Rrezikoi pushuesit në Himarë, Policia Kufitare bllokon Jet Ski-në dhe gjobit drejtuesin e mjetit me 300 mijë lekë
Policia Kufitare ka bllokuar sot një mjet lundrues Jet Ski në plazhin e Bunecit, në Himarë, pasi kishte hyrë në perimetrin e sigurisë dhe rrezikonte pushuesit. Sipas Policisë, ndërhyrja u bë menjëherë pas raportimit të pushuesve në numrin 112. Në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, shërbimet e Policisë Kufitare lokalizuan dhe bllokuan mjetin. Drejtuesi i Jet Ski-t, shtetasi A. Gj., u ndëshkua me masë administrative 300 mijë lekë të rinj për shkelje të perimetrit të sigurisë në zonën e plazhit. Policia e Shtetit falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe u bën thirrje të denoncojnë çdo shkelje që cenon sigurinë e pushuesve, duke telefonuar në numrin pa pagesë 112.
Burimi:
sot.com.al