Sot seancë plenare në Kuvend, PD me 24 deputetë të përjashtuar, PS vijon aktivitetin

Sot seancë plenare në Kuvend, PD me 24 deputetë të përjashtuar, PS vijon aktivitetin

Seanca plenare e radhës në Kuvend do të mbahet sot në orën 10:00 teksa priten zhvillime për shkak të aksionit opozitar që Partia Demokratike ka marrë pas dënimit dhe burgosjes me një vit të Ervin Salianjit për akuzën e ‘kallëzimit të rremë’. Po sot hyn në fuqi vendimi i sekretariatit të etikës që përjashtoi 24 deputetët e PD-së nga aktiviteti parlamanetar si masë ndëshkimore për djegien e karrigeve, kaosin dhe hedhjen e këmbës së karrigeve dhe sende të tjera drejt kryetares së Kuvendit dhe ministrave.
Ndëshkimin më të madh e kanë sekretari i Përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka, e deputeti demokrat Bledion Nallbati me 60 ditë përjashtim nga punimet e Kuvendit. Dy muaj përjashtim ishte edhe për kryetarin e grupit të PD-së, Gazment Bardhi. Ndërsa për 20 deputetët e tjerë u dha përjashtim 40 ditë. Deuteti Edi Palokën u përjashtua me 10 ditë kalendarike nga jeta parlamentare.
“Sa i takon seancës së nesërme grupi ka vendosur të bëjë gjithçka për të mos lejuar normalitet në seancën e nesërme”, tha kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi dje.
Ndërkohë PS është shprehur se do të vijojë aktivitetin e saj parlamentar sipas axhendës së përcaktuar.
Seanca plenare, rendi i ditës:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 30.9.2024.2. Njoftime.3. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë mbi bashkëpunimin teknik 2022 për projektin “Programi për një zhvillim urban rezistent ndaj ndryshimeve klimatike në Shqipëri4. Projektvendimi “Për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor nga radhët e përfaqësuesve të shoqërisë civile sipas ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, raundi i dytë.5. Projektvendimi “Për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga radhët e përfaqësuesve të shoqërisë civile sipas ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, raundi i dytë.6. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
 
j.l./ dita
Burimi