Protesta e opozitës, mbi 50 të shoqëruar dhe 2 të arrestuar, procedohen penalisht deputetët
Policia e Shtetit ka vijuar me shoqërimet e protestuesve, të cilët u përplasen fizikisht me efektivët gjatë protestës së djeshme të PD-së dhe opozitës.
Bëhet e ditur se mbi 50 persona janë të shoqëruar, ndërsa dy qytetarë janë arrestuar. Ndëkohë, deputetët që organizuan protestën janë proceduar në gjendje të lirë.
Opozita protestoi mbrëmjen e djeshme për afro 3 orë, duke bllokuar akset kryesore në kryeqytet teksa mbështetës të opozitës ishin shpërndarë nëpër pika të ndryshme të Tiranë. Protestuesit vijuan aksionin e tyre të mosbindjes civile deri në përplasje fizike me policinë.
Deputeti demokrat Flamur Noka i pozicionuar tek Rruga e Elbasanit, qëlloi një prej efektivëve. Situata vazhdoi e tensionuar në sheshin Uilson ku policia përdori autobotin me ujë për të shpërndarë protestuesit. Ndërkohë tek Zogu i Zi trafiku ishte i bllokuar për rreth 1 orë, ndërsa pati tensione mes qytetarëve dhe policisë tek Pallati me Shigjeta.
Menjëherë pas përfundimit të protestës, filluan shoqërimet e para nga policia në komisariatet e qytetit teksa e cilësoi të paligjshëm tubimin e opozitës.
Përpara nisjes së protestës ditën e djeshme, DVP e Tiranës i dërgoi një shkresë sekretarit të PD-së Flamur Noka dhe informoi qytetarët se bllokimi i qarkullimit rrugor është vepër penale. Ata informuan Nokën se organizatorët e protestës që bllokon qarkullimin do mbajnë përgjegjësi administrative dhe penale.
j.l./ dita
Burimi