Presidenti Begaj: Përfunduam procesin e konsultimeve për datën e zgjedhjeve

Presidenti Begaj: Përfunduam procesin e konsultimeve për datën e zgjedhjeve

Presidenti Bajram Begaj ka njoftuar më anë të një statusi në Facebook se ka përfunduar procesin e konsultimeve me partitë politike për të caktuar datën e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2025.
Ai është shprehur i kënaqur për gjithpërfshirjen e faktorit politik dhe sipas tij opinionet e tyre udhëhiqeshin nga interesi më i lartë i zgjedhësve dhe jo nga përllogaritjet vetjake.
Mesazhi i plotë i Presidentit Bajram Begaj:
Sot mbylla procesin e konsultimeve me faktorin politik dhe institucional për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2025.
Kompetenca për caktimin e datës së zgjedhjeve i takon Presidentit të Republikës, por unë jam shumë i kënaqur që i gjithë faktori politik parlamentar u përfshi me opinione dhe sugjerime në këtë proces, si drejtpërdrejt me pjesëmarrje në takimet konsultuese, edhe në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet përcjelljes në rrugë të tjera të preferencave partiake.
Nga konsultimet vura re se, në tërësi, opinionet udhëhiqeshin nga interesi më i lartë i zgjedhësve dhe jo nga përllogaritjet meskine që priten rëndom në raste të tilla.
Konvergjenca e mendimeve, përtej dallimeve në qëndrimet politike, ishte shfaqja më domethënëse e kësaj konsulte.
Caktimi i datës së zgjedhjeve për mua nuk është thjesht një detyrim kushtetues dhe as procedurë formale juridike, por është, së pari, një sprovë e fuqishme bashkëpunimi, mirëkuptimi dhe angazhimi i të gjithë faktorit politik dhe institucional në emër të zgjedhësve dhe për zgjedhësit, sikurse është një rast domethënës për të risjellë në vëmendje rëndësinë vendimtare që kanë zgjedhjet për konsolidimin e demokracisë parlamentare.
Detyra madhore e aktorëve politikë është t’i shndërrojnë zgjedhjet parlamentare të pranverës së vitit 2025 në histori suksesi për shqiptarët dhe demokracinë shqiptare, ku duhet të shkëlqejë zbatimi i ligjit, korrektesa dhe etika në komunikimin e platformave, respekti për zgjedhësit dhe vullnetin e tyre të shprehur me votë.
i.b./dita
Burimi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *