KUJTESA
Shënim i Redaksisë: Esetë e mëposhtme janë shkruar nga tre prej anëtarëve të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave—Fatos TARIFA, Diana ÇULI dhe i ndjeri e i paharruari Moikom ZEQO—si kontribute për një kolokium intelektual me temë kujtesën. Gazeta DITA i boton për herë të parë.
Kujtesa njerëzoreÇfarë kujtojmë? Si kujtojmë?
Colloquium
1 – Kujtesa si “pronë private” e individit
Fatos TARIFA, sociolog
Shumë njerëz mendojnë se kujtesa s’është gjë tjetër veçse aftësia e njeriut për të ruajtur dhe risjellë në mënyrë pasive informacione mbi ngjarje që i përkasin një kohe të shkuar. Me fjalë të tjera, informacioni i fituar dhe përvojat e përjetuara në të kaluarën regjistrohen, ruhen dhe risillen nga individi, jashtë kontrollit të tij dhe pa ndërhyrjen e tij.
Kjo është një qasje e gabuar. Kujtesa nuk është një dukuri mendore pasive; të kujtuarit është një proces mendor, i cili jo thjesht “ringjall” eksperiencat e së shkuarës, por edhe i rindërton këto eksperienca në mënyrë imagjinative.
Ky nuk është vendi për një trajtim të mirëfilltë teorik të fenomenit kujtesë, në ç’rast pikëpamjet fenomenologjike të Straus-it, Husserl-it, Merleau-Ponty-së dhe Heidegger-it do të ishin jo vetëm të paevitueshme, por edhe të dobishme. Sidoqoftë, shkurtazi, për të mos iu shmangur krejtësisht filozofisë, dëshiroj të them se, një ndër filozofët e parë modernë, David Hume, ndryshe nga sa është menduar deri vonë, se gjoja për të kujtesa është një dukuri e individit të atomizuar, e shkëputur nga konteksti shoqëror, ishte i pari që u përpoq të krijonte një teori sociale mbi kujtesën, e cila merr në konsideratë kontekstin shoqëror, traditat, zakonet, gjuhën dhe strukturat logjike, si elementë konstitutivë të kujtesës.
Sidoqoftë, ishte Henri Bergson ai që konceptin e kujtesës e bëri element qendror të teorisë së tij mbi njohjen. Bergson i atribuoi kujtesës rolin më të rëndësishëm në procesin intelektual, duke e zhveshur kujtesën nga elementi pasiv dhe duke i dhënë asaj një aftësi kreative, produktive dhe vitale.
Kujtimet tona, si individë, janë gjithnjë selektive; ato “shuajnë” disa ngjarje, ndërsa amplifikojnë të tjera. Madje, vetë akti i të kujtuarit të së shkuarës sonë ndikon në mënyrën se si ne i ripërjetojmë dhe i përshkruajmë ngjarjet e ndodhura. Qoftë edhe vetëm për këtë arsye, të tjerët asnjëherë nuk mund të “kujtojnë” ngjarje ose episode, të cilat i kam përjetuar vetëm unë. Siç ka argumentuar B. S. Benjamin, “Asgjë nuk është personale për një individ njerëzor në një mënyrë kaq unike sa kujtesa e tij”.
Kujtesa e njeriut, nga vetë natyra e saj, është e padhunueshme. Pjesa më e madhe e të kujtuarit tonë ndodh privatisht dhe nuk është nevoja që ne të mësojmë se si t’i mbajmë kujtimet tona vetëm për vete. Ato mbeten të tilla deri në momentin kur ne vendosim t’i ndajmë ato me të tjerë. Madje, edhe atëherë, kujtimet tona kurrë nuk mund të ndahen tërësisht me njerëz të tjerë, pasi tjetër gjë është që dikush të dijë mbi kujtesën tonë, dhe krejt tjetër është ta kesh këtë kujtesë. “Edhe pse ne themi se i ndajmë kujtimet tona me njerëz të tjerë, në të vërtetë, kjo është kaq e pamundur, sa ç’është ndarja me të tjerët e dhimbjeve që provojmë ne vetë”.
