Rezistenca shpirtërore dhe liria e fjalës! Për romanin “Gruaja në të zeza” të Bedri Islamit

Rezistenca shpirtërore dhe liria e fjalës! Për romanin “Gruaja në të zeza” të Bedri Islamit

Nga Namik Dokle
Shënime për romanin “Gruaja në të zeza” të shkrimtarit Bedri Islami
 
“ Ke lejen e fjalës!”- i tha prokurori.
“ Por jo lirinë e fjalës!”- u pëgjigj Musine Kokalari. Dhe po të vazhdonte, me siguri do të shtonte që nuk jam e lirë të flas, nuk jam e lirë të marrë frymë, të dua atë çka dua, të urrej atë që urrej, të shkruaj atë që më thotë shpirti, të këndoj kur më këndohet, të qajë kur më vjen për të qarë, të pështyj atë që meriton të pështyhet, e pra, nuk kam lirinë e jetës. Por ajo nuk mundi t’i thotë këto fjalë sepse i prangosën gjithçka, fjalën dhe shpirtin.
Në vend të saj dhe të qindra grave, të veshura në të zeza, ka folur shkrimtari Bedri Islami, në romanin e tij të ri. Që në hapje të romanit, me shënimin nistor, autori na paralajmëron se nëqoftëse “ disa nga ngjarjet dhe personazhet e këtij romani u kujtojnë ngjarje dhe persona realë, asgjë nuk është e rastësishme.”; krejt ndryshe nga shumë libra të tjerë, ku, rëndom shkruhet se çdo gjë është e rastësishme. Dhe kjo të kujton thënien e Gabriel Garcia Markesit, që realiteti i jetës, shumë herë, e kapërcen fuqinë e imagjinatës më të zhvilluar. Për më tepër, kur bëhet fjalë për realitete të jetëve të shkatërruara nga diktatura, të individit të nëpërkëmbur, të shtypur e të vrarë nga një pushtet antinjerëzor.
Shekujt e kaluar kanë qenë kohë të shtetit dhe të pushtetit. Pas rënies së Murit të Berlinit, një plejadë njerëzish të shquar ndërmorrën një projekt të shumëndërruar: ta kthejnë shekullin që po jetojmë në shekull të njeriut, në shekull të individit të lirë pëballë represionit të shtetit. Në këtë projekt janë të përfshirë edhe intelektualë të shquar shqiptarë, media, organizata, shkrimtarë dhe gazetarë. Tashmë, mund të themi që shumë autorë, Ismail Kadare ndër të parët, kanë krijuar dhe vazhdojnë të krijojnë, veçmas në prozën e gjatë, vepra me vlerë që zbërthejnë mekanizmin çnjerëzor të represionit, fuqinë e rezistencës shpirtërore kundër tij dhe shprehin aspiratën njerëzore të individit.
Pa dyshim, edhe shkrimtari Bedri Islami, me disa prej librave të tij, bën pjesë në këtë lloj letërsie, që kontribuon në shterpëzimin e mitrës që polli represionin dhe prangosjen e lirisë në shumë vende, veçmas në Shqipëri. Ai, siç vëren edhe studiuesi Bardhosh Gaçe, “ është njëri nga autorët interesantë në kulturën shkrimore, historike dhe publicistike shqiptare, pasi jeta dhe krijimtaria e tij lidh nyje të rëndësishme të letërsisë dhe të kohës, simbolikën dhe etapat historike shqiptare.” Në këtë kurorë librash bën pjesë edhe romani i tij “Gruaja në të zeza”.
Autori, me ndërgjegje dhe, madje, me përkushtim, ka marrë riskun dhe ka vënë në qendër të romanit jetën e disa “grave në të zeza”, të sjella drejtpërdrejt nga jeta, nga jeta e tyre dhe jo e dikujt tjetër, as me mjetet e imagjinatës dhe, aq më pak të fantazisë. Është risk sepse, ndaj një jete reale, mund të ketë edhe perceptime të përkundërta, siç ndodh rëndom, mund të prekë, sado pak, tharmin stilistik të veprës, mund të ndërfutet me tepri publicistika. Por Bedri Islami, duke kapur vetëm disa kulme të tragjedisë së grave në të zeza, qofshin ato nëna, bashkëshorte, bija, apo motra, ka mundur ta shmang këtë risk. Dhe mësë shumti e ka shmangur me ndërfutjen e dy të rinjve, të cilët, me kurreshtjen interesante, me dashurinë që ka nisur të buthtojë në kopështin e pafajsisë së tyre, me grackat që mund t’u ngrehë e kaluara, i japin romanit një frymëmarrje dhe dritë të mirëpritur nga lexuesi. Ata na i afrojnë Bule Bardhën, Musine Kokalarin, Drita Gjylbegun e disa të tjera “gra në të zeza”, me ndjeshmëri të jashtëzakonshme, me dhembje e dashuri, me një dëshirë sublime që tragjedi të tilla të mos përsëriten, duke nënvizuar edhe përgjegjësinë, së paku morale, të brezave të sotëm.
