Pas humbjes me Spanjën, trajneri Southgate pranë largimit
Trajneri Gareth Southgate udhëhoqi përfaqësuesen e “Tre Luanëve” në finalen e tyre të dytë radhazi të Europianit kundër Spanjës. Por kontingjenti i tij nuk arriti t’i japë fund pritjes 58-vjeçare të vendit për medalje kampioni, duke pësuar një humbje 2-1 ndaj iberikëve, në finalen e së dielës së kaluar në Berlin.
Southgate është përballur me kritika të ashpra për paraqitjet e dobëta në fazën e grupeve, përpara se të lavdërohej mbi përmirësimin e skuadrës dhe zëvendësimet e tij të shkëlqyera në fitoren e gjysmëfinales, kundër Holandës të mërkurën e kaluar.
Tani, tetë vjet dhe 102 ndeshje pasi pranoi vendin e punës, ai mund të ndahet me kombëtaren. Garet la të kuptohej se ai mund të tërhiqej pas turneut: “Unë mendoj se Anglia është në një pozitë vërtet të mirë për sa u përket përvojave që ka tani. Mosha e skuadrës? Shumica e këtij grupi do të jetë gati, jo vetëm për Kupën e Botës, por edhe për Euron e ardhshme. Ka shumë për të pritur, por ky moment nuk është ndonjë ngushëllim”, tha Southgate.
Krerët e Federatës Angleze të Futbollit janë të dëshpëruar për ta mbajtur teknikun aktual, të paktën dy vjet të tjera, në mënyrë që ai të mund të drejtojë Anglinë deri në Kupën e Botës 2026. Anglezi ka këmbëngulur se nuk është momenti i duhur për të marrë vendimin final mbi të ardhmen. Fitimi i një trofeu të madh do të kishte qenë mënyra perfekte që Southgate t’i japë fund në krye të Anglisë. Por kush mund ta zëvendësojë atë, nëse ai merr vendimin për t’u larguar? Epo “SunSport” ka gati shtatë kandidatë të mundshëm që mund ta zëvendësojnë shefin e “Tre Luanëve”.
j.l./ dita
Burimi