Angazhimi intelektual modern i Ismail Kadaresë për Çamërinë

Angazhimi intelektual modern i Ismail Kadaresë për Çamërinë

Dr. Dorian Koçi
 
Në vitin 2016 pata kënaqësinë që Prof Xhufi të më ftonte për të qenë bashkëautor në shkrimin e librit  “Çamëria vështrim historik dhe identitar”, një punim i drejtuar nga Prof. Pëllumb Xhufi, e shkruar sëbashku me Prof. Pëllumb Xhufin, Profesor Bashkim Kuçukun dhe Profesor Hajredin Isufin. Në këtë ndërmarrje fisnike na bashkoi dëshira për të shkruar një rrugëtim historik, identitar e kulturor të Çamërisë ndër shekuj si pjesë e pandarë e historisë, identitetit dhe kulturës shqiptare. Për kënaqësinë tonë të veçantë kësaj ndërmarrje profesionale dhe kulturore iu bashkangjit dhe shkrimtari ynë Ismail Kadare që shkruajti Hyrjen e tij. Në kundërshtim nga çu dëgjua dhe u shkrua në këto ditë ,duke mos respektuar as kodin njerëzor të mirrësjesjelljes kur shuhet një njeri, për rolin jo aktiv të shkrimtarit dhe intelektualit Kadare për çështjen kombëtare, kjo Hyrje tregon qartë angazhimin e plotë të tij në një diskurs  modern që i bën nder kulturës dhe identitetit tonë. Çamëria shkruan Kadare-bën pjesë në një nga hartat më të dhimbshme të Europës, atë që ka njohur shpërnguljen. Është një hartë për të cilën flitet me kujdes, për të mos nxitur acarime të reja, në këtë botë të shqetësuar. Ndërkaq, heshtjet, gjithashtu mund të acarojnë, ndoshta më keq. Kontinenti ynë europian është plot me shembuj të tillë dhimbjesh. . Në rastet e shumta kur flitet për këtë dramë, është theksuar, se Çamëria nuk është kurrsesi një fantazmë që ngrihet për të errësuar marrëdhëniet e fqinjësisë midis grekëve dhe shqiptarëve. Përkundrazi, kur popujt e lehtësojnë ndërgjegjen e tyre nga peshat e vjetra, ata afrohen më fort, dhe, rrjedhimisht, duke u kuptuar më mirë, e duan edhe më shumë njëri-tjetrin. Ky libër i ri për historinë e Çamërisë është në vazhdën e një tradite të tillë pozitive, larg mllefeve dhe smirave kombëtariste. Në të flitet gjerësisht për të vërtetat historike, mbështetur në dokumente të autoreve shqiptare dhe të huaj, pa paragjykimet e njohura, ato që me aq lehtësi e kthejnë çdo mirëkuptim në moskuptim dhe çdo afrim në të kundërtën e vet. Pasqyrimi gjerësisht i traditave kulturore të Çamërisë, duke nisur nga kultura urbane, nga muzika, këngët polifonike, vallet dhe veshjet e një bukurie të rrallë, është një riafirmim i thelbit pozitiv të këtij libri.
Libri u përkthye dhe u botua dhe anglisht dhe frëngjisht dhe duhet thënë se falë edhe Hyrjes së shkruar nga Kadare, shkrimtarit që është përkthyer në 45 gjuhë, ai egziston si referencë në çdo punim bibliografik duke ndërkombëtarizuar edhe çështjen çame kulturialisht. Europa, Shqipëria  humbi  më 1 korrik një figurë e personalitet që shenjoi kulturën dhe identitetin tonë për gjysëm shekulli.  Shqipëria do të ketë gjithnjë e më  tepër nevojë për mesazhet  e veprës së Kadaresë që plazmojnë identitetin europian  të shqiptarëve.
Ismail Kadare:
Çamëria, harta e dhimbshme e Europës*

