Ana e errët e Dubait, historia e shitësit të pronave që e kalbën në burg se donin t’i merrnin biznesin
Në vitin 2008, zhvilluesi i pasurive të paluajtshme, Ryan Cornelius u arrestua në Dubai, fillimisht i akuzuar për pastrim parash pasi banka shtetërore pretendoi se ai kishte keqpërdorur një kredi prej miliona dollarësh. Gjatë procesit, ai u dënua me 10 vite burg për mashtrim të bankës islame të Dubait. Gruaja e tij, Heather Cornelius, tregon historinë e tyre të dhimbshme dhe të tronditshme. Heather ishte e shqetësuar kur mësoi për arrestimin e tij dhe besonte se ishte një gabim që do të zgjidhej shpejt. Ryan mbeti në një burg të sigurisë së lartë në shkretëtirë pa gjyq për tre vjet, ndërsa Heather përpiqej të përqendrohej në rritjen e tre fëmijëve të tyre, më i vogli vetëm gjashtë vjeç, shkruan Daily Mail.
Pas tre vitesh pa gjyq, Ryan u gjykua dhe u dënua jo për pastrim parash, por për mashtrim, ndërsa akuzat për pastrim parash u hodhën poshtë. Heather e kishte të vështirë të përballonte mungesën e tij dhe të siguronte stabilitet për fëmijët e tyre. Me kalimin e kohës, Ryan u dënua edhe me 20 vite burgim shtesë për borxhe, një çështje kriminale në Dubai dhe tani pritet të lirohet në vitin 2038. Heather shqetësohet se Ryan, tani 70 vjeç, mund të vdesë në burg para se të lirohet.
Ryan, Heather dhe fëmijët e tyre në Kenia, 2006
Në vitin 2022, një grup pune i Kombeve të Bashkuara e shpalli gjyqin e Ryan si të padrejtë dhe burgosjen e tij si arbitrare, duke shkelur tetë nene të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Kjo çështje është mbështetur nga fushata e Drejtësisë Globale Magnitsky, e cila e ka quajtur çështjen e Ryan një “ndëshkim të sajuar për të kapur biznesin e tij.”
Në fillimet e burgimit të Ryan, Heather nuk mendonte se ishte e nevojshme të kërkonte publicitet për çështjen e tij, duke u fokusuar në mbrojtjen dhe stabilitetin e fëmijëve të tyre. Megjithatë, pas shumë viteve pa drejtësi, Heather dhe mbështetësit e tyre kanë ngritur çështjen në institucione ndërkombëtare dhe kanë kërkuar drejtësi. Deputeti Tim Roca ka ngritur çështjen e burgimit të Ryan në Parlamentin Britanik.
Gjatë viteve të tij në burg, Ryan ka vuajtur nga kushte të vështira, përfshirë humbjen e dy prindërve të tij dhe zhvillimin e tuberkulozit dhe presionit të lartë të gjakut. Burgimi i tij në Dubai ka zbuluar një anë të errët të qytetit të njohur për kullat e larta dhe detet e kaltra, duke treguar realitetin e ashpër të drejtësisë në atë vend.
Heather dhe fëmijët e tyre nuk kanë mundur të vizitojnë Ryan që nga largimi nga Bahreini në vitin 2016, për shkak të mungesës së fondeve dhe kufizimeve të Covid-19. Tani, Heather mbështetet te telefonatat e shkurtra për të qëndruar në kontakt me të. Heather dhe mbështetësit e tyre shpresojnë që drejtësia të vihet në vend dhe Ryan të lirohet së shpejti, duke vazhduar përpjekjet për të ngritur ndërgjegjësimin për çështjen e tij në nivel ndërkombëtar.
Heather me djemtë dhe vajzën në Cornwall, 2019
j.l./ dita
Burimi