Përcillet sot për në banesën e fundit Ismail Kadare, homazhet te TKOB

Përcillet sot për në banesën e fundit Ismail Kadare, homazhet te TKOB

Ditën e sotme do të përcillet për në banesën e fundit trupi i gjeniut të ndjerë të letërsisë shqipe, Ismail Kadare. Mësohet se Kadare do të nderohet me ceremoni shtetërore. Homazhet publike për të do të mbahen në ambientet e Teatrit të Operas dhe Baletit në orën 09:00. Ndërkohë bëhet me dije se ceremonia shtetërore e lamtumirës nis në orën 11:30. Ndërsa në orën 12:30 do të bëhet nisja e kortezhit në drejtim të varrezave të Tufinës.
Ismail Kadare, shkrimtari i mirënjohur është ndarë nga jeta mëngjesin e 1 korrikut në moshën 88-vjeçare. Ai konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë, ku shquhet kryesisht për prozë, por kontributi i tij është shtrirë edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime.
Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë. Kadare është nominuar 15 herë për çmimin Nobel në Letërsi, ndërsa është nderuar me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Kadare konsiderohet nga disa si një nga shkrimtarët dhe intelektualët më të mëdhenj të shekujve 20 dhe 21, dhe si një zë universal kundër totalitarizmit.
j.l./ dita
Burimi