Përmbajtja e gjithçkaje që ne kujtojmë është, gjithashtu, personale në mënyrë unike. Madje, “kujtimet personale përjetohen si të ishin pronë private”. Përveç kësaj, memoria e gjithsecilit prej nesh i shndërron ngjarjet publike në eksperienca specifikisht personale. Kujtesa jonë në mënyrë imediate na thotë se eksperiencat tona të kaluara na përkasin vetëm ne. Sapo unë kam provuar, si eksperiencë personale, një bisedë ose një marrëdhënie me një individ të caktuar, kjo eksperiencë mbetet imja.
Të përshkruarit e ngjarjeve e të individëve, me të cilët më është dhënë rasti të bashkëpunoj, është një punë akoma më e vështirë. Edhe ngjarjet më të rëndësishme subjektivizohen për shkak të përjetimeve individuale të tyre dhe të marrëdhënieve shpeshherë shumë të komplikuara që krijohen mes aktorëve pjesëmarrës në këto ngjarje ose vëzhguesve të jashtëm. Për më tepër, vlerësimi retrospektiv i ngjarjeve dhe i dukurive shpeshherë krijon një rezultat, i cili mund të duket më pak i besueshëm sesa vetë kujtesa.
Sidoqoftë, për shkak se kujtesa ka vetinë që t’i ruajë gjurmët e asaj çka ndodh në jetën tonë, ajo është në gjendje që t’i “riprodhojë” këto ngjarje—dhe rrethanat në të cilat ato janë zhvilluar—në atë mënyrë që ato kanë ndodhur, ose kanë ekzistuar. Robin G. Collingwood argumentonte se: “Ne e thërrasim të kaluarën, si të tillë, që të jetë përsëri [mes nesh] duke rikujtuar dhe duke menduar historikisht, por këtë e bëjmë duke e shkëputur nga koha e tashme, në të cilën ajo ekziston aktualisht”.
Duke na larguar nga koha reale, imediate e ndodhjes së ngjarjeve, kujtesa na zhvesh nga emocionet me të cilat i kemi përjetuar ato, duke mundësuar që ne t’i riperceptojmë dhe t’i rivlerësojmë këto ngjarje nga një distancë e mjaftueshme për të gjykuar mbi to më objektivisht.
Vetë të kujtuarit e ngjarjeve dhe shkrimi i tyre në formë narrative për botim përbëjnë një detyrë të vështirë. “Rikthimi” i kujtimeve tona nuk ndodh kurrë në rendin kronologjik të ngjarjeve që kujtojmë. Ne i “vendosim” ngjarjet e kujtuara në atë mënyrë që i asociojmë ato me ngjarje të tjera, jo duke ndjekur metodologjikisht rrjedhën e tyre origjinale në kohë. Me fjalë të tjera, ne e trajtojmë të kaluarën si “një muze arkeologjik fragmentesh të vendosura së bashku në mënyrë kaotike”.
2 – “Pallatet” e kujtesës njerëzore
Diana ÇULI, shkrimtare
Në një artikull të shkencëtarit, shpikësit dhe futuristit të njohur amerikan Ray Kurzweil, lexova idenë e tij mbi backup-in e mendjes, të cilën e shpjegoj më poshtë në mënyrën time të thjeshtëzuar: përmes nanoteknologjisë, përmes injeksioneve me nanorobotë, shumë shpejt mund të kryhet kthimi i kujtesës, të bëhet një download i vërtetë! (duket si një film i Spielberg-ut!).
Por Kurzweil nuk tutet. Qysh prej viteve 1980 ai ka parashikuar krijimin e web-it të kujtesës dhe nuk i duket e çuditshme që kujtesa, ashtu si u shpik shekuj më parë, që të shkarkohej në letër, pra larg lëndës organike trunore, nesër të shkarkohet në aparate kompjuterikë drejtpërsëdrejti nga truri i individit.
Por, si të gjitha shpikjet, edhe ky lloj “mind transfer” i së ardhmes së afërt lidhet me etikën. Sa do të doja unë, si dhe çdo individ tjetër, që ta shkarkoja në kompjuter të gjithë kujtesën time? Të gjithë fëmininë, rininë, pjekurinë, çdo ditë—ditët e mija të mira, të lumtura, çastet e hareshëm, të paharrueshëm, ata të cilët shumë autorë i quajnë “çaste të përjetshëm”? Por, mes tyre do të ishin edhe ditët e rënda, të këqija, të hidhura, të pikëlluara, ditët e humbjeve, çastet e ndjesive fajtore, ditët e gabimeve, ditët kur vetja të është dukur si qenia më e papranueshme.
