IMMORTAL

IMMORTAL

Nga Fatos TARIFA
Botuar në Dita
Shënim i autorit: Ismail Kadare u nda nga ne, por mbetet i gjallë dhe i çmuar mes nesh. Gjithmonë do të jetë mes nesh. I lexuar, i çmuar. Do të kisha dashur të shkruaja gjatë për të tani që ai s’do mundet të lexojë, por disntaca që na ndan nga vdekja e tij është shumë e shkurtër dhe dhimbja shumë e thellë.
Për këtë arsye, i kërkova redaksisë së gazetës DITA të botojë këtë ese që kam shkruar për Kadarenë afro 20 vite më parë, kur jetoja e punoja në Shtetet e Bashkuara. Botohet këtu siç është shkruar në atë kohë, duke shtuar vetëm nëntitujt:
“Kadare, i pavdekshëm”
– A është në ADN-në tonë si shqiptarë?
Në fund të vitit 1995 dhe në fillim të vitit 1996, ndërsa isha akoma në Universitetin e Karolinës së Veriut në Chapel Hill (SHBA), një debat i ashpër nisi në një prej faqeve të diasporës shqiptare në Internet, që administrohej nga Buffalo (New York), lidhur me emrin dhe veprën e shkrimtarit tonë më të shquar, Ismail Kadare.
Ky debat u shndërrua thuajse në një “luftë” të vërtetë fjalësh dhe sharjesh ndaj shkrimtarit tonë të madh. Në të u përfshinë kryesisht shqiptarë emigrantë të rinj (jo nga diaspora e vjetër), që jetonin jashtë Shqipërisë. Në Shqipëri, Interneti ende nuk ishte bërë një medium i përdorur gjerësisht.
Që emri dhe vepra e Kadaresë ishin bërë edhe më parë objekt sulmesh, kjo nuk ishte e panjohur për mua. Vetëm gjatë tre muajve (shtator-nëntor) 2005, në tre prej gazetave shqiptare që dilnin në Tiranë―Sot, Republika dhe Ballkan―emri dhe vepra e Kadaresë u sulmuan në mënyrën më irracionale mbi dyzet herë (komunikim personal me Helena Kadarenë më 7 dhjetor 2005).
Nuk them ndonjë gjë të re nëse vë në dukje se kundërshtarët dhe dashakeqësit e Kadaresë, pavarësisht agresivitetit me të cilin e kanë sulmuar personalitetin dhe veprën e shkrimtarit tonë të madh, kanë qenë e janë shumë të paktë në krahasim me admiruesit e veprës së tij dhe dashamirësit e tij të shumtë.
Sidoqoftë, unë dëshpërohem dhe indinjohem pa masë kur shoh që, ndërsa veprën letrare të Kadaresë e çmojnë në çdo vend të Europës dhe kudo në botë, i vetmi vend ku atë e kanë sulmuar individë të veçantë është vendi i tij, vendi ynë—Shqipëria. Kjo është simptomë e një fenomeni arkaik shqiptar dhe, padyshim, një tregues i shkallës së qytetërimit tonë si komb.
Sa herë kam lexuar ndonjë shkrim “anti-kadarejan”, kam thënë me vete:O zot, kur do të pushojë ndonjëherë kjo lloj lufte destruktive mes shqiptarëve? Jemi një popull kaq i vogël dhe e vetmja gjë që dimë të bëjmë më mirë është të shajmë e të përpiqemi të shkatërrojmë Tjetrin. Mundësisht ta vrasim, ta heqim qafe, ta varrosim e ta harrojmë. Madje, edhe pasi ta kemi varrosur e harruar, t’i kthehemi të vrarit e ta zhvarrosim, ta vrasim e përsëri ta varrosim. Sepse i vrarë një herë, njeriu i aftë përsëri nuk na qetëson ndërgjegjen. Ai duhet vrarë dhe rivrarë. Kështu jetët tona konsumohen duke u marë si me të gjallët, ashtu dhe me të vdekurit.
