Taksia elektrike hyp mbi trotuar dhe përplas këmbësoren në Tiranë

Taksia elektrike hyp mbi trotuar dhe përplas këmbësoren në Tiranë

Një aksident është regjistruar paraditen e sotme pranë zonës së “Pallatit me Shigjeta” në Tiranë, ku një taksi elektrike ka humbur kontrollin në një kthesë dhe ka përfunduar në trotuar, duke përplasur një këmbësore. Nuk dihet ende gjendja shëndetësore e këmbësores, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë. Dy raste të ngjashme brenda pak ditësh ngrenë pikëpyetje mbi sigurinë e këtyre mjeteve elektrike dhe mënyrën e përdorimit të tyre. Kujtojmë se vetëm pak ditë më parë, në Durrës, një tjetër taksi elektrike u përfshi në një aksident tragjik, ku një 66-vjeçar humbi jetën pasi u përplas nga automjeti. Në atë rast, drejtuesi 26-vjeçar pretendoi para Policisë se taksia ishte ndezur në mënyrë të pavullnetshme, kishte marrë gaz automatikisht dhe kishte dalë nga kontrolli.