Mendja përzgjedh. Truri njerëzor ka mekanizmat e tij mbrojtës, që e lejojnë të privilegjojë kujtesën, t’i sigurojë asaj mbijetesën. Si i tillë, ai hedh në fund të humnerave të tij dhimbjen dhe vuajtjet, duke e ekuilibruar peshën e tyre me atë të gëzimeve e të qetësisë të përjetuar. Koha, nga ana e saj, ndihmon që ne t’i “kujtojmë më pak” gjërat e papëlqyeshme të jetës. Kjo kohë, e cila shpesh është “armiqësore”, sepse nuk mund të ndalet—çasti i lumtur nuk mund të ngrijë, ashtu si dhe ai mizori—na pengon që të memorizojmë e të vendosim në zona të sigurta kujtimet më të mira, na shtyn me dinakëri të kujtojmë gjithnjë e më shumë vagëllimthi jetën e shkuar.Shpesh herë mendoj, kohët e fundit, se kujtesa ime, ose një pjesë e saj është memorizuar në librat e mi aspak biografikë.
Më duket sikur në këta libra i kam “ngrirë” disa çaste, ngjyrat që marrin malet në orët e muzgut ose në agim, erërat, aromat, zërat, dialogët, fluturimet e zogjve (që sot nuk i vërej më), qëndrimet e palëvizshme të dhive mbi shkëmbinj (që atëherë rrija dhe i vështroja gjatë, me vëmendje)….Mendoj se natyra, e cila e tërheq njeriun deri në vdekje, e emocionon atë më shumë në rininë e tij, njëlloj si bukuria, e cila, në moshë të re, e prek dhe depërton në të në një mënyrë të veçantë.
Ndonjëherë më duket sikur në librat që kam shkruar kam ngritur pallatet e memories, siç thoshnin grekët e lashtë, struktura mendore për të ndërtuar kujtesën afatgjatë, që janë në të vërtetë pikat e sotme të referimit. (Në një ndërtesë kujto një shenjë të caktuar dhe shndërroje në teknikë shenjash. Kjo ishte porosia e togerit që na drejtonte në stërvitjen ushtarake çdo vit, pas provimeve në universitet).
Më kujtohet se njëherë humba rrugën, në shtigjet e Malit të Dajtit, pasi binte shi dhe rrëshqisja, çanta e shpinës ishte e rëndë dhe kishte baltë e gurë, por një pemë e djegur nga rrufeja dhe dy tuba uji, që i kisha parë kur isha ngjitur, më ndihmuan të gjeja shtegun e duhur. Vë pika orientimi. Po përse duhet të kujtoj pikërisht këtë ngjarje, e cila nuk ka asgjë të pazakontë, dhe jo një tjetër, kur mund të kem patur shumë më shumë ankth, frikë, ose më shumë emocion?
Pallatet e memories janë aty, në mendjen tonë dhe në ato që shkruajmë. Ata kanë të bëjnë dhe lidhen—drejtpërsëdrejti ose tërthorazi—me faktin se si i përzgjedhim ato ngjarje që duam të ruajmë dhe ato që duam t’i harrojmë.
Por, sa duam të harrojmë? Në ç’masë duhet të harrojmë që të mbrohemi dhe sa është kjo, në të vërtetë, puna jonë, e vetëdijshme apo e pavetëdijshme, por gjithnjë jona?
“Njeriu nuk është shuma e asaj që ai ka, por gjithçkaja që atij i mungon”, thoshte Sartre. A ka të bëjë kjo thënie me kujtesën? A janë ëndrrat një botë imagjinare, çlirime të përziera kujtimesh apo ndjesi telepatike? A kërkojmë ne gjithnjë atë që nuk e kemi dhe prandaj hedhim në hon kujtime që na duken të panevojshme, si për të hapur vend për të tjera gjëra? A na ndihmon ky çlirim i mendjes dhe rimbushja e saj me kujtime të reja, që me kalimin e kohës bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u ruajtur, ndërsa synojmë të zhvillojmë inteligjencën tonë?
