Burimi:
Vizionplus.tv
Foto © Vizionplus.tv
Rrëzohet avioni ushtarak, humb jetën i gjithë ekuipazhi
Një avion ushtarak rus An-22 është rrëzuar këtë të martë në rajonin e Ivanovos, në verilindje të Moskës. Si pasojë humbën jetën të gjithë anëtarët e ekuipazhit, por ende nuk është përcaktuar numri i personave që gjendeshin në bord. Në një deklaratë më parë, Ministria Ruse e Mbrojtjes theksoi se “gjatë një fluturimi provë, pas punimeve të riparimit, një avion transporti ushtarak An-22 u rrëzua, avioni ra në një zonë të pabanuar”. Më parë, një burim i paidentifikuar i shërbimeve të shpëtimit i tha agjencisë ruse të lajmeve TASS se shtatë persona mund të kenë qenë në bordin e avionit. Deri më tani, autoritetet ruse nuk kanë thënë nëse incidenti mund të lidhet me konfliktin e armatosur në Ukrainë.