Fjalor i paradokseve (II)

Fjalor i paradokseve (II)

Gazeta Dita nis botimin e “paradokseve” që sociologu dhe intelektuali i njohur publik, Fatos Tarifa, ka definuar në një prej librave të tij të fundit, titulluar Fjalor i paradokseve (botim i Onufrit). Redaksia e Ditës ka lejen e autorit për t’i riprodhuar paradokset që shpjegohen në këtë libër në faqet e saj, integralisht dhe në rend alfabetik, siç janë botuar nga vetë autori, për t’ua bërë ato të njohura një publiku sa më të gjerë. Ribotimi i tyre në këtë gazetë nis sot me disa fragmente nga parathënia që Prof. Tarifa ka shkruar për këtë libër.
 
Nga Fatos Tarifa
Nuk kisha menduar ndonjëherë se, në morinë e punëve të mia dhe mes angazhimeve të shumta akademike e profesionale, do të gjeja kohë të shkruaja e të përgatisja për botim një libër si ky. Shtysë për të u bë një vëllim i vogël nga Gustave Flaubert, i titulluar Fjalori i ideve të pranuara (The Dictionary of Accepted Ideas), botuar pas vdekjes së tij, në frëngjisht, nën titullin Dictionnaire des Idées Reçues.
Para se të përfshihesha në këtë sipërmarrje intelektuale, më është dashur të marr një vendim. Hartimi dhe botimi i një vëllimi si ky kërkonte domosdoshmërisht që të bëja një zgjedhje: të shprehja hapur ato çfarë unë realisht mendoj dhe bindjet që mbroj, duke rrezikuar që fjalët e mia të shkëputen nga konteksti e të përdoren kundër meje nga njerëz të caktuar, apo ta censuroja veten dhe t’i modifikoja pikëpamjet e mia në atë mënyrë, që ato të bëheshin të pranueshme për mendësinë konservatore ende sunduese në shoqërinë tonë dhe për hipokrizinë morale të një pjese të madhe të saj?
Për mua, zgjedhja ishte e lehtë: të shprehja lirisht mendimet që kam, pa i burgosuar ato në dhomën obskure të autocensurës. Nëse nuk jemi të vërtetë me veten tonë, nuk mund të jemi të vërtetë as me të tjerët. Edhe nëse pjesë të veçanta të këtij vëllimi mund të duken të ngarkuara me emocione personale, kjo ka ndodhur për shkak të emocioneve intelektuale që më kanë shoqëruar gjatë hartimit të tij.
Forma në të cilën është përgatitur ky vëllim e bën atë një libër të hapur. Pavarësisht se sa i dobishëm mund të jetë për lexuesin, kujtdo që e merr në dorë i lutem të mbajë parasysh se një libër si ky mund të shkruhej vetëm nëse njerëzit janë ende relativisht të lirë të mendojnë e të shprehin mendimet e tyre siç dëshirojnë dhe, po kështu, janë të gatshëm e të lirë që të pranojnë mendimet e të tjerëve. Nëse e çmoni atë, ju duhet gjithashtu të çmoni lirinë e shprehjes.

B-DH
B
BARAZI. Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk është nën të, çka do të thotë se askush nuk është e s’mund të jetë i përjashtuar nga detyrimi për të zbatuar ligjin.
BAROK. Një ndër dy llojet e seksit. Seksi klasik është romantik, refleksiv, serioz, emocional, “moral”, misterioz, spontan, i fokusuar te një person i veçantë dhe konvencionalisht feminin. Seksi barok është pop, i gjallë, eksperimentues, “amoral”, anonim, i qëllimshëm, i fokusuar te ndjesia për hir të ndjesisë dhe konvencionalisht maskulin.
BASHKËBISEDIM. E gjejmë në tri forma: si dialog (kur dy njerëz shkëmbejnë mendime), si dualog (kur dy njerëz flasin me njëri-tjetrin por nuk komunikojnë), si monolog (kur gjithnjë flet i njëjti njeri, ndërsa tjetri vetëm dëgjon, ose bën sikur dëgjon).
BASHKIMI EUROPIAN. Një projekt dhe një eksperiment madhështor i inxhinierisë sociale për të realizuar një integrim të plotë ekonomik e politik të të gjithë shteteve europianë, pa lejuar asnjërin prej tyre të dominojë mbi të tjerët. Disa euroentuziastë e konsiderojnë Bashkimin Europian si një lloj qytetërimi të ri, që gjoja i ka shpëtuar “botës hobesiane” të anarkisë dhe sot jeton në një “botë kantiane” paqeje, në një botë “post-historike”, “post-Westfaliane”, “post-moderne”, në të cilën interesat kombëtare partikulariste të shteteve dhe politika e forcës ua kanë lënë vendin së drejtës ndërkombëtare, institucioneve supranacionale dhe “sovranitetit në ortakësi”. Disa, madje, e konsiderojnë BE-në si një “model” për mënyrën se si do të duhej të organizohej bota në shekullin e 21-të, ose si një “laborator për të ardhmen e mbarë njerëzimit”. Ky vizion, të cilin për herë të parë e gjejmë te Viktor Hygo, i cili fliste për “Shtetet e Bashkuara të Europës”, sado i iluminuar që është, nuk ka gjasa të materializohet në një Europë, i cila, pavarësisht paqes së gjatë dhe prosperitetit të arritur qysh nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, vuan një krizë strukturore, një krizë legjitimiteti dhe ipso facto dëshmon deficitin demokratik të Bashkimit Europian. Nëse integrimi europian nuk thellohet në drejtim të federalizimit të Europës (siç mendonte George Washington 230 vite më parë dhe siç argumenton Anthony Giddens në ditët tona, pesha dhe roli i BE-së në ekonominë dhe në politikën globale do të bien përballë Amerikës, Kinës dhe fuqive të tjera që po ngrihen dhe vetë Bashkimi Europian mund të shpërbëhet.
BEATLES (The). Askush nuk ka qenë e s’mund të jetë si ata. The Beatles e ndryshuan peizazhin kulturor të Amerikës dhe ndikuan te rinia amerikane më shumë sesa kushdo nga idhujt e mëparshëm të saj. Idioma e muzikës së tyre—liri, dashuri, kënaqësi—ndryshoi shumëçka. Për ta do të flitet edhe pas njëmijë vitesh.
BEQAR. Dikush që ende nuk ka vendosur të martohet. Benedict: “Kur thoja se do të vdisja beqar, nuk mendoja se do të rroja deri sa të martohesha” (Shekspir, Shumë zhurmë për asgjë).
BESË. Premtim për të cilin flasin më shumë ata që nuk e mbajnë.
BESIM. Arma më e fortë për të arritur atë që duam.
BRANDO (Marlon). Pothuajse gjithçka që ai bëri ishte revolucionare. Asnjë aktor tjetër nuk ka qenë origjinal si ai.
BRAIN DRAIN. Humbja e njerëzve të talentuar e me përvojë është po aq serioze, në terma afatgjatë, sa edhe rrjedhja e parave jashtë vendit. Athina nuk e mori kurrë veten nga ikja e “trurit” të saj në Aleksandri, në kohën e sundimit të Ptolemeut, kur një numër i madh intelektualësh e lanë qendrën e dikurshme të kulturës, të artit e të filozofisë greke për t’u bërë pjesë e atmosferës intelektuale shumë më atraktive të Aleksandrisë. Kostandinopoja, ndonëse u rindërtua menjëherë nga turqit, nuk e mori më lidershipin e saj kulturor e shkencor pas emigrimit masiv të intelektualëve të saj në Europë, çka ndikoi mjaft në rigjallërimin kulturor të Europës, në zhvillimin shkencor e humanist të saj dhe, më vonë, në Rilindjen Europiane.
BURG. Vendi më i natyrshëm për kriminelët, politikanët dhe vetë juristët (Shekspir: “The first thing we do, let’s kill all the lawyers”, Henry IV).
BUTËSI. Një cilësi që e çmoj më shumë te njerëzit me karakter të fortë.
BUZËQESHJE. Buzëqeshja më e bukur është ajo e syve; kjo mund të quhej syqeshje.
 
D
DASHURI. Diçka që e japim jo për të marrë, por për të dhënë. Në dashuri, ashtu si dhe në politikë, në më të shumtën e rasteve fjalët dhe veprat nuk janë e njëjta gjë. Ajo çfarë themi për dashurinë, ose në emër të saj, nuk është gjithnjë e njëjtë me atë që bëjmë për të, ose në emër të saj.
DEMOKRACI. Një sistem politik që nuk i mundëson askujt të bëhet më i fuqishëm sesa populli. Fatkeqësisht, deri më sot, përveçse në teori, një sistem i tillë ende nuk është provuar se mund të ekzistojë realisht.
DEMOKRACI EUROPIANE. Bashkimi Europian nuk përfaqëson një demokraci parlamentare. Parlamenti Europian nuk krijon një qeveri europiane demokratike.
DËSHIRË. I’ve a mind to build a new world, want to play? Unë dua të ndërtoj një botë të re, dëshiron të bashkohesh edhe ti me mua? (Nikki Giovanni, A Very Simple Wish).
DET. Një botë e lirë, pa kufij, si çdo të dëshiroja të ishte bota në të cilën jetojmë. (Njeriu-peshk i Anaksimandrit).
DIJE. Dija është kujtesë sociale, një lidhje me të shkuarën; por ajo është edhe shpresë sociale, një investim për të ardhmen. Aftësia për të krijuar dije dhe për ta përdorur atë është një karakteristikë adaptuese e çdo qenieje njerëzore dhe e çdo organizimi shoqëror. Është përmes dijes që ne, si qenie humane, riprodhojmë vetveten dhe përsosemi përherë e më shumë, si individë dhe si shoqëri. Prodhimi i dijes është i pakufizuar dhe aksesi ndaj saj duhet të jetë universal. Unë nuk besoj se ka gjëra, të cilat do të ishte më mirë të mos i dinim, ose gjëra, që duhet t’i dinë vetëm disa njerëz, njëlloj siç nuk besoj se ka pikëpamje, të cilat nuk duhen shprehur. Sa më shumë ide dhe sa më shumë informacion që ne prodhojmë, aq më të mëdha janë mundësitë që të marrim vendime të drejta për të përmirësuar kushtet e ekzistencës, të mirëqenies e të përsosjes sonë si individë dhe si shoqëri.
DIMËR. E vetmja stinë që ndahet në dy vite, si një liqen i ftohtë që ndahet me kufi mes dy shtetesh.
DITËLINDJE. Asnjëherë nuk e kam kuptuar pse njerëzit i festojnë ditëlindjet e tyre. Në fakt, kjo është një sjellje irracionale.
TË DREJTA NJERËZORE. Njerëzit kanë identitete unike, që krijohen biologjikisht, shoqërisht e kulturalisht. Të drejtat e njeriut burojnë pikërisht nga kjo premisë, që njerëzit, pavarësisht dallimeve mes tyre, kanë të përbashkët një gjë esenciale—humanitetin—të qenët qenie njerëzore dhe të pasurit e aspiratave njerëzore. Këto të drejta janë “humane” sepse të gjitha qeniet njerëzore i kanë ato—njëlloj dhe në të njëjtën masë—për shkak të humanitetit të tyre, pavarësisht seksit, racës, moshës, pozitës shoqërore, klasës së cilës i përkasin, origjinës ose përkatësisë etnike, pavarësisht nëse janë të varfër ose të pasur, pavarësisht profesionit, talentit, meritave, fesë, ideologjisë ose përkatësive të tjera. Për shkak se kanë të bëjnë me humanitetin e çdo individi, të drejtat e njeriut janë universale; ato janë të patjetërsueshme e të padhunueshme. Këto të drejta nuk mund të transferohen, të mos i njihen, t’i mohohen, t’i hiqen ose t’i rrëmbehen askujt, as kur njerëzit nuk arrijnë dot që t’i ushtrojnë realisht ato.
DREJTËSI. Drejtësia është e mira supreme; padrejtësia, e keqja më e madhe. Por drejtësia nuk është sinonim i ligjit. Gjykatat vendosin në përputhje me ligjin; ato nuk vendosin drejtësinë. Një shtet ligjor duhet të jetë edhe një shtet i së drejtës. Pas çdo ligji duhet të ketë drejtësi. Drejtësia duhet të jetë synimi më i lartë i ligjit. Rrjedhimisht, natyra dhe suksesi i çdo sistemi ligjor vlerësohen e maten me shkallën e besnikërisë së tij ndaj idealit universal të drejtësisë.
DRITË. Gjithçka që shohim dhe, për këtë arsye, burimi i parë i çdo gjëje që njohim.
DYSHIM. Gjithnjë më i mirë sesa besimi i verbër.
 
DH
DHUNË. Pavarësisht llojit të saj, dhuna kthehet gjithnjë mbi atë që e nis dhe e ushtron.
DHURATË. Nuk është çmimi që e përcakton vlerën e saj, por mendimi që e shoqëron atë dhe njeriu që e jep. Një dhuratë, sado e shtrenjtë, nuk ka vlerë nëse ajo nuk përmban një mendim të bukur.
Burimi