Reagimi i Kremlinit për atentatin ndaj Trump: Putin s’ka në plan ta telefonojë
Kremlini zyrtar tha këtë të dielë se nuk beson që administrata amerikane të ketë gisht në atentatin e së shtunës ndaj kandidatit për president të SHBA-së, Donald Trump.
Megjithatë, Rusia e akuzoi aministratën e SHBA për krijimin e një atmosfere që provokoi sulmin.
Trump u qëllua në vesh gjatë një mitingu në Pensilvani, në një sulm që tani po hetohet si një atentat. Autori u qëllua për vdekje dhe zyrtarët e zbatimit të ligjit thanë se nuk kishin identifikuar ende një motiv.
“Ne nuk besojmë se përpjekja për të eliminuar dhe vrarë Trump është organizuar nga autoritetet aktuale”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
“Por atmosfera rreth kandidatit Trump… provokoi atë që Amerika po përballet sot”, shtoi ai.
Presidenti i SHBA Joe Biden e dënoi sulmin, duke thënë se nuk kishte vend për atë lloj dhune në Amerikë. Peskov tha se Rusia dënon çdo dhunë në rrjedhën e luftës politike.
Komentet e Peskov u bënë jehonë atyre të disa prej aleatëve republikanë të Trump, të cilët menjëherë ia hodhën fajin Bidenit.
“Pas përpjekjeve të shumta për të hequr kandidatin Trump nga arena politike duke përdorur mjetet e para ligjore, gjykatat, prokurorët, përpjekjet për të diskredituar politikisht dhe kompromentuar kandidatin ishte e qartë për të gjithë vëzhguesit e jashtëm se jeta e tij ishte në rrezik”, tha Peskov.
Ai shtoi se nuk kishte plane që Presidenti Vladimir Putin të telefononte Trumpin në dritën e incidentit.
i.b./dita
Burimi