Zgjedhjet britanike/ Sunak jep dorëheqjen nga udhëheqja e konservatorëve

Zgjedhjet britanike/ Sunak jep dorëheqjen nga udhëheqja e konservatorëve

Rishi Sunak

BRITANI E MADHE- Rishi Sunak ka dhënë dorëheqjen nga udhëheqja e konservatorëve. Vendimin për dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Konservatore e ka bërë të ditur vetë kryeministri në largim, Rishi Sunak. Në fjalimin e tij të fundit jashtë “Downing Street Number 10″ mori përgjegjësinë e plotë për humbjen e rëndë të konservatorëve.
“Më vjen keq dhe u kërkoj falje të gjithë qytetarëve që nuk arritëm t’i kënaqim. Dua t’u kërkoj falje deputetëve që humbën vendet. Unë i dhashë gjithçka qeverisë, por ju dërguat mesazhin se qeveria duhet të ndryshojë,”-theksoi ai.
Po ashtu, sqaroi se do të japë dorëheqjen si lider i konservatorëve por jo menjëherë. 
“Është e rëndësishme që pas 14 vitesh në qeverisje, Partia Konservatore të rigrupohet, por edhe të marrë rolin e saj kritik në opozitë me profesionalizëm dhe efektivitet. Kam dëgjuar zemërimin tuaj, zhgënjimin tuaj dhe marr përgjegjësinë për këtë disfatë,”- tha ai, duke falenderuar të gjithë kandidatët konservatorë për përpjekjet e tyre gjatë zgjedhjeve.
Duke iu referuar fituesit të zgjedhjeve, Sir Keir Starmer, ai tha se kundërshtari i tij politik ishte “njeri i denjë, me shpirt, të cilin e respektonte”.
Pas deklaratës së tij publike, Sunak pritet që të takohet edhe me mbretin Charles III për t’i paraqitur zyrtarisht edhe dorëheqjen nga posti i kryeministrit për t’i hapur rrugën qeverisë së re./ZËRI 
Burimi