“Ata që djegin flamurin kombëtar do dënohen”, Veliaj: As kryeministria e as bashkia s’janë godina personale

“Ata që djegin flamurin kombëtar do dënohen”, Veliaj: As kryeministria e as bashkia s’janë godina personale

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet për bllokun e banimit që kufizohet nga rrugët “Teodor Keko”, “Tom Plezha”, “Mikel Maruli” dhe “Loni Ligori”. Veliaj tha se falë këtyre investimeve, po rritet ndjeshëm vlera e pronës. Ai komentoi edhe pamjet e shëmtuara nga protesta e djeshme e opozitës, kur u dogj me molotovë flamuri kombëtar.
“E kuptoj kur ke ambicie për të kandiduar dhe shkon nga humbja në humbje me energji të jashtëzakonshme, siç ndodh me kundërshtarët tanë, por ta kthesh këtë ambicie në një produkt pune, ku digjet dhe përdhunohet simboli kombëtar, ku digjet flamuri kombëtar, ku digjen institucionet, që janë monument kulture, kjo s’ka kuptim. As kryeministria e as bashkia nuk janë godina personale, janë monumente kulture, që do i shërbejnë çdo qeverie dhe çdo bashkie që do të shërbejë aty. Kur shkon dhe djeg bashkinë, kryeministrinë, flamurin, tregon se je komplet jo dinjitoz për t’u konsideruar si një ofertë serioze”, tha ai.
Veliaj tha se punët bëhen për të gjithë njësoj, pa i ndarë njerëzit në të majtë apo të djathtë. Ai u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës që, ata që djegin flamurin, ata që djegin goma, ata që e lanë zonën pa një gramë asfalt, pa një shkollë, pa një kopësht, pa një çerdhe, me ndërtime kaotike, me një komunë të dalë jashtë kontrolli, me hipoteka dhe legalizime të papërfunduara, me pallate që ishin disfunksionale, t’i dënojnë përsëri në zgjedhjet e ardhshme.
 
j.l./ dita
Burimi