Lufta në vijim Izrael-Iran ka shuar shpresat për bisedimet për paqe.
Irani ka deklaruar se dialogu me SHBA-në mbi programin bërthamor të Teheranit është i pakuptimtë pas zhvillimeve të fundit, por tha se ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë ose jo në bisedime. Takimi i radhës, i gjashti në kuadër të dialogut Uashington-Teheran, ishte planifikuar të mbahej ditën e diel në Muscat, por tashmë është e paqartë nëse do të mbahet.
Teherani lëshoi akuza ndaj Uashingtonit si bashkëfajtor për sulmet e Izraelit dhe tha se Tel Avivi nuk do të guxonte të vepronte pa lejen e SHBA-së. Në vijim të zhvillimeve të fundit, Irani ka paralajmëruar SHBA-të por edhe Britaninë e Madhe dhe Francën të mos ndihmojnë Izraelin.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, paralajmëroi Iranin të bëjë marrëveshje bërthamore para se të jetë tepër vonë, teksa Shtëpia e Bardhë konfirmoi forcat tokësore amerikane kanë ndihmuar Izraelin për të rrëzuar raketat iraniane gjatë dy valëve të para.
Irani mohon se programi i tij i pasurimit të uraniumit ka për qëllime të tjera përveç atyre civile, duke hedhur poshtë akuzat izraelite se po zhvillon fshehurazi armë bërthamore. Ndërkohë, Franca dhe Arabia Saudite kanë shtyrë konferencën e OKB-së në Nju Jork që ishte planifikuar për javën e ardhshme dhe do të kishte në fokus zgjidhjen me dy shtete dhe njohjen e Palestinës.
Vendet europiane bënë thirrje një ditë më parë për deeskalim të situatës nga të dyja palët. Këtë të shtunë reagoi edhe Papa Leone, i cili u bëri thirrje autoriteteve të Izraelit dhe Iranit të veprojnë me arsye dhe të ndjekin dialogun.
/vizionplus.tv

Leave a Reply