Zbulimi i “Financial Times”: Serbia shet municione në Ukrainë. Vuçiç: Mundësi biznesi

Zbulimi i “Financial Times”: Serbia shet municione në Ukrainë. Vuçiç: Mundësi biznesi

Foto ilustruese

BEOGRAD- Serbia ka rritur në mënyrë diskrete shitjet e municioneve për vendet e perëndimit, edhe pse është një nga dy vendet e vetme evropiane që nuk iu bashkaun sanksioneve perëndimore kundër Rusisë. Sipas “Financial Times”, ekspertët vlerësojnë se municionet e Serbisë kanë ardhur në Ukrainë dhe se nga shitja e tyre, Beogradi ka përfituar rreth 800 milionë euro. Këtë shumë…e konfirmoi edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç. Madje, ai prezantoi luftën si një mundësi biznesi, duke theksuar se kjo nuk do të thoshte se ai kishte zgjedhur një anë (pra që i kishte kthyer krahët Rusisë).
“Kjo është një pjesë e ringjalljes sonë ekonomike dhe është e rëndësishme për ne. Po, ne e eksportojmë municionin tonë. Ne nuk mund të eksportojmë në Ukrainë apo në Rusi. . . por ne kemi pasur shumë kontrata me amerikanë, spanjollë, çekë e të tjerë. Ne bëjmë kontrata me ta, se çfarë bëjnë ata në fund është puna e tyre. Edhe nëse e di [ku përfundon municioni], kjo nuk është puna ime. Detyra ime është të siguroj që ne shesim legalisht municionet tona. Unë duhet të kujdesem për njerëzit e mi, dhe kaq. Kaq mund të them. Ne kemi miq në Kiev dhe në Moskë. Këta janë vëllezërit tanë sllavë,”-tha Vuçiç për “Finantial Times”.
Të njëjtin qëndrim ka edhe ministri serb i Financave Sinisha Mali, i cili tha se industria e mbrojtjes, e cila punëson 20,000 njerëz në vendin me 7 milionë banorë, mund të zgjerohet me shpejtësi.
“Unë e shoh si një grup biznesi. Mendoj se jemi ende shumë nën kapacitetet e vendeve më të zhvilluara, por tani është koha të ndryshojmë,”-tha ai.
I pyetur nëse shifra prej 800 milionë euro ishte “e goditur”, presidenti shtoi se aq para nuk janë bërë për 1 vit, por shtoi se kjo shifër do të kapet pas 2-3 vjetësh. Serbia nuk është as anëtare e NATO-s dhe as e BE-së, dhe njerëzit e këtij vendi kanë pasur prej kohësh një lidhje sentimentale me Rusinë, ndërkohë që janë të zemëruar me perëndimin pas fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi vendin e tyre në vitin 1999.
Po ashtu, Beogradi mbështetet tek Moska që të bllokojë njohjen e Kosovës, që sipas tyre është veçse një krahinë serbe. Që nga nisja e luftës dhe deri më tani, Vuçiç i ka rezistuar presionit perëndimor për të miratuar sanksionet ndaj Rusisë, edhe pse thotë se është i përkushtuar që vendi i tij të bëhet anëtar i BE-së. 
“Evropa dhe SHBA-ja kanë punuar për vite të tëra për të distancuar Vuçiçin nga Putini. Të gjithë prisnin që [Hill] të luftonte me Vuçiçin, por axhenda e tij e vetme ka qenë distancimi i Beogradit nga Moska. i ia ka dalë. Vuçiç nuk e ka takuar, madje as nuk e ka telefonuar Putinin prej vitesh. Dhe sigurisht që ka ndikuar tek armët që përfundojnë në Ukrainë,”- tha një diplomat perëndimor, duke shtuar se një lojtar vendimtar në gjithë këtë plan ishte ambasadori amerikan Christopher Hill, i cili mbërriti në Beograd një muaj pas pushtimit të Ukrainës.
Për perëndimin, kërkimi i mbështetjes për Ukrainën është bërë më i rëndësishëm sesa shtytja e liderit nacionalist të Serbisë për reforma demokratike.
“Vuçiç e fsheh nën qilim se e mbështet Ukrainën. Ai flet në mënyrë të paqartë. Është e qartë se ai nuk dëshiron ta njohë si luftë pasi dëshiron të mbajë të lumtur të djathtën e tij ekstreme, por në të njëjtën kohë i kanë ofruar ndihmë Ukrainës,”- tha Ivan Vejvoda, një bashkëpunëtor në Institutin për Shkenca Humane në Vjenë.
Serbia kishte një industri të lulëzuar armësh gjatë Luftës së Ftohtë, kur ishte pjesë e Jugosllavisë. Vuçiç tha se Serbia ka një mundësi të artë pasi armët e saj ishin më të lira se në perëndim, duke shtuar se shkalla e eksportit të përgjithshëm të municioneve të Serbisë mund të rritet. Sipas diplomatëve dhe analistëve, pjesëmarrja e Serbisë në rrjedhën e municioneve në Ukrainë është mjaft e kamufluar, saqë të dhënat zyrtare nuk e pasqyrojnë fare. Instituti i Kielit për Ekonominë Botërore, i cili monitoron mbështetjen për Ukrainën, nuk ka gjurmuar drejtpërdrejt aktivitetet serb./ZËRI
Marrë nga FT
Burimi