Me rastin e përurimit të veprave“ Gruaja në të zeza” dhe “ Kryqezimet e letërsisë”, të autorit Bedri Islami

Me rastin e përurimit të veprave“ Gruaja në të zeza” dhe “ Kryqezimet e letërsisë”, të autorit Bedri Islami

Nga Bardhyl Mahmuti
Të dashur të pranishëm,
I dashur Baca Bedri,
 Për ne, shqiptarët e Kosovës, ka pasur gjithnjë një mjegull të habitshme, që e bënte të vështirë kufirin midis gjykimit të arsyeshëm, për atë që kishte ndodhur në “ Shqipërinë e brendshme”, dhe të kundërtës me të.
Sa herë që shenjat e nostalgjisë për të shkuarën e afërt, shfaqeshin, ka qenë e vështirë, në mos e pamundur, të mos bëhej pyetja : Çfarë kishte ndodhur në shtetin që e kishim ëndërr, përse joshja kishte qenë e thellë dhe, më pas, kishte ardhur rrënimi i një miti? Ndjesia , para se të ishte e humbjes, ishte e zhgënjimit, dhe, rënia, para se të ishte e një sistemi, ishte në thyerjen e shpirtit.
Ka pasur gjithnjë një përplasje mes shtetit, sidomos totalitar dhe njeriut që synonte të kishte, të paktën, lirinë e tij. Shteti kërkonte të drejtat që mendonte se i takonin, sidomos kur qeveria vinte pas një lufte të fituar, që kishte qenë luftë e drejtë, e domosdoshme dhe jetike. Individi, ashtu si thotë në roman shkrimtarja Musine Kokalari, nuk kërkon vetëm të drejtën e fjalës, por lirinë e saj.
Lufta, që e kishte afruar Shqipërinë me forcat me progresive, anglo saksone, befas, në paqe ishte kthyer në regresive, duke e afruar me errësirën e një bote sllavomadhe, nga e cila shqiptarët, kudo që ishin, kishin vuajtur brenda një brezi për disa të tillë.
A do të kishte mundur të qëndrojë njeriu në një sistem të tillë? E vështirë, por nuk kishte qenë e pamundur.  Çfarë kishte ndodhur dhe sa ishte tronditur shpirti i kombit nga ajo që kishte ndodhur?
Në romanin e tij “ Gruaja në te zeza” , shkrimtari Bedri Islami, ndoshta edhe nga që njërin nga personazhet e ka të zemrës, duke sjellë 4 figura reale dhe pjesë të jetës së tyre, dëshmon se askush nuk e meriton thyerjen pjesë – pjesë, duke shpresuar në çdo njërën prej tyre që bie rrugës, deri sa e kupton se tani është vetëm boshllëku i shtrirë para tij.
Asgjë nuk e tmerron komunizmin më shumë se vetja, më shumë se forca e tij shkatërruese. Por, vështirë është të perceptosh se, para se të shkatërronte veten, ai shprishi kombin, përmes asaj që ngriti fillimisht, dhe asaj që ndodhi më pas.
Libri, i shkruar me një gjuhë të mrekullueshme, sjell idenë reale, se në një botë jo të lirë, shtypja, diktati  nuk është i njëditshëm. Jo kushdo është i aftë të pohojë lirinë e vet. Edhe komunizmi e ka një Zot, veçse Zoti i tij është i tmerrshëm.
Figurat , thuajse mitike të katër grave, të ardhura nga botë të ndryshme, me fëmijëri herë të ngjashme e herë të tjera thellësisht të kundërt, vijnë në roman si të trupëzuara në një figurë të vetme, sado që emrat i kanë të ndryshëm, ata mund të quhen Liri Belishova, Musine Kokalari, Bule Bardha apo Drita Gjylbegu, por, në fakt janë e njëjta, secila është pjesë e njëra-tjetrës, është zgjatim i jetës së sho-shoqes, e më fund mesazh lirie.
Bedri Islami është autor i njohur, shkrimtar, publicist, poet dhe, për ne, veprimtar i shquar për lirinë e Kosovës. Të gjithë librat e tij kanë sjellë frymën e njeriut të pasionuar pas lirisë, të drejtës dhe të shpresës. E pamatë ka qenë veprimtaria e tij para dhe gjatë luftës në Kosovë, e deri tan. Miqtë e tij kanë qenë e mbeten njerëz të pasionuar pas lirisë, me çdo kusht, ashtu si prirja e tij njerëzore është drejt së drejtës,
Përse e thashë këtë, kur të gjithë e dinë çfarë ka ndodhur, i njohin librat dhe punët e tij?
Është një shkak themelor. Një libër si “ Gruaja në të zeza”, pjesa e dytë e trilogjisë, që erdhi menjëherë pas romanit të mrekullueshëm “ Nata pa të nesërme” nuk mund të shkruhej nga një njeri që nuk e do lirinë, nuk e ka të njësuar në veten e tij këtë liri, dhe nuk është mbrujtur me idenë e lirisë.
