Kuvend të përbashkët Shqipëri-Kosovë, Konjufca: S’ka ngrirje të marrëdhënieve, pavarësisht ndonjë…
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim homologen e Shqipërisë, kryeparlamentaren Elisa Spiropali. Pas takimit, Konjufca dhe Spiropali mbajtën së bashku konferencë për mediat dhe më pas bënë nderime pranë memoralit “Heroina”.
Spiropali dhe Konjufca bien dakord “për një tjetër Kuvend të përbashkët Shqipëri-Kosovë, në një datë të papërcaktuar”.
Në daljen e tyre para mediave, teksa folën për marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe Shqipërisë, mohuan që mes dy shteteve të kishte “ngrirje”, pavarësisht “ndonjë mospajtimi të kryeministrave”, por që nuk reflektonte te marrëdhëniet mes dy shteteve.
Gazetarët ishin të interesuar më shumë tek marrëdhëniet mes dy qeverive, që duket se prej kohësh kanë “ngrirje”.
“S’kemi pasur ngrirje mes Republikave. Ndonjë mospajtim i kryeministrave, nuk reflekton marrëdhënien mes dy shteteve. Edhe në nivel qeverish bashkëpunimi është i shkëlqyeshëm. Spiropali nuk ka ardhur me shkri kurrgjë, por me vazhdu atë që ka ekzistuar gjithmonë”, u shpreh Konjufca.
Kjo deklaratë u mbështet edhe nga homologia shqiptare.
“Reflektojmë marrëdhëniet vëllazërore. Mes qeverive dhe Kuvendeve tona është intensifikuar bashkëpunimi. Dobësia juaj, është dobësia jonë. Forca juaj është edhe forca jonë”, tha Spiropali.
Pyetjes a rrezikon Kosova të përjashtohet nga Procesi i Berlinit në takimin e 14 Tetorit, Konjufca iu përgjigj:
“Neve po na bëhet presion. Mund të përjashtohemi për mospërmbushjen e marrëveshjes. Ne po e hapim Urën, sepse e përcakton marrëveshja. Kosova po diskriminohet. Duan të na përjashtojnë meqë s’po zbatojmë asocacionin. Në procesin e dialogut Serbia po favorizohet dukshëm. Mund të ndodhë, por nuk kemi rrugë tjetër. Në po bëjmë betejë të drejtë. Nëse na përjashtoni për këtë, na keni lënë pa tekst”.
Kurse Spiropali në lidhje me këtë temë tha se “Procesi i Berlinit duhet të jetë gjithpërfshirës dhe Kosova duhet të ketë vendin vet”. “Ne e mbështesim Kosovën në çdo forum me partnerët tanë”, shtoi ajo.
i.b./dita
Burimi