Protestë në tokë dhe në det, fermerët dhe peshkatarët bllokojnë portin e Volosit

Protestë në tokë dhe në det, fermerët dhe peshkatarët bllokojnë portin e Volosit

Protestat e fermerëve në Greqi vijojnë të intensifikohen, ndërsa që prej mëngjesit të së mërkurës porti i Volosit është rrethuar nga dhjetëra traktorë dhe mjete bujqësore. Së bashku me fermerët dhe blegtorët, në port janë të pranishëm edhe peshkatarët, të cilët e kanë “rrethuar” portin nga toka dhe deti. Në zonë janë vendosur forca të shumta policie, të cilat ndalojnë hyrjen e automjeteve në port. Për shkak të bllokadës, dhjetëra kamionë që kishin ardhur për të shkarkuar mallra janë detyruar të qëndrojnë në radhë pranë portit, pasi hyrja u është ndaluar. Situata është tensionuar edhe më shumë pas urdhrit të djeshëm të Gjykatës së Lartë e cila kërkoi nisjen e procedimeve penale dhe arrestime për çdo veprim të paligjshëm gjatë protestave.