GJKKO vendos ditën e hënë, për kërkesën e Metës për zëvendësimin e masës
Të hënën, më 11 maj, pritet të mbahet seanca e radhës në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ndaj ish-presidentit Ilir Meta, lidhur me kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg”. Meta ka kërkuar zbutjen e masës së sigurisë, duke propozuar alternativa si arrest shtëpie, garanci pasurore apo detyrim paraqitjeje. Përmes avokatit të tij, ai ka ofruar edhe një garanci financiare prej 50 mijë eurosh, si pjesë e kërkesës për lirimin nga paraburgimi. Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar më herët ankimin e Metës për ndryshimin e masës së sigurisë, duke lënë në fuqi vendimin “arrest në burg”. Ndërkohë, procesi gjyqësor ndaj tij vijon në GJKKO.
Burimi:
sot.com.al