Begaj nuk humbet kohë, dekreton menjëherë datën për zgjedhjet e reja në Himarë

Begaj nuk humbet kohë, dekreton menjëherë datën për zgjedhjet e reja në Himarë

Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar datën 4 gusht për mbajtjen e zgjedhjeve të reja për Bashkinë e Himarës.
Në një njoftim për mediat, Begaj thotë se pas njoftimit nga Këshilli i Ministrave për vakancën në bashkinë e Himarës si dhe pas konsultës me kreun e KQZ, Ilirjan Celibashi u vendos caktimi i datës 4 gusht, në pikun e sezonit turistik.
KQZ i hoqi sot mandatin Fredi Belerit, pasi ky i fundit u shpall fajtor dhe u dënua me 2 vite burg për korrupsion në zgjedhje.
Njoftimi i Presidencës:
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj dekreton zgjedhjet për kryetar bashkie në bashkinë Himarë.
Sot, Këshilli i Ministrave njoftoi zyrtarisht Presidentin e Republikës për vakancën e krijuar në bashkinë Himarë për shkak të konstatimit të pavlefshmërisë së mandatit të fituar nga z. Dhionisios (Alfred) Petro Beleri dhe kërkoi caktimin e datës së zgjedhjeve, brenda afateve që përcakton Kodi Zgjedhor.
Kryetari i zgjedhur i bashkisë Himarë është gjendur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në kushtet e pavlefshmërisë së mandatit, për shkak të dënimit me vendim të formës së prerë për veprën penale të “korrupsionit aktiv në zgjedhje”, të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Presidenti i Republikës, Z.Bajram Begaj thirri në konsultë z. Ilirjan Celibashi, Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve për t’u informuar lidhur me kapacitetet dhe gadishmërinë e institucionit menaxhues të zgjedhjeve, për zhvillimin e zgjedhjeve në këtë bashki, brenda kornizës kalendarike të Kodit Zgjedhor.
Pas kësaj konsulte, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z.Bajram Begaj dekretoi datën 4 gusht 2024 për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar bashkie në bashkinë Himarë, si alternativa më e mirë që pajton nevojën për përgatitjen dhe zhvillimin e një fushate të rregullt zgjedhore dhe nevojën për përgatitjen optimale të administratës zgjedhore, me kushtet, rrethanat dhe ngarkesën që sjell sezoni turistik për bashkinë Himarë, si njësi bregdetare e qeverisjes vendore.
i.b/dita
Burimi