O zot, kur do të vijë ajo ditë që të na ndajë një herë e përgjithmonë nga kjo psikologji shkatërrimtare dhe nga metodat barbare të deformimit apo të shkatërrimit të figurës së Tjetrit, sidomos të njerëzve më të shquar të kombit tonë?
Miku im Peter Lucas, gazetar i njohur me origjinë shqiptare në Shtetet e Bashkuara shprehej në atë kohë i habitur kur shihte se si disa shqiptarë kritizerë, që s’kishin vetë asnjë vlerë, vazhdonin të mbanin një qëndrim dashakeqës ndaj Kadaresë. Ai besonte se shqiptarët duhet të kenë një “difekt në kompozimin e tyre gjenetik”.
“Ky difekt në ADN-në e tyre”, shkruante Lucas, “i bën shqiptarët që të urrejnë, të përbuzin dhe t’i kenë zili ata bashkëkombas të tyre që arrijnë sukses dhe ngrihen mbi klanin apo fisin e tyre. Ky difekt gjenetik, i trashëguar duket brez pas brezi, bën që një shqiptar, si Kadareja, i cili ngrihet në madhështi, mund të shahet, të shpërfillet, ose të ndëshkohet ngaqë guxon të jetë i madh. Në vend që me krenari ta ngrenë atë mbi supet e tyre, njerëz xhelozë e të paaftë do të preferonin ta ulnin dhe ta shanin këtë njeri të madh”.
– Përmasat kolosale të letërsisë së Kadaresë
Se cili është Ismail Kadare këtë askush nuk ka nevojë ta mësojë nga unë. Shumë studjues seriozë shqiptarë të veprës së Kadaresë kanë argumentuar me kohë dimensionet e vërteta, karakterin emancipues dhe vlerat e shumta estetike që përmban vepra letrare e tij.
Vlerësimin e veprës letrare të Kadaresë e kanë bërë, gjithashtu, qindra kritikë letrarë dhe studjues të huaj. Sipas vlerësimeve të shumë prej tyre, Ismail Kadare është Hemingueji i kohës sonë dhe një talent letrar po kaq i fuqishëm, sa dhe Balzaku, Dostojevski dhe Kafka.Unë nuk jam kritik letrar, por kam qenë e mbetem një lexues i pasionuar dhe admirues i veprës letrare të Kadaresë dhe, po kështu, një mik dhe dashamirës i tij. Arsyeja pse shkruaj sot për Kadarenë është po ajo që më ka shtyrë të shkruaj për të në mes të viteve 1990.
Për mua, përmasat dhe rëndësia e krijimtarisë letrare të Kadaresë në kulturën dhe shoqërinë shqiptare janë kolosale. Prandaj, si intelektual, e ndiej të nevojshme të shprehem, të mos hesht, kur shoh se në ç’mënyrë sulmohen nga disa emri dhe vepra e shkrimtarit tonë të madh dhe, bashkë me to, letërsia më e mirë shqiptare dhe vetë kultura jonë kombëtare.
Siç theksova më sipër, nuk më përket mua të flas për vlerat e letërsisë së Kadaresë. Por unë mund të them këtë: Çdo komb do të ishte krenar po të kish lindur një shkrimtar të jashtëzakonshëm, me pushtet të tillë mbi shpirtrat dhe ndërgjegjen e njerëzve, si Ismail Kadare. Shumica dërrmuese e shqiptarëve, brenda apo jashtë territorit të shtetit mëmë, krenohen me të, siç krenohen edhe me emrin e Nënë Terezës, sa herë që rasti e sjell të përmendim figura ndër më të shquarat e kombit shqiptar.
Vepra e Kadaresë është një pasuri e çmuar kombëtare për popullin tonë. Kushdo që e ka lexuar dhe e njeh atë, pavarësisht bindjeve politike që mund të ketë, është në gjendje t’i çmojë përmasat dhe vlerën reale të saj. Unë kam bindjen e thellë se ata që e kanë sulmuar Kadarenë janë ndër ata njerëz që ose nuk e kanë lexuar veprën e tij, ose nuk kanë mundur ta kuptojnë atë.
Është i njohur për këdo fakti që Ismail Kadare ka qenë disa herë në listën e shkurtër të kandidatëve për Çmimin Nobel në letërsi. Ai vlerësohet si një kolos i letërsisë moderne në shumë vende të Europës. Franca e ka nderuar atë me Urdhërin më të lartë, atë të Legjionit të Nderit. Franca, gjithashtu, e zgjodhi Kadarenë e Shqipërisë anëtar për jetë të Akademisë së saj të Shkencave Morale e Politike (l’Académie des sciences morales et politiques) më 1996, për të zëvendësuar filozofin e madh Karl Popper pas vdekjes, pra mes të njëjtit grup personalitetesh të shquar, si dhe Vaslav Havel, Papa Bonifaci XVI, Mbreti Juan Carlos etj.
Në vitin 2005, Kadare u bë i pari shkrimtar bashkëkohor që mori Çmimin Ndërkombëtar “Man Booker”. Këtë çmim prestigjioz nuk e morën atë vit as Gabriel García Márquez, as Milan Kundera, as Margaret Atwood, as Philip Roth dhe as John Updike, që ishin finalistët për të. Atë ia dhanë shkrimtarit tonë Ismail Kadare.
– Kadare dhe Heminguej
Në vizitën e tij të parë në Shqipërinë e prindërve të tij, në verë të vitit 1986, Peter Lucas mori një kopje të Gjeneralit të ushtrisë së vdekur në anglisht. Më bëri kurioz me mënyrën se si ai nisi ta lexojë këtë libër. Gjenerali ishte e para vepër e Kadaresë që ai merrte në dorë. Duke pirë kafe me të, pasi lexoi faqen e parë të romanit, Peter tha: “Heminguej”.“Çfarë?”, e pyeta unë nga që nuk e kisha mendjen dhe nuk e prisja këtë reagim të tij. – “Fatos”, më tha ai, “ky është një shkrimtar i madh. Stili i tij mund të krahasohet me atë të Heminguejit”.
Më erdhi mirë që i dëgjova këto fjalë, edhe pse Peter kishte lexuar vetëm faqen e parë të romanit. Kurioziteti im u shtua më shumë kur pashë se ai, pasi lexoi faqen e dytë të librit, e mbylli atë për të vazhduar kafenë. Kështu bëri edhe pasi lexoi faqen e tretë. Edhe pas faqes së katërt. Atë ditë ai nuk lexoi më shumë se një faqe pa e ndërprerë leximin. Për një moment mendova se pas leximit të faqeve të para të romanit përshtypja e tij mund të kishte ndryshuar, prandaj e pyeta: “Peter, nuk të tërheq më?”.
Përgjigja e tij më ka mbetur në mendje edhe sot e kësaj dite: “Nuk dua të lexoj më shumë dhe më shpejt sepse nuk dua ta mbaroj këtë libër. Ka kohë që nuk kam lexuar letërsi të tillë dhe nuk e di se kur do më bjerë rasti të lexoj përsëri një libër si ky”. Të nesërmen në mënges, Lucas më tha se e kishte mbaruar së lexuari Gjeneralin gjatë natës.
– Kadare në Shtëpinë e Bardhë
Në një artikull mbi imazhin publik të Shqipërisë, kam përshkruar pak kohë më parë takimin e një mikut tim intelektual në Uashington, Bruce Jackson, me Ismail Kadarenë në Tiranë, në vjeshtë të vitit 2002. Jackson ishte i lidhur ngushtë me qarqet më të larta të administratës së presidentit George W. Bush, por deri në atë kohë nuk kishte lexuar asnjë prej veprave të Kadaresë dhe as nuk kishte dëgjuar për të.
Pasi u kthye në Uashington, bleu dhe lexoi disa prej romaneve të tij dhe, në një rast, më pohoi se Kadare është një shkrimtar po aq europian sa edhe shkrimtarët francezë, gjermanë apo anglezë, madje më i madh se sa të gjithë ata shkrimtarë europianë që ai kishte lexuar deri atëherë.
I entuziazmuar nga “zbulimi” që kish bërë në personalitetin, letërsinë dhe filozofinë europiane të Kadaresë, Jackson i dhuroi atë vit për Krishtindje një kopje të “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur” këshilltares së presidentit Bush për Çështjet e Sigurisë Kombëtare, Condoleezza Rice. Kjo vepër e shkrimtarit tonë më të madh ishte, sipas tij, një prezantim shumë më i mirë në Shtëpinë e Bardhë i tipareve europiane të popullit shqiptar se sa politikat e qeverisë së tij.
– Dimri i vetmisë së madhe
Ismail Kadare është një personalitet i fuqishëm intelektual, i cili ka bërë më shumë se kushdo tjetër që Shqipëria, me historinë e saj kurioze, me kulturën, artin dhe vlerat më të mira të shoqërisë së saj, të jetë bërë e të mbetet pjesë e ndërgjegjes politike e letrare të Europës dhe pjesë e hartës kulturore në mendësinë e qytetarëve të saj.
Pjesa më e madhe e veprave të Kadaresë kanë qenë të tilla që u kanë çelur sytë qindra mijë shqiptarëve që e provuan si eksperiencë të tyre ekzistenciale periudhën e regjimit komunist.
Unë vetë, isha akoma nxënës në shkollën e mesme Petro Nini Luarasi në Tiranë kur romani i tij “Dimri i vetmisë së madhe” u botua për herë të parë, më 1972. Edhe pse ka njerëz që mendojnë se, veçanërisht ky roman i Kadaresë i ka bërë shërbim Enver Hoxhës dhe diktaturës së tij, për mua, ky është një gjykim aq vulgar, sa me të nuk ia vlen të merresh.
Ajo që unë kujtoj më së miri nga ai roman, ishte një fjali e vetme, “e fshehur”, por, sidoqoftë, e thënë në një prej qindra faqeve të Dimrit. Nëse memorja nuk më ka tradhëtuar, kjo fjali thoshte, as më shumë, as më pak, se socializmi është një luftë e vazhdueshme mes të aftëve dhe të paaftëve, në të cilën, si rregull, fitojnë të paaftët.
Edhe pse, në pamje të parë, ky pohim dukej se nuk kishte lidhje me përmbajtjen e atij romani, për mua dhe shumë të tjerë në atë kohë kjo fjali—jo Mbledhja e Moskës—përbënte mesazhin e madh filozofik dhe sociologjik të atij romani. Kjo ishte arsyeja që në botimin e dytë të romanit, i cili doli nën titullin Dimri i madh disa vite më vonë, ajo fjali u fshi nga censura e kohës.
Dimri i Kadaresë ishte shokues dhe një vepër vërtet emancipuese, sidomos për brezin e ri të atyre viteve. Në imagjinatën tonë, në atë kohë, shprehja “njerëz të paaftë”, për të cilët fliste shkrimtari i madh, përkthehej lehtazi si “aparatçikët e burokracisë partiake dhe shtetrore”. Një fjali e vetme kishte thënë esencën e moralit politik dhe tiparin sociologjik më esencial të administratës komuniste.
Pa ekzagjerim mund të them se kjo vepër e Kadaresë dhe shumë nga romanet e tjerë të tij kanë pasur po atë meritë të padiskutueshme për emancipimin kulturor e qytetar të shoqërisë shqiptare dhe për transformimin politik rrënjësor të saj më 1990, që kanë pasur edhe romani e Ivan Turgenjevit Kujtimet e një gjahtari për të bindur Carin Aleksandër II që t’i jepte fund bujkrobërisë në Rusi, ose libri i Hariet Biçër, Kasollja e Xha Tomit për t’i dhënë fund Luftës Civile dhe, bashkë me të, për të përshpejtuar fundin e skllavërisë në Shtetet e Bashkuara.
Shumëkush nga ne mund të kujtojë se, në demostratat e dhjetorit 1990, shumë nga studentët e Universitetit të Tiranës që kërkonin dhe sollën pluralizmin politik, demokracinë dhe respektimin e të drejtave e të lirive të individit në Shqipëri, mbanin në duar portretin e Ismail Kadaresë. Të Kadaresë dhe të askujt tjetër.
Unë nuk i njoh personalisht ata që kanë shkruar kundër shkrimtarit tonë më të madh, por, besoj se shumë prej tyre nuk i kanë jetuar vitet 1970, nuk i kanë jetuar ato në Tiranë, ose, akoma më keq, nëse kanë qenë vërdallë në atë kohë, nuk e kanë kuptuar kohën e tyre.Ajo kohë, përveç represionit të egër dhe burgjeve, kishte edhe një jetë të pasur artistike dhe intelektuale që lëvizte, ndonëse nën frikën, trysninë dhe kontrollin e rreptë të diktaturës, në arteriet më të thella të shoqërisë shqiptare, duke i dhënë gjakut të saj oksigjenin e domosdoshëm për mbijetesë.
Si shumë të tjerë që u rritëm dhe u socializuam në ato vite, unë i kam ndjerë dhe vazhdoj t’i ndjej e t’i çmoj edhe sot autoritetin moral, kulturor dhe intelektual të Kadaresë dhe ndikimin e veprës së tij letrare në jetët time dhe në jetën kolektive të shoqërisë sonë.
– Kadare në “fermën e kafshëve”, por … “një qeveri tjetër”
Është e vërtetë se, në atë kohë, Ismail Kadare ka qenë relativisht i lirë—vetëm relativisht i lirë—të udhëtonte në Francë, pasi çdo libër i tij është botuar më parë në frëngjisht para se të përkthehej e të botohej në gjuhë të tjera (mbi dyzet të tilla deri më sot), në një kohë kur pjesa dërrmuese e shqiptarëve dhe e shkrimtarëve shqiptarë nuk ishin të lirë ta linin “Gulagun” tonë.
Në Shqipëri, ashtu si në disa prej vendeve të tjera të Europës Lindore, jo të gjitha “kafshët”, po të huazoj metaforën e Orwellit në romanin e tij distopik Ferma e kafshëve, ishin të barabarta. Por, edhe talentet krijuese të njerëzve nuk ishin të tilla. Nuk janë as sot. Nuk janë askund. Dhe nuk mund të jenë asnjëherë.
Sidoqoftë, nëse Kadare ishte relativisht më i lirë―e përsëris, vetëm relativisht më i lirë―se sa shkrimtarët dhe intelektualët e tjerë shqiptarë, kjo i atribuohet talentit dhe autoritetit të tij dhe jo ndonjë arsyeje tjetër.
Kadare nuk ishte i përkëdheluri i diktaturës komuniste por ndërgjegja e asaj lëvizjeje intelektuale dhe e lëvizjes studentore që u ngritën kundër saj. Të përkëdhelurit e diktaturës ishin të tjerë shkrimtarë. Si rregull, ata ishin shkrimtarë mediokër, disa prej tyre edhe spiunë apo informatorë të rëndomtë, sepse vetëm ndërgjegjja e shkrimtarëve të tillë mund t’u sillte shërbime Partisë dhe diktaturës së saj.
Pavarësisht talentit të tij të pakrahasueshëm me asnjë autor tjetër shqiptar, Kadare provoi censurën komuniste njëlloj si shkrimtarët e tjerë. Nëse ai botoi më shumë se të tjerët, kjo shpjegohet me faktin se ai krijoi më shumë letërsi se sa të tjerët dhe, mbi të gjitha, një letërsi të nivelit botëror.Kadaresë, ashtu si shumë shkrimtarëve të tjerë, censura komuniste ia hoqi nga qarkullimi disa prej veprave të tij.
