Rriten pensionet në tetor, ministri e konfirmon: Vlera e rritjes në 4.1 përqind

Rriten pensionet në tetor, ministri e konfirmon: Vlera e rritjes në 4.1 përqind

Në mbledhjen e kësaj të mërkure, qeveria ka miratuar rritjen e pensioneve me 4.1% .
Kjo u konfirmua nga Ministri i Kulturës, Ekonomisë dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe, i cili tha se janë mbi 791 mijë pensionistë, që përfitojnë.
Ministri theksoi se për zbatimin e këtij vendimi, vetëm në tre mujorin e fundit të 2024, do duhet një fond rreth 17 milionë euro.
“Ndaj me ju sot vendimin e qeverisë së Shqipërisë ë për indeksimin vjetor të pensioneve në masën 4.1 %, që nis me pagesat e muajit tetor 2024. Nga ky vendim përfitojnë 791 257  pensionistë. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendim janë rreth 17 milionë euro vetëm për tre muajt e vitit 2024. Dihet që synimi kryesor i indeksimit është të ruajmë fuqinë blerëse të pensioneve kundrejt rritjes së çmimeve dhe efekteve të inflacionit. Qeveria i ka në vëmendje të veçantë dhe është sfidë e jona për të garantuar që të kemi rritje të ardhurave të pensionistëve dhe të kemi një jetë sa më të denjë për ta”, theksoi ministri.
Ky vendim fillon efektin nga 1 tetori. Pensionet e skemës urbane mesatare do të rriten me 752 lekë, kurse ato rurale në vlerën e 453 lekëve.
Pa specifikuar shifër, ministri shtoi se edhe bonusi i fundvitit për pensionistët do të jetë më i lartë se vitet e tjera.
Ai konfirmoi se nga mesi i muajit tetor do të nisin konsultimet për rishikimin e skemës së pensioneve.
“Po përqendrohemi tek barazia mes profesioneve me të ardhura të njëjta. Synim është që të shohim nivelet dhe kategoritë e çfarëdolloj pensioni, që janë në një nivel sot, për shkak të skemës dhe kontributeve të tyre që në mënyrë të ligjshme të përcaktuara ndër vite kanë atë nivel të ardhura, dhe duhet të ndërhyjmë për ato kategori që i vë ata në vështirësi për përballimin e nevojave bazë të jetës dhe duhet të jetë në proporcion me nevojat që kanë. Po mundohemi të rrisim të ardhura në përgjithësi por ka shumë rëndësi tregu i punës, formalizimi, paga e të ardhurave. Po punojnë që të kemi një rritje të shpërndarjes së mirëqenies”, shtoi Gonxhe.
 
j.l./ dita
Burimi