Kjo e fundit është e domosdoshme për të kuptuar më mirë, për të kujtuar më mirë. Ne mbetemi gjithnjë në këtë rreth spiral, që ngrihet përmes përpunimit të mendjes—përmes përpunimit të kujtimeve—pra, përsëri, për të kujtuar…për të kuptuar…
3 – Kujtesa, e vërteta dhe manipulimi
Moikom ZEQO, shkrimtar, kulturolog
Pse njeriu (njerëzimi) ka kujtesë? Për shkak të imagjinatës, thotë Marksi. “Koncepti që kemi ne për një subjekt është ai çfarë jemi ne vetë”, shkruante Bertrand Russell, një nga mendimtarët më të qartë të të gjitha kohëve.Ne mund të flasim për kujtesën, sipas njohjes dhe botëkuptimit, prirjes shkencore apo mistike. Kujtesa nuk është një unicum. Ka një pluralitet kujtesash. “Kur vdes një njeri, varroset një bibliotekë”, thoshte Borges. Por kujtesa e një njeriu, mund të mos i hyjë në punë askujt.
Tërësia dhe sinteza e kujtesave njerëzore mund të krijojë disa struktura të kujtesave publike, ose të vetëdijeve kolektive. Kujtesa, edhe në aspektin biokimik, neurologjik dhe si një proces fiziologjik është ende e panjohur, ose është shumë pak e njohur.
Nëse historia është një lloj kujtese, kemi të bëjmë me kujtesën konvencionale. Shkolla e Analeve (L’École des Annales) thotë se historia duhet kuptuar si rezultante e proceseve të përfunduara. Por edhe historitë nacionale (të rrafshit zyrtar, shtetëror) janë të dyzuara. Midis Francës dhe Gjermanisë, “heronjtë” francezë që kanë luftuar me gjermanët janë “armiq”, “heronjtë” gjermanë në luftë kundër Francës janë, gjithashtu, “armiq”. Si figurat në letrat e bixhozit, njëra sipër dhe tjetra poshtë (e përmbysur).
Kujtesa e partizanëve antifashistë është krejt tjetër nga “kujtesa” e ballistëve. Po në këtë lloj të fundit kujtese bipolare rezultantja historike ngre lart kujtesën e partizanëve antifashistë.
Kujtesat historike të njerëzimit janë të ndryshme edhe sipas qytetërimeve. “Paradoksi është normaliteti i historisë” (Paul Valéry). Historia e njerëzimit ende nuk e ka kapërcyer përfundimisht Rubikonin drejt një historie më humaniste dhe të drejtë. Historia, si kujtesë “edhe e përgjithësuar” është një histori e manipuluar dhe e projektuar jo nga substanca historike në vetvete.
Historia shpesh shkruhet si një variant më i sofistikuar i propagandës ideologjike. Edhe tezat e Fukuyama-s dhe Huntington-it janë teza aprioristike, klishe propagandistike globale, se sa përfundime të drejta shkencore.
Atëherë si duhet kërkuar e vërteta? Dysho në gjithçka, shprehej Descartes. Frances Bacon, nga ana e vet, u ngrit kundër idoleve të tregut, të teatrit etj. Kërkimi shkencor bën pyetjen “pse?”. George Steiner shpall i shqetësuar se në kohën e sotme pyetja “pse” ka humbur.
Kujtesa është mrekullia më e madhe e intelektit njerëzor, por edhe e mistifikimit. Vetvetiu kujtesa na subjektivon një optikë filozofike. Risjell këtu shëmbëlltyrën proverbiale të “Anijes së Tezeut”. Tezeu u nis për udhëtimin e largët e të panjohur. Gjatë udhëtimit, ai urdhëroi që anijes së tij t’i ndërroheshin pjesë të ndryshme të dëmtuara. Gradualisht, çdo pjesë e anijes u zëvendësua me një pjesë të re. Në fund, anijes iu ndërruan edhe velat, direku, litarët, dërrasat. A ishte më kjo anije e njëjta, me të cilën Tezeu nisi udhën e tij të kthimit? Në fakt, a është një operacion kujtesor i tillë, që t’i rimbledhë të gjitha pjesët e hequra e të humbura të anijes duke i bashkuar ato për të “ribërë” të njëjtën anije?
