Mandati i Xhaçkës: Komisioni i Venecias pranon kërkesën e Kuvendit për opinion, ja kur do të shqyrtohet

Mandati i Xhaçkës: Komisioni i Venecias pranon kërkesën e Kuvendit për opinion, ja kur do të shqyrtohet

Komisioni i Venecias ka pranuar  kërkesën për opinion të Kuvendit të Shqipërisë për mandatin e deputetes Olta Xhaçka.
Kërkesa u përcoll nga Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali drejtuar Presidentes së Komisionit të Venecias, Claire Bazy Malaurie, nëpërmjet së cilës kërkohet opinion në lidhje me raportin midis demokracisë përfaqësuese parlamentare dhe detyrimit për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Në përgjigjen e saj, Presidentja e Komisionit të Venecias informon se kjo çështje është vendosur për shqyrtim në mbledhjen e Komisionit të datës 6-7 dhjetor 2024.
Letra drejtuar Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, nga Presidentja e Komisionit të Venecias, Claire Bazy Malaurie:
E dashur Kryetare, Ju faleminderit për letrën tuaj të datës 13 shtator 2024, me anë të së cilës kërkoni opinionin e Komisionit të Venecias për raportin ndërmjet demokracisë përfaqësuese parlamentare dhe vendimeve detyruese të Gjykatës Kushtetuese, në kuadrin e rolit të Kuvendit në shqyrtimin e mocioneve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit.
Nëpërmjet kësaj letre konfirmoj gatishmërinë e Komisionit të Venecias për të përgatitur këtë opinion për miratim në seancën plenare të 141-të (6-7 dhjetor 2024). Dëshiroj t’Ju shpreh mirënjohjen time për besimin ndaj Komisionit të Venecias. Juaja sinqerisht, Claire Bazy Malaurie.
i.b./dita
Burimi