Në portat e Ferrit të Dantes shkruhej:” Lini çdo shpresë, ju që hyni (këtu)” Në “ferrin” që përshkruan Bedri Islami është edhe më zi. Krejt lehtësisht e flaknin njeriun nga jeta, si të marrosur dhe me afsh ndillnin greminën për tjetrin, ngopeshin me torturën ndaj të pafajshmit, krenoheshin me plumbin e fundit që qëllonin të pushkatuarit, ngazëlleheshin me vuajtjen e të internuarve. Aq vrasje makabre sa të duket se vetë njeriu e ka krijuar vdekjen, shkruan autori. Deri aty, sa edhe Stalini “këshillon” Enver Hoxhën: Mos vrisni kaq shumë njerëz! E megjithatë, “gratë në të zeza” të Bedri Islamit, rezistojnë, rezistojnë shpirtërisht, me ndjeshmëri tejet njerëzore, me fuqinë që u jep e drejta, e vërteta, ëndrra, dashuria humane përballë krimit çnjerëzor. Aq sa ato, të brishta e të sinqerta, vënë në siklet edhe mekanizmin gërryes të represionit. “ E dini,- thotë një nga përfaqësuesit e tij, kur Drita u lë teserën e partisë mbi tavolinë dhe nuk tradhëton burrin e saj të vrarë, – sado që të mundohemi ne, tani, nuk mund ta zhbëjmë atë që bëri kjo grua, sot, në këtë sallë, para nesh. Sado që të mundohemi të zhbëjmë ndodhinë, nuk mundemi, sepse, që nesër, të gjithë do e dinë se një njeri, një grua, e mohoi partinë për njeriun e saj.”
E rëndësishme është se në narrativën e romanit, autori arrin që drama e një familjeje, e një gruaje, të përjetohet si dramë e një vendi dhe e një populli të tërë. Duket se i gjithë mjerimi i nënave është mbledhur aty dhe ka shkaktuar një dhimbje aq të madhe, saqë do të kishte qenë e mjaftë për pikëllimin e pafund të njeriut. Në portretin e Bule B. ka vetëm një fjalë, një shenjë, një kumt: vuajtje. Ose më saktë, një truç vuajtjesh, të mbledhura e të lidhura varg, njëra pas tjetrës, hedhur si lak mbytës në fytin e vetëm një njeriu dhe që, megjithatë, nuk është vetëm një njeri, por një shumësi njerëzish. Dhe Bule B. në luftën e saj për të shpëtuar tre djemtë, pasi ka humbur të katërtin, kërkon, edhe në emër të shumëkujt tjetër, t’i ikë shkretëtirës, të gjejë dritë në terrinë, të gjejë jetë në planetin e vdekjes. Duhet ta bënte këtë ose të vdiste, duhet ta bënte për fëmijët e saj, të cilët u bënë burra, pa patur fëmijëri, njohën hallet, pa njohur gëzimin, dëgjuan gjëmën e vdekjes, pa njohur jetën. Dhe ajo nënë triumfoi mbi vdekjen, shpëtoi fëmijët dhe veten nga Ferri .
Ndërkohë, Musine Kokalari, motër e dy vëllezërve të pushkatuar dhe vetë e burgosur, bën analizën brilante, që buron nga mençuria dhe humaniteti i saj. “ Komunizmi, thotë ajo, është një ide që të kall datën, por që për shumëkënd, tani, duket se është drita e botës. Atë e besojnë, pa e ditur se çfarë është dhe ku do t’i shpjerë. Ndërsa ne nuk e besojmë, edhe pse e dimë se çfarë jemi… Kumti i komunizmit ka ardhur dhe, bashkë me të, fatkeqësia e Shqipërisë.” Ajo e di mirëfilli se mjerimi i shtyn njerëzit drejt revolucionit dhe revolucioni i mban në mjerim!
Shkrimtari Bedri Islami i do personazhet e tij, komunikon shumë sinqerisht me ta, vuan bashkë me ta, përpiqet të ndjekë besnikërisht udhën e tyre dhe, nganjëherë, t’u bëj dritë në terrinë. Nuk mund t’i ik ngasjes për të cituar portretin rrezëllitës që ai jep për njerën nga heroinat e tij:
“ Ajo që të bën përshtypje te Musine Kokalari janë sytë. Përmes tyre mund të depërtosh në thellësitë më të mëdha të shpirtit. Në të fshehtën më intime. Asnjë gjurmë urrejtjeje nuk do të gjesh në to. Jo vetëm tani, por edhe më vonë. E ndjen veten qytetare të lirë në perceptimin e botës, por këtë mund ta bëjë duke u nisur nga kombi i saj.”
