Efektivët e policisë do të punojnë 4 orë më shumë deri më 15 shtator

Efektivët e policisë do të punojnë 4 orë më shumë deri më 15 shtator

Për të siguruar mbarëvajtjen e sezonit turistik, prej 16 qershorit policët do të punojnë 4 orë shtesë çdo ditë gjatë gjithë verës deri më 15 shtator. Orët shtesë do të kompensohen me pagë dhe do të kryhet bashkë me pagën mujore të muajit kur është kryer shërbimi.
Ky është vendimi që është marrë në mbledhjen e sotme të qeverisë. Policët po vijojnë të punojnë me 4 orë shtesë në ditë nga  data 16 qershor.
VENDIM
PËR DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.101, DATË 15.2.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KOHËN E PUNËS DHE TË PUSHIMIT NË POLICINË E SHTETIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 63, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 76-108, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:

Në kreun I, të vendimit nr.101, datë 15.2.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për kohën e punës dhe pushimit në Policinë e Shtetit”, bëhen këto shtesa:
a) Pas pikës 12 shtohen pikat 12/1 e 12/2,  me këtë përmbajtje:

12/1. Aktivizimi i punonjësve të policisë në punë/shërbim me zgjatje të kohës normale të punës/shërbimit, 4 (katër) orë për çdo turn/shërbim, bëhet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe realizohet gjatë sezonit turistik veror, për periudhën nga data 16 qershor deri në datën 15 shtator.
12/2. Zgjatja e kohës normale të punës/shërbimit, 4 (katër) orë për çdo turn/shërbim, gjatë sezonit turistik veror, për periudhën nga data 16 qershor deri në datën 15 shtator, kompensohet me pagë dhe pagesa kryhet bashkë me pagën mujore të muajit kur është kryer shërbimi.”.

b) Në pikën 13, pas fjalëve “… mbi kohën normale të punës …” shtohen “… dhe zgjatjes së kohës normale të punës/shërbimit …”.
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i shtetit për programin buxhetor “Policia e Shtetit”.
Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
i.b./dita
Burimi