Gjyqtarja e Elbasanit do eliminonte Saimir Kodrën mes grupit kriminal Çopja
Gjyqtarja e Elbasanit Pajtime Fetahu, është zbuluar nga përgjimet e SPAK se ka dashur të eliminojë Saimir Kodrën nëpërmjet grupit kriminal Çopja, ngjarje kjo që ka tronditur sistemin e drejtësisë.
Gjyqtarja është vënë në shënjestër të Kodrës e sipas përgjimeve, ka komunikuar me kriminelë të rrezikshëm përmes një telefoni SkyEcc të siguruar nga një anëtar i bandës Çopja. Në bisedat e zbuluara, ajo ka porositur eleminimin e Kodrës.
Në këtë skemë përfshihen Endri dhe Klejdi Çopja, anëtarë të njohur të botës së krimit dhe pjesë e grupit të Suel Çelës. Endri Çopja, një personazh me precedentë të shumtë kriminalë, akuzohet për atentate të mëparshme, përfshirë sulmin me tritol ndaj Lulzim Kullës në 2018 dhe një përplasje me policinë e Elbasanit në 2017-ës.
Nga përgjimet rezulton se gjyqtarja, përmes vajzës së saj Megi Fetahu, ka ndërtuar lidhjen me grupin kriminal, duke siguruar mbështetjen e tyre për hakmarrje edhe të avokatit të Kodrës Arben Llangozi. E bija Megi Fetahu, në një bisedë, i ka thënë grupit kriminal “mami u kënaq kur i thashë se do të flasë me ju”.
Sipas komunikimeve mes grupit kriminal dhe gjyqtares, tentativa për të eliminuar Kodrën ka dështuar, pasi ai ishte i vështirë për t’u lokalizuar pasi ruhej vazhdimisht.
Një nga anëtarët e grupit, Marjus Lulaj, në një mesazh drejtuar Fetahut, shkruan:
“Për çunin e vogël…nuk ka asnjë lidhje me djegien e makinave. Ai mund të ketë djegur shpin e familjarëve të Sajmirit të Stopit, ktë se kam të sigurt hahaha. Në fakt atë e kan ba shokët e mir Endri me Kledin. Në fakt unë doja ta dëmtoja direkt Saimirin. Ishte e pamundur, ruhej shumë. Flinte te “Plaza” vetë qeni, por do ta kap. Atë që të ka ba ty ai do ta paguajë 10-fish. Do më falësh që nuk jam marrë shumë me të, se e di jemi të ngarkuar. Ta kalojmë këtë valë, nuk të falet, do ta paguajë për atë që të ka bërë ty. Me atë jan marrë personalisht shokët e mi të ngushtë Endri me Kledin“.
Përveç gazetarit, gjyqtarja kishte në shënjestër edhe avokatin Arben Llangozi, të cilin e shihte si person kyç që furnizonte Kodrën me informacione për aferat e saj. Grupi kriminal i Suel Çelës e ka kërcënuar avokatin Llangozi se do të kishte të njëjtin fat si Ravik Gurra, avokati i vrarë në vitin 2019 në mes të Elbasanit.
Nga dosja hetimore rezulton se gjyqtarja ishte e shqetësuar nga rreziku i pezullimit nga detyra për shkak të denoncimeve publike dhe kërcënonte grupin kriminal për mungesë mbështetjeje nëse denoncimet ndaj saj vazhdonin.
j.l./ dita
Burimi