Njerëzit janë mësuar prej shekujsh me hartat dhe leximin e tyre, sado të larmishme të jenë ato. Harta shtetesh dhe popujsh, harta historike, klimatike, detare apo tokësore, ngulitën qysh në bankat e shkollës në kujtesën e nxënësve, me emrat dhe ngjyrat e tyre dalluese. Më pas, me shtimin e dijenive, njerëzit mësojnë se ka harta të vjetra dhe të reja, në të cilat disa nga emërtimet mungojnë ose janë zëvendësuar me të tjera. Kjo është e njohur dhe e shpjegueshme, si pasoje e zhvillimeve të historisë, kryesisht, të luftërave dhe shpërnguljeve. Kur viset e populluara zbrazen nga gjindja e vet njerëzore, letërsia dhe arti janë të fundit që i braktisin. Mund të thyhen ushtritë, të tërhiqen rojet e fisit, të heshtë diplomacia, arti nuk bindet. Ai kthehet e rikthehet atje, të logu i vjetër.
Atje ku ndodhi shkulja, këputja mizore, krimi. Atje ku të tjerët i ndal shenja e kufirit të ri, traktatet ose rendi i ri i botës. Këto radhë janë pjesë nga parathënia, shkruar për një antologji letrare-artistike për Çamërinë, përzgjedhur nga miku im i ndjerë, Ali Podrimja, më 2004. Çamëria bën pjesë në një nga hartat më të dhimbshme të Europës, atë që ka njohur shpërnguljen. Është një hartë për të cilën flitet me kujdes, për të mos nxitur acarime të reja, në këtë botë të shqetësuar. Ndërkaq, heshtjet, gjithashtu mund të acarojnë, ndoshta më keq. Kontinenti ynë europian është plot me shembuj të tillë dhimbjesh. Në antologjinë me motive letrare artistike për Çamërinë, është theksuar në mënyrë të ndjeshme se kjo përmbledhje nuk është as thjesht politike, as nismëtare e ndonjë fushate.
Është, në radhë të parë, një libër njerëzor. Libër me vjersha, poema dhe art, shkruar nga njerëzit për njerëzit. Është një dhimbje, që nuk ikën ngaqë dikush e shpall të paligjshme. As duke bërë sikur nuk e di. E, aq më pak, kur sillesh pa nderim ndaj saj. Në rastet e shumta kur flitet për këtë dramë, është theksuar, se Çamëria nuk është kurrsesi një fantazmë që ngrihet për të errësuar marrëdhëniet e fqinjësisë midis grekëve dhe shqiptarëve. Përkundrazi, kur popujt e lehtësojnë ndërgjegjen e tyre nga peshat e vjetra, ata afrohen më fort, dhe, rrjedhimisht, duke u kuptuar më mirë, e duan edhe më shumë njëri-tjetrin. Ky libër i ri për historinë e Çamërisë është në vazhdën e një tradite të tillë pozitive, larg mllefeve dhe smirave kombëtariste. Në të flitet gjerësisht për të vërtetat historike, mbështetur në dokumente të autoreve shqiptare dhe të huaj, pa paragjykimet e njohura, ato që me aq lehtësi e kthejnë çdo mirëkuptim në moskuptim dhe çdo afrim në të kundërtën e vet. Pasqyrimi gjerësisht i traditave kulturore të Çamërisë, duke nisur nga kultura urbane, nga muzika, këngët polifonike, vallet dhe veshjet e një bukurie të rrallë, është një riafirmim i thelbit pozitiv të këtij libri.
Një popull që gjen kohën e nevojshme të përpunojë me kaq finesë këta tinguj e këto ngjyra të jetës, pohon një prirje humane e mirëkuptim me botën. Vëmendja ndaj teksteve të autorëve të huaj e shqiptare, që nga Maksim Artioti i mesjetës së vonë, lindur në Artë, e gjer të Abedin Dino i Parisit të viteve 1930, pinjollit më të ri të dinastisë së Dinenjve, mik i Gertrude Shtejn, Tristan Cares e Pikasos, janë disa nga shembujt e një vizioni humanist e kulturor të Çamërisë, larg spekulimeve të ngushta politike të ditës.
Problemi çam ka mbi njëqind vjet që është i pranishëm në zonën juglindore të Europës. Ai është i ngjashëm me probleme të tjera, herë më të vjetra e herë më të reja, që janë shfaqur e shfaqën në pjesë të ndryshme të kontinentit tonë. Në pamje të parë shpesh ato duken të ndërlikuara e të pandryshueshme, madje të pazgjidhshme, ngaqë lidhen me emancipimin e përgjithshëm të njerëzimit, i cili, ndonëse, jep përshtypjen e një zhvillimi me ritëm të shpejtë, në të vërtetë qëllon të jetë më i ngadaltë sesa duket. Krijimi i Europës së bashkuar, në mesin e dytë të shekullit njëzetë, ka qenë një lajm i madh jo vetëm në përmasa kontinentale, por ato botërore.
Bashkë me zhvillimet e reja ekonomike, politike e kulturore, ai krijoi premisat e një çlirimi të brendshëm shpirtëror, falë të cilit u ringjallën shpresa për zgjidhje të çështjeve që ngjanin më parë pa asnjë shpresë, përveç mjeteve të armëve dhe të luftës. Një vizion i ri për kufijtë dhe bashkëpunimin midis shteteve çon vetvetiu drejt mirëkuptimit të mëtejshëm midis kombeve, çka është baza që secili prej tyre të ndihet më i plotë brenda thesarit të përgjithshëm njerëzor, që popullon planetin tonë.
 
* Hyrja e librit
Burimi