Bedri islami nuk është çmitizues i një kohe, është dëshmues i saj. Ai nuk bart mbi vete mllefin, por sjell të vërtetën. Nuk ndjell të keqen, por kthehet në kronikanin e pa fund të jetës njerëzore. Ai është një rrëfimtar i mrekullueshëm, që të befason me bukurinë e fjalës.
Diktatura, sido që të shfaqet, rëndon më shumë te nënat. Tek asnjë nënë nuk është faji fatal : flirti me robërinë. Kur djemtë vriten, nënat vdesin, shkruan autori. Kjo është një e vërtetë absolute.
Është një roman tronditës. Shtëpia botuese “ Naimi” dhe miku im Naim Zoto, me kujdes të veçantë kanë sjellë për lexuesit njërin ndër romanet më të spikatur në kohëve të fundit, dhe mbetemi në pritje të vazhdimit të kësaj sage tri pjesësh, ku dy të parat ndjellin kërshërinë  e vazhdimit.
Në fund dy fjalë për librin më të fundit të shkrimtarit BedriIslami, “ Kryqëzimet e letërsisë”.
Jam i bindur se Bedri islami është një ndër eseistët më të shquar të kohës së tashme. Me stilin e tij të veçantë, tejet poetik dhe meditativ, gjuhën letrare, e mbushur me kolorit,  në këtë libër ai ka sjellë disa nga esetë më të spikatura në gjuhën shqipe.
Dostojevski i Bedri Islamit është, pa dyshim, një ndër veprat më  të arritura, për mua, pa mëdyshje, them se ajo qëndron në të gjitha libraritë e botës, ashtu e qashtër, plot jetë, kundërthënie dhe mistere që presin të jenë të pranishme.
“Kadare dhe Kosova” mund të shkruhej vetëm nga një njeri që, krahas njohjes së mirëfilltë të asaj pjese të historisë, ka dhuntinë e artit, perceptimin e ndodhisë që është ende në ngjizje dhe saktësim i së vërtetës. Esetë për Moikomin, Petrit Rukën, NamikDoklen , tre nga shkrimtarët më të shquar të letrave shqipe, janë ndoshta më të gjeturat, më të spikaturat, të shkruara jo nga miku i tyre i shumë viteve, por nga qetësia e cila ndjell autorin për të gjetur të bukurën.
Dua të shtoj edhe diçka:
Në librin e tetë të odisesë lexohet se perënditë endin fatkeqësi në mënyrë të brezave të ardhshëm mos t’u mungojë lëna për çfarë të këndojnë.
Bedi islami, shkrimtar dhe njeri, e saktëson këtë. Kush nga ne e ka pasur fatin të ketë një jetë të tillë, me fatkeqësi dhe ngjarje, përpjekje dhe vrull. Të jesh djali i një personazhi real i një personazhi të Migjenit, pastaj nipi i një heroi të Popullit, të ndjesh tragjedinë e eliminimit të atit të tij, 36 vjeçar, ZenelIslamit të njohur në veprat e shumë autorëve, jo vetëm të Migjenit,  dëbimin nga partia të nënës së tij për fajin e vetëm se nuk mohoi burrin e saj, gjë e rrallë kjo në kohë të diktaturave, të jesh nipi heroi të popullit, të bashkohesh me forcat e rezistencës së armatosur në Kosovë, për më tepër, në momentet vendimtare të luftës çlirimtare të jesh në krye të organizatës që krijoi UÇK-n, të shkruash libra, të jesh mik dhe bashkëluftëtar me figurat më të shquara në fund shekullit të shkuar, gazetar dhe, më duhet të dëshmoj se në kohën e luftës dhe pas saj, Bedri Islami si gazetar botoi më shumë se 300 shkrime, ishte pjesë e tubimeve në gjithë cepat e Evropës dhe, kur erdhi dita e lirisë së Kosovës, erdhi denjësisht në zanatin e tij, artin e të shkruarit.
Gjatë gjithë periudhës që qëndroi në ballë të luftës çlirimtare, Bedri Islami gëzonte autoritet të pakontestueshëm në mesin e luftëtarëve të lirisë. Për hir të këtij respekt edhe sot e kësaj dite e thërrasim me dashuri: Baca Bedri!
 
Dua të mbyll këtë fjalë me thënien e mikut të tij, eruditët të madh, Moikom Zeqo, me të cilin bashkohem plotësisht:
“ Bedri islami është padyshim personalitet i kohës, një shqiptar i mrekullueshëm, me një vetëdije të epërme që karakterizohet nga një vizion i madh. Njeri i letrave, autor librash historikë dhe publicist i klasit të parë, me një guxim të paepur. Bedriu ka qenë një figurë kryesore dhe e pakontestueshme e organizimit kombëtar në vitet 90 të shekullit XX, në aksion e jashtëzakonshëm  konceptual dhe real për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës”.
Burimi