Kujtesa, në fakt, është edhe antikujtesë, ose një kujtesë përherë e zëvendësueshme, ose alternative dhe ne përdorim nocione, vërtet deri diku të vijueshme, por edhe konvencionale. Dhe unë mendoj se kujtesa alternative e letërsisë dhe e arteve bëhet pjesë jo vetëm e krijimit, por edhe e trashëgimit të një varianti përfundimtar të kujtesës.
Njeriu është gjitari i vetëm, që shpik artificialen, të cilën nuk e gjejmë në natyrë, si pjesë të saj. Pikturat rupestre totemike e paleozoologjike janë kujtesa e vetme alternative që ka mbetur nga realiteti historik i Paleolitit të hershëm. Arti prehistorik, ndonëse i bërë, pra artificial, është krejt i pazëvendësueshëm. Eposet legjendarë të Gilgameshit, ato të argonautëve apo të Homerit janë, gjithashtu, kujtesë alternative, ndërsa kujtesa parësore historike quhet gati e humbur, ose e përfytyrueshme me një proces rindërtimi konceptual.
Po kështu, Virgjili, shpesh ngrihet mbi kronikanët, ndërsa Dante zotëron shekujt me monadën e tij poetike dhe teologjike. Don Kishoti i Servantesit është absolutisht më i njohur sesa tërë personazhet historikë, realë të Spanjës. Shekspiri, akoma më shumë, krijoi një Hamlet, krejt të ndryshëm nga kronika e shekullit të 17-të, apo Makbethin dhe Mbretin Lir. Saga intime e Milosaos së De Radës nuk vihet në dyshim nga askush, kurse malësori i Legjendës së Misrit te Migjeni është një figurë më emblematike sesa studimet historike të kohës.
Kjo kujtesë alternative lidhet dhe me artet figurative. Veprat e Da Vinçit e të Mikelanxhelos janë më të famshme sesa narrativa biblike edhe si imazh. Ikonografitë e artit egjiptian, greko-romak dhe bizantin janë kujtesa alternative, të cilat nuk janë identike me kujtesën historike. Sillni ndërmend filmat e Charlie Chaplin-it, që tashmë janë kujtesë vizuale shumë më semantike dhe emblematike sesa studimet shkencore të fakteve. Ose filmin “Skënderbeu”, i cili është relievizuar në kujtesën popullore të shqiptarëve më shumë sesa heroi i historiografisë shkencore.
Po pse mbijeton kjo kujtesë virtuale. Pse nuk zhduket asnjëherë? Strukturalisht, kujtesa mund të konsiderohet si mbivënie e mbishtresave shpesh kontradiktore e që hanë njëra-tjetrën. Qyteti arkeologjik i Butrintit, ose Apollonia dhe Bylysi, janë imazhe të një urbanistike e të monumenteve të realitetit adekuat historik. Durrësi e ka varrosur dhe betonuar vetveten e dikurshme arkeologjike përgjithësisht. Një lagje antike që u zbulua në Durrës, atje ku ka qenë lulishtja “1 maj”, dëshmoi, pas kaq shekujsh, një realitet që s’e kishim njohur, diçka të ngjashme me lagjet e Pompeut antik.
Pushtetmbajtësit tanë mediokër e rrënuan këtë kujtesë historike duke ndërtuar objekte të një arkitekture kitsch-moderne, që s’janë tjetër veçse imitime formale dhe pa asnjë lidhje me autentiken.
Shihni, gjithashtu, Sarandën! Ky qytet i mrekullueshëm bregdetar është shndërruar në një përbindësh betoni, duke dhunuar tërë kujtesat historike të qytetit perlë të Jugut. Një kapitalizëm barbar, kanibalesk i kujtesave zotëron sot gjithçka.
Pse ndodh kështu? A është kjo një shfaqje paradoksale, antagoniste e progresit teknologjik? Sot kujtesa e individit është shndërruar në një kolazh imazhesh televizivë dhe imazhesh që i shohim në kompjutera përmes Internetit. Cornucopia, briri i Amalteas që nxjerr thesare pambarim, është bërë pseudosimboli, ose vetëkrijimi i spektaklit tuaj, i spektaklit tonë vetiak, postmodern. Kjo çon në Zapingun, në ndërgjegjen zero, në një amnezi të pafund bashkëkohore. Zapingu shkaktohet nga padurimi ritual, pa thellësi, i hiper-realitetit.