“Koncerti” i tij u mbajt i pabotuar për 11 vite. Pse? Përgjigjen e kësaj pyetjeje, më mirë se unë, e gjejmë në fjalët e Solzhenicinit në librin e tij Rrethi i parë: “Për një vend, që të ketë një shkrimtar të madh, është njësoj si të ketë një qeveri tjetër” (Në anglisht, nga janë përkthyer këto fjalë, ato lexojnë: “For a country to have a great writer is like having another government”).
– “Samizdati” i Shqipërisë komuniste
Duhet t’i kesh jetuar si i ri apo si i rritur vitet 1970 për të kuptuar se ç’përfaqësonte letërsia e Kadaresë për brezin e ri të asaj kohe, si dhe ndikimin e saj në formimin kulturor e qytetar të rinisë shqiptare. Pothuajse asnjë nga romanet e Kadaresë në atë kohë nuk është shitur në rrugë normale, në libraritë e vendit. Shumë prej tyre “vidheshin” që në shtypshkronjë, akoma pa u njoftuar zyrtarisht botimi i tyre dhe pa u vlerësuar nga kritika, ose shpërndaheshin nga librarët nën banak, ose edhe pa i hapur fare libraritë e tyre.
Ato lexoheshin nga të gjithë, madje brenda javës së parë nga botimi i tyre. Studentët dhe gjimnazistët e Tiranës, të Durrësit, të Shkodrës, të Gjirokastrës, të Korçës, të Vlorës apo të Elbasanit flinin me romanet e Kadaresë nën jastëk, madje kalonin netë pa gjumë për t’i mbaruar së lexuari ato, në mënyrë që t’ua pasonin të nesërmen shokëve të tyre.
Edhe pse të gjitha veprat e Kadaresë në atë kohë janë botuar nga një shtëpi botuese shtetrore, ato ishin, në një kuptim real të fjalës, samizdati i Shqipërisë komuniste dhe vetë Kadare ishte, në fakt, një forcë për të vërtetën, që i nevojitej mjaft skenës letrare e kulturore shqiptare.
Nëse ka njerëz cinikë që mund të pyesin se çfarë ndryshoi Kadareja në botën empirike të shoqërisë shqiptare të periudhës para viteve 1990, një përgjigje mund të ishte ajo e poetit të njohur amerikan, W. H. Auden, se “asnjë nga poemat antifashiste të viteve 1930 nuk e pengoi Hitlerin të vinte në pushtet”.
– Një letërsi humanizuese
Duke kthyer vështrimin në atë periudhë, unë kuptoj se horizonti kulturor dhe ndërgjegja ime qytetare do të kishin qenë sot më të kufizuara nëse, si gjimnazist, ose si student, nuk do të kisha lexuar letërsinë më të mirë të Kadaresë. Sepse, pavarësisht kohës ose vendit ku jetojmë, letërsia e mirë ka aftësinë të gjenerojë ide, të frymëzojë qëndrime e të ndryshojë mënyrën se si ne i shohim veten, të tjerët dhe shoqërinë në të cilën jetojmë. Këtë aftësi, në letërsinë shqipe nuk e shohim askund më mirë e më qartë sesa në veprat e Kadaresë, duke nisur nga epikat imagjinare, te kredoja filozofike e tij.
Shumë nga ne, përmes letërsisë, provojmë eksperienca humane emocionalisht nga më të fuqishmet, madje disa prej eksperiencave tona më humanizuese. Humanizuese në një kuptim thuajse fetar—në të kuptuarit prej nesh të nevojës për të falur, të kufijve deri ku mund të shkojë hakmarrja, të pasojave që vijnë nga etja për pushtet, të degradimit moral që shkakton abuzimi me pushtetin dhe me të tjerët.
Doni, fjala vjen, të kuptoni kufijtë e egoizmit? Lexoni Mulliri në Flos të Xhorxh Eliotit. Kufijtë e pasurisë? Lexoni Getsbi i madh të F. Skot Fitzxheraldit. Zgjedhjet në sjelljen morale të njerëzve? Lexoni Krim dhe ndëshkim dhe Vëllezërit Karamazovë të Dostojevskit. Tragjedinë dhe, bashkë me të, iluzionin e ambicies njerëzore? Lexoni Makbethin.
