Përkeqësohet struktura e familjes, rriten me 152% çiftet pa fëmijë ndërmjet 2011-2023

Përkeqësohet struktura e familjes, rriten me 152% çiftet pa fëmijë ndërmjet 2011-2023

Popullsia e Shqipërisë rezultoi më e pakët dhe më e plakur në Censin e vitit 2023, por gjithashtu struktura e familjeve shqiptare është përkeqësuar ndjeshëm si rezultat i rënies së lindjeve dhe emigracionit. Censi gjeti një fenomen të cilin e kishin lajmëruar më parë. Në totalin e familjeve shqiptare, pati një përqindje të madhe të njësive të familjeve pa fëmijë, të cilat janë rritur ndjeshëm në krahasim me vitin 2011.
Sipas të dhënave të Cens 2023, familjet e martuara ose që bashkëjetojnë pa fëmijë ishin 264,882, me rritje 152% nga Censi 2011. Numri i familjeve ndërmjet dy censeve u rrit me rreth 33 mijë ose 4.5%, por numri i çifteve pa fëmijë ka shënuar rritje të ndjeshme për shkak të emigracionit të lartë të të rinjve gjatë dekadës së fundit. Gjithashtu, çiftet e martuara ose në bashkëjetesë gjithnjë e më shumë po e shtyjnë lindjen e fëmijës së parë. Shumë nga çiftet e reja martohen dhe nisin përgatitjet për të emigruar duke vonuar ardhjen në jetë të bebeve.
Sipas censit, bërthamat familjare më të shpeshta përbëheshin nga çifte të martuara ose bashkëjetues me fëmijë, 52,2%, e ndjekur nga çifte të martuara ose bashkëjetues pa fëmijë, 37,5%, ndërsa prindërit e vetëm me fëmijë përbënin vetëm 10,3% të tyre. Emigracioni i dekadës së fundit uli ndjeshëm edhe numrin e anëtarëve të familjes. Në censin 2023, madhësia mesatare e familjeve është 3,2 anëtarë, krahasuar me 3,9 anëtarë për familje në Censin e 2011 dhe 4,2 anëtarë në vitin 2001.
Në vitin 2023, rreth një në katër familje, 24,3% kanë si person reference grua, personi i cili përgjithësisht merr vendimet kryesore dhe njihet si i tillë nga të gjithë anëtarët e saj. Në censin e vitit 2001, familja në përgjithësi në Shqipëri karakterizohej nga një numër i madh anëtarësh, mesatarisht 4.2 anëtarë, që përbënin 2/3 e 727 mijë familjeve me katër apo më shumë anëtarë dhe një e katërta e përqendruar në madhësinë prej 4 anëtarësh.
Ndërsa në vitin 2023, rreth 28,5% e familjeve, përfaqësohet nga tipologjia me përbërje prej dy anëtarësh, e cila është dhe kategoria më e madhe. Familjet më të mëdha, me pesë apo më shumë anëtarë, përfaqësojnë më pak se një të pestën (19,5%) të familjeve, e njehsuar me një të tretën e popullsisë (35,8%).

Monitor
Burimi