OKB mban “Samitin e së Ardhmes” për të trajtuar krizat globale, Rama mbërrin në New York
Udhëheqësit globalë po mblidhen në Nju Jork të dielën për “Samitin e së Ardhmes” që synon adresimin e sfidave të shekullit të 21-të, duke filluar nga konflikti te klima, mes skepticizmit nëse pakti përfundimtar do të përmbushë synime të larta. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres e propozoi për herë të parë takimin në vitin 2021, duke e cilësuar atë si një “mundësi një herë në brez” për të riformuar historinë njerëzore duke rindezur bashkëpunimin ndërkombëtar.
Si akt hapës për javën vjetore të nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila fillon të martën, dhjetëra krerë shtetesh dhe qeverish pritet të miratojnë një “Pakt për të Ardhmen” të dielën. Por pas negociatave intensive të minutës së fundit, Guterres shprehu pak zhgënjim, duke u kërkuar kombeve të tregojnë “vizion” dhe “guxim” dhe duke bërë thirrje për “ambici maksimale” për të forcuar institucionet ndërkombëtare që luftojnë për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive kërcënimeve të sotme.
Në versionin më të fundit të tekstit që do të dorëzohet për miratim, liderët zotohen të forcojnë sistemin shumëpalësh për “të mbajtur ritmin me një botë në ndryshim” dhe për të “mbrojtur nevojat dhe interesat e brezave aktualë dhe të ardhshëm” që përballen me “kriza të vazhdueshme”.
“Ne besojmë se ka një rrugë drejt një të ardhmeje më të ndritshme për të gjithë njerëzimin”, thuhet në dokument.
Duke përfshirë gati 30 faqe, pakti përshkruan 56 “veprime”, duke përfshirë angazhimet për multilateralizmin, mbështetjen e Kartës së OKB-së dhe ruajtjen e paqes. Ai gjithashtu bën thirrje për reforma për institucionet financiare ndërkombëtare dhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së, së bashku me përpjekjet e rinovuara për të luftuar ndryshimet klimatike, për të promovuar çarmatimin dhe për të udhëhequr zhvillimin e inteligjencës artificiale.
Sipas njoftimit të komisionit europian, sesioni i OKB-së në Nju Jork do të ndiqet nga një delegacion i nivelit të lartë të Bashkimit Evropian duke përfshirë Josef Borrell dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Fokusi i BE-së do të jetë trajtimi i konflikteve dhe krizave në të gjithë botën. Në një sfond të zymtë të krizave të shkaktuara nga njeriu dhe ato natyrore, BE-ja dhe shtetet anëtare do të fokusohen në pesë prioritete kryesore: ri-angazhimi për themelet e një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla; mbështetjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare; avancimi i zhvillimit të qëndrueshëm dhe financimi për zhvillim; adresimi i krizës së trefishtë planetare; dhe nxitja e besimit nëpërmjet një sistemi shumëpalësh më efektiv”, theksohet në njoftimin e Komisionit Evropian.
i.b./dita
Burimi