Kadare është shkrimtari më inovativ shqiptar dhe, pa ekzagjerim, mund të them se pa letërsinë e Kadaresë, fati i letërsisë shqipe dhe i një pjese të kulturës artistike shqiptare do të kishin qenë krejt tjetër sot. Ai jo vetëm e ndryshoi letërsinë moderne shqiptare, por edhe ndihmoi në krijimin e saj.
Ashtu si Heminguej, Kadare ndryshoi mënyrën se si ne shkruajmë dhe lexojmë letërsi sot, duke vendosur një standard të tillë në letrat shqipe—veçanërisht me stilin e tij mjeshtëror e të fuqishëm dhe me artin e narracionit—të cilin vështirë se do ta arrijë ndonjë autor tjetër për një kohë shumë të gjatë.
Kadare nuk (mund të) ishte Havel, siç Hemingueji nuk (mund të) ishte TrumanËshtë thënë ndonjëherë se Kadareja nuk duhej të ishte larguar nga vendi i tij më 1990, por duhej të kishte qëndruar në Shqipëri e të ishte bërë pjesë e klasës politike shqiptare, madje një Vaclav Havel i saj. Disa, madje, e kanë sulmuar Kadarenë shumë ashpër pikërisht pse ai nuk zgjodhi të bëhej një Havel i dytë, duke kërkuar postin e presidentit të Shqipërisë postkomuniste.
Unë asnjëherë nuk e kam kuptuar përse Kadare duhej të imitonte Havelin. Vaclav Havel, i cili nuk ishte një shkrimtar i madh—dhe në kushte krejt të tjera nga Kadare—zgjodhi si karrierë politikën dhe, natyrisht, për atë që ka bërë për popullin e tij çek, për humanitetin dhe “instinktin” e tij demokratik, ai mbetet një personalitet shumë i respektuar.
Nëse Kadare nuk zgjodhi politikën, këtë, për mendimin tim, e ka bërë sepse ai është një shkrimtar i madh. Një shkrimtar i madh nuk mund të jetë politikan, ndryshe arti i tij vdes. Dhe, artisti i vërtetë, në asnjë rrethanë nuk e ndërron artin e tij me politikën e të tjerëve.
Kadarenë dhe, bashkë me të, letërsinë e tij të madhe, do t’i kishin vrarë politika shqiptare, sherret dhe instiktet e saj primitive të hakmarrjes, horrllëku i asaj klase politikanësh që mbijeton me korrupsionin, pavarësisht krahut në të cilin ata ulen në parlament, në të majtë apo në të djathtë.
T’i kërkoje Kadaresë të ishte bërë “Vaclav Havel”, është njëlloj si t’i kërkoje Heminguejit të ishte bërë president i Amerikës, në vend të Trumanit. T’i kërkoje Kadaresë të ishte bërë “Havel i Shqipërisë”, do të thotë të dëshiroje vdekjen e tij si shkrimtar i madh dhe shndërrimin e tij në një politikan të rëndomtë.
Kadarenë dhe letërsinë e tij të madhe do t’i kishte vrarë politika shqiptare. Politikanë, si rregull, bëhen ata njerëz që s’bëjnë dot art të madh, ata njerëz që nuk bëjnë dot shkencë të vërtetë, ose ata që, përmes politikës, kërkojnë një emër ose prestigj që nuk i fitojnë dot me profesionin dhe aftësitë e tyre.
Më vijnë ndër mend këtu fjalët e shkrimtarit të njohur amerikan E. B. Wajt, i cili, në një intervistë dhënë njërës prej revistave letrare më të njohura, The Paris Review, më 1969, shprehej: “Unë nuk ndiej asnjë përgjegjësi për t’u marrë me politikë. Unë ndiej përgjegjësi ndaj shoqërisë, për shkak se veprat e mia publikohen: një shkrimtar ka për detyrë të jetë i vërtetë, jo fals; i saktë, jo i gabuar. Ai duhet të synojë ta ngrejë moralin e njerëzve, jo ta ulë atë. Shkrimtarët jo vetëm e pasqyrojnë dhe e interpretojnë jetën; ata e informojnë atë dhe ndikojnë mbi të”. Kadare është pikërisht një shkrimtar i tillë.
– Gjeniut i falen dobësitë dhe gabimet njerëzore
Por a është Kadare një njeri i madh? Natyrisht, ai nuk është e s’mund të pritej të ishte një Martin Luter King, Jr., një Mahatma Gandi apo një Desmond Tutu. Kjo, sidoqoftë, nuk i justifikon në asnjë mënyrë ata që e kanë e sulmuar ose e kritikojnë shkrimtarin e madh Kadare për shkak të karakterit të tij “të vogël”, ose për natyrën e tij “të vështirë”.
Kadare, si çdo qenie njerëzore, nuk është i përsosur. Por cili individ njerëzor ka qenë ndonjëherë një qenie e përsosur? Edhe sikur, si një individ njerëzor, Kadare të ketë të meta (siç ka çdonjëri nga ne), edhe sikur, në jetën e tij, Kadare të ketë bërë gabime (siç bëjmë të gjithë), unë do t’ia falja ato. Gjeniut i falen dobësitë dhe gabimet njerëzore.
Marksi ka qenë një njeri i vështirë, por i madh. Sartri ka qenë akoma më i vështirë, por gjithashtu i madh. Dostojevski ka qenë një njeri shumë i vështirë, por një kolos i vërtetë në letërsi. Hemingueji ka qenë gjithashtu shumë i vështirë si njeri, veçanërisht me gratë, por kush mund të matet me të për nga gjenia letrare? Kadare u ngjan këtyre kolosëve. Ai i përket së njëjtës klasë njerëzish të mëdhenj, gjeninë letrare të të cilëve nuk e ka mohuar askush prej kritikëve të shquar të veprës të tyre, edhe ata që nuk ua kanë pasur qejf “veset” individuale.
Aq më tepër një gjeniu të tillë të letrave si Ismail Kadare, i cili na jep një fytyrë qytetarie dhe europiane të gjithëve ne si shqiptarë. Pa Kadarenë dhe letërsinë e tij të madhe europiane, sot, Europa do të na shihte si “muxhahedinë”. Siç kam venë në dukje edhe disa kohë më parë, vepra e Kadaresë ka qenë dhe mbetet një arsenal i jashtëzakonshëm i mundësisë intelektuale të popullit tonë për të fituar admirimin e Europës.
Kur shërbeja si ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Hollandës, Ismail Kadarenë e kërkonin kudo, madje edhe në komisionin e politikës së jashtme të parlamentit të atij vendi, që të fliste për Shqipërinë, por të fliste edhe për Europën. Kadare ka qenë dhe mbetet një simbol i karakterit europian, properëndimor të popullit tonë dhe, si i tillë, një vlerë e çmuar për krijimin e një imazhi pozitiv dhe properëndimor për vendin tonë. Kadaresë duhet t’i shprehim mirënjohjen tonë që me letërsinë e tij, i kujton Europës vazhdimisht se e ka lindur një popull me identitet të spikatur europian.
– Të vdekshmit e pavdekshëm
Të gjithë jemi njerëz të vdekshëm. Edhe Shekspiri ka vdekur. Edhe Balzaku, Tolstoi, Dostojevski dhe Hemingueji kanë vdekur. Por, ndërsa mua dhe shumë nga ju, ashtu si shumicën e racës sonë njerëzore, do të na harrojnë të nesërmen pas vdekjes sonë, sepse nuk do të kemi lënë ndonjë gjë me vlerë të veçantë për të cilën të na kujtojnë, Kadarenë do ta lexojnë breza të tërë për shekuj me radhë, ashtu siç lexojnë sot Shekspirin, Balzakun, Tolstoin, Dostojevskin dhe Heminguejin. Sepse këta i përkasin racës së pavdekshme të njerëzimit.
(Minneapolis, nëntor 2005; Ann Arbor, janar 2006).
Burimi