
Tatimet kanë ftuar bizneset të deklarojnë pagat reale të punonjësve të tyre! Nëse deklarimi i pagave reale bëhet tani, duke korrigjuar deklaratën e muajit nëntor, subjektet e identifikuara me risk do të përjashtohen nga kontrolli tatimor, thuhet në njoftim.
Në fillim të muajit tetor Administrata Tatimore u nisi subjekteve një mesazh sensibilizues, në kuadër të nismës së Qeverisë Shqiptare, për hartimin e një Plani Kombëtar që garanton pagesën e Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore për pension të sigurt në të ardhmen.
Tatimet njoftuan se, do të vlerësojnë, analizojnë, evidentojnë dhe trajtojnë të gjitha rastet e fenomeneve dhe tatimpaguesve me risk në këtë fushë. Ajo do të monitorojë të dhënat që vetë subjektet deklarojnë, do të kryqëzojnë informacionin nëpërmjet sistemeve informatike që disponon, si dhe me palë të treta për çdo informacion që lidhet me punonjësit.
Njoftimi iu nis si “pop-up” në sistem rreth 130 mijë tatimpaguesve në Republikën e Shqipërisë, të regjistruar deri në fund të shtatorit 2024.
Në një shkresë të dytë në nëntor, Drejtoria e Tatimeve, dërguar tatimpaguesve në sistemin e tyre E-filing i ka paralajmëruar 37.5 mijë subjektet që janë konsideruar me risk, pasi dyshohet që nuk deklarojnë pagat reale të punonjësve të tyre, që të reflektojnë deri në datën 20 nëntor.
Pjesa më e madhe e bizneseve kanë reaguar pozitivisht duke reflektuar saktësi në deklaratat e listëpagesave të tyre gjatë tetorit dhe nëntorit.
Tatimet paralajmëruan se subjektet me risk do të jenë objekt kontrolli dhe monitorimi të vazhdueshëm në periudhën në vijim. Tashmë për këto subjekte, që janë reduktuar në 7 mijë, do të fillojë kontrolli.
Monitor
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente