Zana me mjekër me fustan ylber, Rita Petro: Mendjet paranojake duan të diskriminojnë LGBT-në

Zana me mjekër me fustan ylber, Rita Petro: Mendjet paranojake duan të diskriminojnë LGBT-në

Rita Petro

TIRANË-Kopertina e librit të Gjuhës Shqipe për klasën e tretë ka ngjallur debat në rrjete sociale. Në kopertinën e librit shfaqet një zanë, por jo si ato që jemi mësuar të shohim, me fustan rozë dhe shkop magjik. Kjo zanë ka një pamje krejtësisht të ndryshme me mjekër dhe fustan shumëngjyrësh, i ngjashëm me flamurin e komunitetit LGBT.
Pamja e zanës me mjekër dhe veshja e fustanit ylber ka ngjallur reagime të ndryshme në publik, duke ngritur pyetje mbi mesazhet që u përcillen fëmijëve. Por teksa debatet vijojnë, pronarja e shtëpisë botuese ‘Albas’, Rita Petro, njëkohësisht bashkautore e Gjuhës Shqipe për klasën e tretë të Arsimit Fillor, ka reaguar për Report.Tv se teksti ka 8 vite që ribotohet dhe asnjë prind, mësues apo fëmijë nuk është shqetësuar. 
Sa u përket reagimeve dhe komenteve në lidhje me kopertinë, Petro sqaron se mendjet paranojake duan t’i japin një drejtim tjetër që është prirje diskriminuese e kohëve të fundit ndaj komunitetit LGBT. Sipas saj ylberi është simbol fëminor dhe që në parashkollor fëmijët mësojnë ndarjen e ngjyrave.
“Një situatë vërtet tragjikomike. Teksti ka 8 vjet që ribotohet dhe asnjë prind, mësues apo fëmijë nuk është shqetësuar. Ylberi është simbol fëminor dhe që në parashkollor fëmijët mësojnë ndarjen e ngjyrave. Gjithashtu, përdoret edhe si simbol i ngjyrave të ndryshme të lëkurës duke i shpjeguar fëmijëve se jemi të gjithë të bukur dhe ndarja në raca s’ka kuptim. Sa për figurën e magjistarit në kopertinë (dhe magjistarët njihen për pelerinat e tyre ngjyra-ngjyra), kjo ka lidhje me një poezi ku fëmija i lutet magjistarëve të të gjithë e botës t’i falin një shkop magjik. Mendjet paranojake duan t’i japin një drejtim tjetër që është prirje diskriminuese e kohëve të fundit ndaj komunitetit LGBT. Ngado që ta interpretosh, sa më shumë përhapet në rrjete sociale dhe në medie, aq më shumë thellon krizën që po kalojmë si shoqëri dhe që dëmton shëndetin mendor të fëmijëve,’- u shpreh Rita Petro.

/ZËRI
Burimi