Këto tre gra në të zeza dhe të tjera si ato, janë personazhe të një romani, por që kurrë nuk kanë njohur, as takuar njëra tjetrën. Por do të vlerësoja si një nga gjërat më të arrira të romanit, që ato duket sikur janë njohur një shekull më parë dhe sikur janë takuar një ditë më parë. I afron dhe i bashkon e njëjta jetë tragjike, e njëjta shpresë, që herë shkrihet si vesë dhe herë ndrin si rreze dielli diku, brenda shpirtit të tyre.
Ato i bashkojnë të njëjtat pranga të cilat ua mbërthen i njëjti prokuror, Nevzat H. që mua më duket sikur sapo ka dalë nga Hadi. Është ai njeriu i çartur që gjithë jetën ka kërkuar prenë e tij. Dhe, kur e gjen, ndihet i plotfuqishëm ( ashtu siç edhe i emërtonte regjimi), ngazëllehet se ka në dorë fatin e dikujt tjetër. Është makabre pamja e tij. Shkurtësia e mendjes lind pëherë xhelatin e ardhshëm. “ Nuk e frikësonte ardhja e së keqes, trembej vetëm nëse nuk do të qe i devotshëm sa duhet ndaj saj.”- shkruan Bedri Islami, duke na treguar fytyrën e diktaturës, idhtësinë e helmtë të represionit, fëlliqësinë e pamëshirtë.
Me romanin e tij, si edhe në libra të tjerë, Bedri Islami na thotë që e keqja në karakterin, apo shpirtligësinë e një individi mund të shkatërrojë një njeri, por, kur ajo ngrihet në sistem, mund të shkatërrojë një komb të tërë. Duke e trajtuar situatën me paanësi, ose duke e parë dhe analizuar nga optika e “të dy palëve”, të themi, ai zbulon rrënjët e mentalitetit egërshan që nisi që në kohën e luftës kundër pushtuesve, me kumtin “ Na vranë, i vramë!”, që u thellua më tej në luftën për pushtet dhe mbajtjen e tij me çdo kusht dhe çmim, sepse “ E kemi fituar me gjak”! Dhe ato rrënjë ende nuk janë shkulur e vazhdojnë, sot e gjithë ditën, me thirrmat “ na shanë, i shamë!”, “ na akuzuan, i akuzojmë”, “ na përbaltën, i përbaltëm”etj. duke nxitur gjuhën e urrejtjes dhe të hakmarrjes. Hakmarrja, apo gjakmarrja kanunore, vret një njeri, por hakmarrja politike shprishë jetën e një vendi. Atë që autori i romanit e thotë në shumë faqe të romanit të tij, do ta përmblidhja me një thënie të Ajnshtajnit: “ Për të zgjidhur një problem, është e domosdoshme të ndryshojmë mentalitetin që e ka pjellur atë problem.” Natyrisht, letërsia e mirë e nxit këtë ndryshim, por gjithnjë me “instrumentet” e saj specifikë.
Flladi i romanit na vjen përmes Arbrit dhe Amardës. Ata, herë shpërndajnë mjegullën, herë dritësojnë zymtinë, herë na shkrijnë buzëqeshjen. Por autori nuk i shpëton, dhe nuk ka si t’i shpëtojë, drojës
se duke zhbiriluar të kaluarën, mund të bien në ndonjerën nga grackat e shumta të saj, qoftë edhe duke parë një fotografi. Dhe mund të ndodhë si në atë ishullin imagjinar, të mbushur me gjarpërinj helmues, ku njerëzit çojnë macet e tyre, të cilat, duke luftuar me gjarpërinjtë, u bënë edhe vetë helmuese. Larg qoftë!
Vlerë e shtuar e romanit është gjuha e pasur, e selitur, shprehëse, herë-herë me tingëllim dhe metafora poetike. Më duket me vend të citoja, sado pak, nga faqet e romanit:
“ Kur djemtë vriten, nënat vdesin.”
“ Prej asaj nate më dukej vetja si i burgosur në një strofull shtrigash.”
“ Vitet m’i kanë ngrënë këmbët.”
“ Mjerë të gjallët që kanë frikë nga të vdekurit!”
“ Kjo ishte Shqipëria, e bukur, e vrazhdë, e papritur, mizore, qetësuese, e ëmbël, inatçore.”
“ Nata e yjtë..”, “ dhembja e qiellit..”..merr frymë me lot..” etj.
Romani “ Gruaja në të zeza”, publikuar nga shtëpia botues “NAIMi”, për temën e tij të rëndësishme, për trajtimin e saj me ndjeshmëri dhe humanitet, për stilin dhe gjuhën e pasur, hyn pa drojë në mozaikun e letërsisë së sotme shqipe.
Burimi