Eric Hobsbawm, në librin e tij Age of Extremes, shprehte shqetësimin se “rrënimi i së kaluarës është një nga fenomenet më karakteristikë e më të çuditshëm të aktualitetit—shumica e njerëzve rriten në një lloj të Tashmeje pa cak, duke u munguar çdo lidhje organike me të kaluarën publike të kohërave”. Jean Baudrillard, filozofi i fiksuar në idenë e së rremes, të kopjes, apo simulacras, me skepticizmin e tij racional thoshte se e kundërta e dijes nuk është padituria, por gënjeshtra, mashtrimi universal. Jean-François Lyotard fliste për një multisemantikë postmoderniste, si “zbehje dhe humbje e narrativave të mëdha të njerëzimit”.
Kjo ide u trajtua edhe nga sociologu Zygmunt Bauman, që e cilësonte postmodernizmin si krizën “e rrëfimeve të mëdha” dhe zëvendësimin e tyre me interpretime ludike për t’ju mbivendosur realitetit në një mënyrë nihiliste, pa asnjë kauzë ose qëllim, pa eskatologji. Njeriu, si i tillë, është një qenie transhistorike, një njësi metafizike, që kapërcen realitetet e historisë konkrete.
Në epokën e sotme “post-faktuale” duket se nuk kanë rëndësi faktet, por opinionet. Një qytetërim që nuk bën më pyetjen “pse” për George Steiner-in jeton agoninë e zhbërjes. Në këtë laboratorium të krizave vetëpjellëse, kujtesa e letërsisë dhe e arteve do të rikthente vetëdijen te “rrëfimet e mëdha” të njerëzimit, por edhe të shqiptarëve.
Në fund të fundit, jemi në substancën e dialektikës, që është e njëjta gjë me dialektikën e substancës. Buzuku, Bogdani, Onufri, Naim Frashëri, Noli dhe Migjeni e realizojnë përherë Rikthimin e Përjetshëm te kredencialet e identitetit tonë dhe në Kujtesën e Rrëfimeve të njohshmërisë e të kuptimshmërisë së vetvetes, për të mos u zhdukur.
Kujtesa është mbijetesa e Njeriut. Ja, një subjekt i mitit: Zeusi, kur donte të mposhte një perëndi olimpike (nuk e asgjësonte dot me vdekje ata që ishin vetvetiu të pavdekshëm), por i merrte kujtesën dhe kështu, cilado perëndi, qe vërtet e pafuqishme, sepse qe e pavetëdijshme!
Kujtesa është edhe formë e vetëdijes së një kombi a një populli. Kujtesa kolektive e shqiptarëve është vetëdija e tyre. Por kjo kujtesë mund të jetë dhe e brishtë. Ne jemi shqiptarë sepse pranojmë gjërat që na bashkojnë, atdheun, gjuhën, Skënderbeun, Naimin, De Radën, Mjedën, Migjenin, Nolin, heronjtë etj.—nëse këto simbole identitare sulmohen, ajo që rrezikon të ndodhë është një ikonoklasti rrënuese për kujtesën kolektive të shqiptarëve, deri në zhbërjen e identitetit tonë kombëtar.
Kërkimi i së Vërtetës është i vetmi kërkim shkencor. Kur Krishtin e çuan përpara Pons Pilatit, ky i fundit e pyeti se cili ishte ai. Krishti i tha: “Ego sum Veritas” (“Unë jam e Vërteta”). Atëherë, Pons Pilati ja ktheu: “Po kush është e Vërteta?”
E Vërteta nuk është ajo, që unë them për veten time. Asnjë epokë dhe asnjë sistem nuk gjykohen nga ato që kanë thënë për veten e tyre. Nietzsche, duke e cituar dialogun e mësipërm biblik, ka shkruar se pyetjen më të madhe në historinë e njerëzimit e ka bërë pikërisht Pons Pilati.
—-
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
Burimi